Categories: sport

Rrëfimi i Jasharit: Planet me Milanin, Modric si frymëzim dhe refuzimi i ofertave të mëdha nga Juventus e Atalanta

Në një bisedë të hapur me të përditshmen italiane Gazzetta dello Sport, talenti shqiptar i Milanit, Ardon Jashari, ka ndarë ambiciet për sezonin e ri, bashkëjetesën me legjendën Luka Modric dhe prapaskenat e merkatos së verës.

Të lidhura

None found

Jashari synon të kthehet në një element të pazëvendësueshëm te kuqezinjtë, duke luajtur krah fituesit të Topit të Artë, dhe ëndërron të shkëlqejë për klubin që e ka mbështetur prej fëmijërisë. Pas një viti debutues nën pritshmëritë personale, i ndikuar edhe nga konkurenca me kroatun, mesfushori me origjinë zvicerane është i bindur se ardhja e trajnerit Ruben Amorim do të sjellë një kthesë për të.

Për të, objektivi është i qartë: një Milan që dominon si në Serie A, ashtu edhe në Ligën e Evropës, dhe çdo stërvitje është një hap drejt këtij misioni. Largimi nga Milani nuk i ka kaluar asnjëherë nëpër mendje, pikërisht sepse këtu dëshiron të lërë gjurmë. Tani e ka në dorë ta kthejë pasionin e fëmijërisë në realitet.

“Pas angazhimit në Kupën e Botës dhe pushimeve, jam i rimbushur me energji. Kam vetëm pak kohë që jam rikthyer, por besoj se e kam kapur menjëherë idenë e lojës që kërkon Amorimi. Më tërheq futbolli i shpejtë dhe agresiv dhe besoj se e kemi cilësinë për ta zbatuar. Milani duhet të interpretojë këtë filozofi dhe të synojë fitoren,” pohoi Jashari.

Kur u pyet për synimet konkrete, ai nuk la hapësirë për dyshime: “Të fitojmë ndeshje pas ndeshjeje, çdo herë që hyjmë në fushë. Ky është mentaliteti që duhet të na karakterizojë. Nëse ia dalim, do të gjendemi automatikisht në krye të klasifikimit. Por ende nuk ka ardhur momenti për të folur për titullin kampion: duhet të ndërtojmë fillimisht një mendësi fitimtare dhe të kënaqemi duke luajtur. Jam i sigurt që duke i bashkuar këto dy aspekte, do të arrijmë gjithçka që na nevojitet.”

Sa i përket mungesës në Ligën e Kampionëve, 21-vjeçari tregoi qasje pragmatike: “Natyrisht që do të dëshironim të luanim në Champions, ishte qëllimi ynë kryesor, por tani duhet të përqendrohemi totalisht te Evropa Ligë. Të kesh një kalendar të dendur është pozitive për të gjithë dhe ne duhet të jemi të përgatitur fizikisht. Ashtu si në kampionat, edhe në Evropë duam të dalim fitues. Ka një tjetër trofe në lojë dhe do të provojmë. Jemi në dijeni të nivelit të lartë të kundërshtarëve, por fokusi duhet të mbetet vetëm te vetja jonë.”

Duke reflektuar mbi vitin e parë në Itali, ai pranoi se gjërat nuk shkuan sipas planeve: “Ishte sezoni im debutues me Milanin dhe në futbollin italian. Për më tepër, pësova një dëmtim në fibulë dhe minutat ishin të pakta. Kjo nuk ishte ajo që prisja kur firmosa… Tani dua të shfaq potencialin tim të vërtetë, por për ta bërë këtë kam nevojë për hapësira dhe vazhdimësi. Kur të jem në formën time optimale, e di se do t’i bëj tifozët krenarë dhe do të kontribuoj me cilësitë e mia. Shpresoj të gjithë të kënaqemi së bashku.”

Bashkëjetesa me Modricin, larg të qenit pengesë, shihet si një pasuri: “Për mua, Lukita nuk përbën aspak problem. Përkundrazi, rinovimi i tij është një lajm fantastik. Të gjithë duhet të ndihemi krenarë që kemi një kampion të tillë në skuadër. Jashtë fushës kemi një marrëdhënie vërtet të shkëlqyer: shpresoj të kemi më shumë minuta bashkë këtë vit dhe të krijojmë një mirëkuptim perfekt. Sinjalet në pjesën e dytë të ndeshjes së fundit ishin shumë inkurajuese.”

Gjatë Kupës së Botës, zërat e merkatos e lidhën me klube si Juventusi dhe Atalanta, por Jashari e kishte të qartë të ardhmen e tij: “Erdha te Milani një vit më parë duke realizuar një ëndërr, pasi zemra më ka rrahur gjithmonë për kuqezinjtë. Dëshiroja me çdo kusht ta mbaja këtë fanellë dhe të tregoja aftësitë e mia në San Siro. Megjithatë, në futboll lumturia e vërtetë vjen kur luan… Këtë sezon shpresoj të jem në pozitë për të ndihmuar ekipin dhe për të dhënë maksimumin. Jam thellësisht i bindur se klubi ka të njëjtin mendim,” deklaroi ylli i kombëtares shqiptare.

të fundit

Abdixhiku mbërrin në Kuvend për takimin e tretë me Kurtin

Lumir Abdixhiku sapo ka arritur në zyret e Kuvendit të Kosovës. Kreu i LDK-së do të zhvillojë takimin e radhës…

2 minutes ago

I nxehti përvëlues mbërthen vendin, çfarë pritet të ndodhë me motin javën e ardhshme

Fundjava dhe fillimi i javës së ardhshme, do të vijojnë me temperatura të larta dhe mot kryesisht të kthjellët në…

7 minutes ago

Trump rihap betejën për shtetësinë me lindje, firmos dy dekrete të reja pavarësisht pengesës në Gjykatën Supreme

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka ndërmarrë një tjetër përpjekje për të kufizuar të drejtën kushtetuese të shtetësisë…

15 minutes ago

Baldwinët dhe aleanca e pathyeshme familjare: si shtatë fëmijë u bënë spiranca në stuhinë më të fortë

U njohën rastësisht në një restorant, ndërtuan një nga familjet më të mëdha të Hollywood-it dhe përballuan humbje, trysni e…

16 minutes ago

Pensionimi nuk është vetëm liri: sfidat emocionale që shpesh mbeten të pathëna

Pensionimi shpesh shihet si një qëllim. Vite të tëra pune të palodhshme, orare të ngjeshura, vendime të rëndësishme, përgjegjësi gjithnjë…

16 minutes ago

Senatorë amerikanë kërkojnë rikthimin e sanksioneve ndaj zyrtarëve të Republikës Sërpska

Një grup senatorësh amerikanë, republikanë dhe demokratë, kanë kërkuar nga administrata e presidentit Donald Trump, që të rivendosë sanksionet ndaj…

23 minutes ago