Teksa afati për Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030” po vjen dhe presioni mbi institucionet përgjegjëse për përfundimin e përgatitjeve sa më shpejt është në rritje, përplasjet mes qeverisë qendrore dhe asaj komunale kanë thelluar frikën se Kosova mund të humbasë të drejtën e organizimit të ngjarjes që konsiderohet më e madhja sportive në historinë e vendit.
None found
Komiteti Ndërkombëtar i Lojërave Mesdhetare (ICMG) i dërgoi më 15 tetor një shkresë kryeministrit Albin Kurti, kryetarit të Prishtinës Përparim Rama dhe kreut të Komitetit Olimpik të Kosovës Ismet Krasniqi, ku shprehte shqetësimin për faktin se Kosova nuk po i plotëson zotimet financiare, administrative dhe kontraktuale.
Në dokumentin që Rama e bëri publik në profilin e tij në Facebook, ICMG-ja vë në dukje se garancitë bankare të parapara për janarin dhe qershorin nuk janë paguar ende, pa dhënë detaje të mëtejshme për këtë çështje. Po ashtu, bëhet e ditur se Komiteti Ekzekutiv do të diskutojë “neglizhencat” e Kosovës në mbledhjen e 19 dhjetorit.
ICMG-ja njoftoi gjithashtu se do të shqyrtohet një propozim për thirrjen e Asamblesë së Jashtëzakonshme të Përgjithshme, ku do të vendosej fatin i Lojërave Mesdhetare 2030.
Kjo nënkupton se, në mungesë të zgjidhjes së problemeve deri në atë datë, ICMG-ja mund t’ia tërheqë Kosovës të drejtën e organizimit të kësaj ngjarjeje.
Rama e akuzoi kryeministrin Kurti se po e “vë në rrezik” realizimin e lojërave për shkak të mungesës së koordinimit dhe “injorimit” të kërkesave të ICMG-së. Sipas Bekim Salihut, analist i politikave në Institutin GAP në Prishtinë, konfliktet mes nivelit qendror dhe atij lokal mund të kenë pasoja të drejtpërdrejta dhe të rënda në organizimin e tyre.
“Një ngjarje e këtyre përmasave kërkon një varg vendimesh pa ndërprerje: financa, prona, planifikim, leje, tenderë dhe përgatitje. Nëse një hallkë bllokohet, e gjithë zinxhiri vonohet”, u shpreh Salihu për Radion Evropa e Lirë (REL).
Aktualisht, në qendër të kontesteve të brendshme ndodhet një aneks që u shtua në dhjetor të vitit 2025 në marrëveshjen fillestare të nënshkruar në vitin 2023 mes ICMG-së dhe Kosovës për organizimin e Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”.
Tri institucione kanë përgjegjësi për këto lojëra: Ministria e Sportit në emër të Qeverisë së Kosovës, Komuna e Prishtinës si qytet organizator dhe Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK).
Sipas Fidan Shatrit, drejtor në Agjencinë e Sportit në Ministrinë e Sportit, ky aneks u firmos nga komuna e Prishtinës, KOK-u dhe ICMG-ja, por jo edhe nga Ministria e Sportit.
Megjithatë, në shkresën e saj, ICMG-ja i referohet pikërisht këtij aneksi si burim i detyrimit financiar të vitit aktual, i cili ende nuk është përmbushur. ICMG-ja nuk specifikoi shumën e garancisë bankare të papaguar për janarin dhe qershorin 2026, por Shatri bëri të ditur se bëhet fjalë për afërsisht 2 milionë euro.
“Aneksi solli pasoja financiare. Në atë periudhë iu kisha paralajmëruar se para nënshkrimit duhej marrë vlerësimi i Ministrisë së Financave dhe Qeverisë, sepse ka të bëjë me ndikime financiare në kontratë. Nuk më dëgjuan”, tha Shatri për REL. Qeveria ka ndarë 250 milionë euro për lojërat përmes një ligji që tashmë është miratuar në Kuvend.
Shatri shtoi se çështja e aneksit mund të zgjidhet, pasi Qeveria nuk refuzon detyrimin financiar, por nuk pajtohet me procedurën e nënshkrimit të aneksit. Ai vuri në dukje edhe periudhën e bllokadës institucionale gjatë dy vjetëve të fundit, kur nuk kishte qeveri funksionale.
“Por duhet kohë sepse flitet për disa miliona euro dhe procedurat buxhetore kërkojnë kohë”, deklaroi Shatri për REL.
