Categories: sport

Pse Botërori 2026 ka numrin më të madh ndonjëherë të lojtarëve që përfaqësojnë një shtet tjetër nga ai ku kanë lindur

Për 25 minuta në barazimin 1-1 mes Marokut dhe Brazilit më 13 qershor, në historinë e Kupës së Botës u regjistrua një moment i pazakontë: në atë pjesë të ndeshjes, asnjë prej futbollistëve marokenë që ndodheshin në fushë nuk kishte lindur në Marok.

Botërori 2026 po sjell shifrën më të lartë të regjistruar ndonjëherë të lojtarëve që luajnë për një kombëtare tjetër nga vendi i tyre i lindjes.

Të lidhura

None found

Të dhënat zyrtare të FIFA-s tregojnë se afërsisht 23% e futbollistëve në këtë turne kanë lindur jashtë shtetit që përfaqësojnë.

Studimet e Universitetit të Oksfordit tregojnë se kjo përqindje ka lëvizur mes 2% dhe 14% për shumë dekada. Në Botërorin 2022 ajo shkoi në 16.5%, ndërsa në vitin 2026 ka kaluar mbi 23%, konkretisht 289 lojtarë nga 1.248 në total.

Profesori holandez Gijsbert Oonk, njohës i migrimit dhe identitetit, e konsideron këtë zhvillim si një reflektim të qartë të realitetit bashkëkohor.

“Pothuajse 4% e popullsisë së botës jeton në një shtet ku nuk ka lindur. Kjo përqindje është edhe më e lartë tek profesionistët e kualifikuar dhe sportistët elitarë. Futbolli thjesht pasqyron këto lëvizje migratore”, shpjegon ai.

Nga 48 përfaqësueset pjesëmarrëse në Botërorin 2026, vetëm tetë nuk kanë në skuadër asnjë futbollist të lindur jashtë vendit të tyre.

Një nga shembujt më ekstremë është debutuesja Curaçao, ku vetëm një nga 26 lojtarët ka lindur në ishullin karaibik, ndërsa shumica dërrmuese e ekipit ka lindur në Holandë.

Në krahun tjetër, Katari përfshin futbollistë me origjinë nga 10 vende të ndryshme, mes tyre shtete nga Afrika, Evropa dhe Amerika e Jugut.

Mes rasteve më të njohura në këtë Botëror është Michael Olise. Sulmuesi, i lindur dhe rritur në Londër, vendosi të luajë për Francën, vendin nga vjen nëna e tij.

Një histori e ngjashme vjen edhe nga Shtetet e Bashkuara. Antonee Robinson ka lindur në Angli, por mban fanellën e SHBA-së falë origjinës së babait të tij.

Një prej episodeve më të spikatura të këtij edicioni është ai i Ibrahim Mbaye. Sulmuesi i lindur në Francë realizoi për Senegalin në humbjen 3-1 përballë Francës, duke u kthyer në një tjetër simbol të futbollistëve që zgjedhin prejardhjen familjare përpara vendit ku kanë lindur.

Ky rast sjell ndër mend edhe ngjarjen e vitit 2022, kur Breel Embolo, sulmuesi i Zvicrës i lindur në Kamerun, u bë lojtari i parë në historinë e Kupës së Botës që shënonte ndaj vendit të tij të lindjes. Në vend që të festonte, ai ngriti duart si shenjë respekti për origjinën e tij.

Botërori 2026 ka prodhuar edhe histori të rralla brenda familjeve, pasi katër çifte vëllezërish po përfaqësojnë kombëtare të ndryshme.

Desire Doue luan për Francën, ndërsa Guela Doue për Bregun e Fildishtë.

Nico Williams përfaqëson Spanjën, kurse Inaki Williams Ganën.

Harry Souttar është pjesë e Australisë, ndërsa John Souttar i Skocisë.

Derrick Luckassen luan për Ganën, ndërsa Brian Brobbey për Holandën.

Para vitit 2026, një rast i tillë ishte parë vetëm me vëllezërit Boateng, Jerome dhe Kevin-Prince, që përfaqësuan Gjermaninë dhe Ganën në Botërorët 2010 dhe 2014, madje u përballën me njëri-tjetrin në të dyja turnetë.

Kur FIFA u krijua në vitin 1904, nuk kishte rregulla të mirëpërcaktuara për përfaqësimin kombëtar dhe futbollistët mund të luanin për cilindo shtet që dëshironin.

Shembulli më i njohur mbetet Luis Monti. Argjentinasi luajti finalen e Botërorit 1930 me Argjentinën dhe katër vjet më pas fitoi trofeun me Italinë. Ai mbetet ende futbollisti i vetëm që ka luajtur në finale të Kupës së Botës me dy kombëtare të ndryshme.

