Cristiano Ronaldo dhe Lionel Messi kanë qenë figurat që kanë udhëhequr futbollin botëror për afro dy dekada, duke krijuar një prej rivaliteteve më të mëdha që ka njohur ndonjëherë ky sport. Një episod i ri i kësaj gare mes tyre u regjistrua edhe në Kupën e Botës 2026.
Portugalia arriti fitoren e saj të parë në turne duke mposhtur bindshëm Uzbekistanin me rezultatin 5-0, në një sfidë ku Ronaldo realizoi dy herë. Ky sukses erdhi pas barazimit 1-1 ndaj RD Kongos në ndeshjen hapëse.
None found
Dy golat e shënuar gjatë pjesës së parë i dhanë qetësi skuadrës portugeze, ndërsa 41-vjeçari vazhdoi të lërë gjurmë në skenën më të madhe të futbollit.
Pas ndeshjes, Ronaldo dha një deklaratë të shkurtër në zonën e mediave, ku u përball edhe me një pyetje lidhur me paraqitjet e Lionel Messit në këtë Kupë Bote.
Në reagimin e tij të parë, kapiteni i Portugalisë u mjaftua me fjalët: “Pyetja tjetër”.
Record, gazeta portugeze, raportoi se kur u pyet sërish për golat dhe rekordet e Messit, Ronaldo u përgjigj: “Nuk më intereson Messi”.
Megjithatë, insistimi i gazetarëve vazhdoi dhe në fund ai komentoi mundësinë e një përballjeje mes Portugalisë dhe Argjentinës së Messit.
“Të përballem me Lionel Messin në Kupën e Botës? Pyetja nuk ka shumë kuptim… por në rregull. Do të ishte fantastike”.
Nga ana tjetër, Messi po zhvillon një Kupë Bote mbresëlënëse me Argjentinën. Sulmuesi argjentinas realizoi tregolësh në fitoren 3-0 ndaj Algjerisë, ndërsa më pas shtoi edhe dy gola në triumfin 2-0 kundër Austrisë.
Me pesë gola të shënuar në dy ndeshje, Messi është bërë golashënuesi më i mirë në historinë e Kupave të Botës me 18 gola në total, duke kaluar rekordin e mëparshëm të Miroslav Kloses.
Pavarësisht krahasimeve të pandërprera mes dy ikonave të futbollit, Ronaldo duket se e ka vëmendjen tërësisht te Portugalia dhe synimet e saj në Kupën e Botës 2026.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ilir Kërçeli, ka publikuar të dhënat e Doganës së Kosovës për importin e energjisë elektrike. Sipas…
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ilir Kërçeli, ka publikuar të dhënat e Doganës së Kosovës për importin e energjisë elektrike. Sipas…
Dorëheqja e Jensen Huang nga drejtimi i gjigantit amerikan të teknologjisë Nvidia, pas raportimeve për disa marrëdhënie jashtëmartesore, përfshirë një…
Dorëheqja e Jensen Huang nga drejtimi i gjigantit amerikan të teknologjisë Nvidia, pas raportimeve për disa marrëdhënie jashtëmartesore, përfshirë një…
Shtatë nga tetë çerekfinalistët e Ligës së Kombeve për edicionin 2026/27 tashmë janë përcaktuar. Pas ndeshjeve të së hënës, Gjermania…
Një ngjarje tragjike ka tronditur komunitetin në Misuri të SHBA-së, ku një zjarrfikëse 36-vjeçare ka humbur jetën pasi ka rënë…