Në vitin 1962, FIFA vendosi kriteret e para të qarta mbi shtetësinë, ndërsa në vitin 2004 lejoi ndërrimin e kombëtares për lojtarët që kishin luajtur vetëm me ekipet e moshave.

Sot, një futbollist mund të luajë për një shtet nëse ka prind ose gjysh të lindur aty, ose nëse ka jetuar të paktën pesë vite në atë vend.

Këto ndryshime rregullash kanë ndihmuar veçanërisht vendet me diasporë të madhe, si Maroku.

Gjatë viteve 2010, Federata Marokene ngriti një rrjet vëzhguesish në Francë, Holandë dhe Belgjikë për të gjetur talente me origjinë marokene.

Kjo qasje luajti rol kyç në ecurinë historike të Marokut në Botërorin 2022, kur u bë kombëtarja e parë afrikane që siguroi një vend në gjysmëfinale.

Në çerekfinalen me Spanjën, dy nga tre lojtarët që shënuan penalltitë ishin të lindur jashtë Marokut: Hakim Ziyech në Holandë dhe Achraf Hakimi në Spanjë.

Sipas studiueses Myriam Cherti, ky është shembulli ideal i një shteti që e ka përfshirë diasporën si pjesë thelbësore të projektit të tij futbollistik.

Zgjedhja e një kombëtareje nuk përcaktohet vetëm nga karriera sportive, por shpesh ndikohet edhe nga lidhjet emocionale, familjare dhe kulturore.

Ibrahim Mbaye, i cili kishte përfaqësuar Francën në të gjitha grupmoshat, vendosi në moshën 17-vjeçare të luante për Senegalin.

“Nuk do të pendohem kurrë për zgjedhjen e Senegalit, sepse ishte një vendim i zemrës”, deklaroi ai.

Edhe më parë ka pasur raste të ngjashme. Pepe, legjenda e Portugalisë, refuzoi një ftesë nga Brazili dhe zgjodhi Portugalinë, vendin ku u formua si futbollist profesionist.

Megjithatë, ajo që njihet si “zgjedhja e flamurit” vazhdon të mbetet objekt debati.

Ish-presidenti i FIFA-s, Sepp Blatter, kishte paralajmëruar vite më parë se natyralizimet në masë mund të ndryshonin identitetin e kombëtareve.

Edhe mes tifozëve mendimet janë të ndara. Një pjesë mendojnë se ekipet kombëtare e humbasin lidhjen me popullin kur mbështeten shumë te lojtarët e lindur jashtë vendit, ndërsa të tjerë argumentojnë se futbollistët duhet të kenë të drejtën të përfaqësojnë vendin me të cilin ndihen më të lidhur.

Një gjë mbetet e qartë: Botërori 2026 po tregon se futbolli modern është gjithnjë e më shumë një pasqyrë e migrimit, globalizimit dhe identiteteve të shumëfishta që karakterizojnë botën e sotme.

të fundit

Luis Hasa pranë një tjetër aventure në Itali, Avellino interesohet për mesfushorin e Shqipërisë pas rikthimit te Napoli

Luis HasaLuis Hasa do të mbyllë huazimin e tij te Carrarese më 30 qershor dhe do të rikthehet te Napoli…

2 minutes ago

Despotovski: Propozimi francez u pa si shans për ta çuar procesin deri në përfundim

Anëtari i LSDM-së dhe ish-drejtori i TIRZ-së, Jovan Despotovski, nuk pajtohet se qeveria e mëparshme ishte servile ndaj Bullgarisë dhe…

3 minutes ago

Tuchel hedh poshtë varësinë e Anglisë nga Kane pas 0-0 me Ganën

Thomas Tuchel ka mohuar se Anglia është tepër e varur nga Harry Kane për golat, pasi “Tre Luanët” nuk arritën…

4 minutes ago

Kim Jong Un njofton avancimin e marinës së Koresë së Veriut me armë bërthamore dhe anije luftarake 10 mijë tonëshe

Kim Jong Un deklaroi se Koreja e Veriut po ecën përpara me planin për ta pajisur marinën e saj me…

4 minutes ago

Shumica e makinave më “amerikane” dalin nga prodhues të huaj

Në një kohë kur tarifat dhe tregtia janë në qendër të debatit, rezulton se shumë prej makinave më "amerikane" prodhohen…

7 minutes ago

Mercedes po përgatit një gjeneratë të re elektrifikuar që e quan “V8-i i motorëve elektrikë”

Sipas raportimeve të portalit të specializuar të automobilizmit Revija HAK, Mercedes po përgatitet për një fazë të re të zhvillimit…

7 minutes ago