Komuna e Prishtinës, KOK-u dhe ICMG-ja nuk iu përgjigjën kërkesës së REL-it për koment.
Përveç mungesës së garancisë bankare, ICMG-ja e kritikoi Kosovën edhe për neglizhencë në takime dhe komunikim.
Ajo tregoi se Komiteti Organizativ i Lojërave Mesdhetare, që përfshin anëtarë të Qeverisë, KOK-ut dhe Komunës së Prishtinës, nuk iu përgjigj letrës së saj të shtatorit.
Sipas Salihut, mospagesa dhe heshtja në komunikim janë tregues të qartë se mekanizmi drejtues nuk po funksionon siç duhet.
“Garancia financiare nuk është thjesht një formalitet: ajo dëshmon se angazhimi politik mbështetet nga siguria financiare. Në aspektin e rezultateve, ky do të ishte një dështim i koordinimit institucional”, tha ai për REL.
Më parë pati gjithashtu mospajtime mes pushtetit qendror dhe atij lokal lidhur me organizimin e lojërave, si në rastin e Fshatit Mesdhetar, një kompleks i domosdoshëm për strehimin e rreth 5.000 sportistëve nga afro 26 shtete pjesëmarrëse.
Fillimisht u propozuan dy projekte: njëri nga Ministria dhe tjetri nga Komuna e Prishtinës.
Në tetor të vitit të kaluar, Rama prezantoi një projekt që e quajti “fshati olimpik”, duke treguar se ishin ndarë 60 hektarë tokë në Bërnicë, në periferi të kryeqytetit, për këtë qëllim. Megjithatë, Qeveria nuk e miratoi projektin.
Nga ana tjetër, Ministria e Sportit po përgatit Fshatin Mesdhetar në qendër të kryeqytetit, në Qendrën e Studentëve.
Projekti përfshin konviktet, palestrën “1 Tetori”, mensën e studentëve, qendrën e shërbimeve shëndetësore dhe objektet e tjera shoqëruese. Ai përfshin edhe sallat e edukatës fizike të 12 shkollave të kryeqytetit.
Rama e kritikoi gjithashtu Kurtin për përpjekjet për t’i riemërtuar Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030” në “Kosova 2030”.
Rama, i njohur për qëndrimin e tij kritik ndaj qeverisë dhe kryeministrit Kurti, së fundmi ka shprehur edhe ambicien për ta sfiduar atë në zgjedhjet e ardhshme nacionale.
Zyra e Kurtit për media nuk pranoi t’i komentojë deklaratat e Ramës kur u pyet nga REL-i.
Salihu thotë se as Komuna nuk mund ta përdorë projektin thjesht për të akuzuar Qeverinë, as Qeveria nuk mund ta trajtojë bashkëpunimin me kryeqytetin si favor ndaj kryetarit të tij.
“Ambicia e një kryetari komune për t’u bërë kryeministër dhe kritika ndaj Qeverisë janë pjesë legjitime e konkurrencës dhe ambicies demokratike. Por, kur debati mbizotërohet nga akuza personale dhe gara për merita, ndërsa vendimet për pronën, financimin dhe afatet lihen pezull, projekti rrezikon të kthehet në platformë fushate”, thekson Salihu.
Shatri i tha REL-it se Rama po i shfrytëzon Lojërat Mesdhetare “për pikë politike”.
“Mendoj se asnjë politikan nuk mund t’i përdorë Lojërat Mesdhetare për përfitime personale politike, sepse këto lojëra do të zhvillohen në shumë komuna dhe jo vetëm në një”, tha Shatri për REL.
Lojërat Mesdhetare janë një ngjarje shumësportëshe që mbahet çdo katër vjet dhe renditet si më e rëndësishmja pas Lojërave Olimpike. Kosova do t’i organizojë ato për herë të parë — nga 24 korriku deri më 4 gusht 2030 — në atë që do të ishte ngjarja më e madhe sportive e mbajtur ndonjëherë në vend.
Kosova ka afat deri në vitin 2029 për të përfunduar të gjitha punët organizative dhe infrastrukturore, në mënyrë që të jetë gati për vitin pasues.
Shatri i tha REL-it se një masterplan tashmë është hartuar dhe duhet të miratohet nga Komiteti Organizativ i Lojërave Mesdhetare, e më pas t’i dërgohet ICMG-së. Masterplani përcakton pamjen e infrastrukturës dhe vendet ku do të zhvillohen garat sportive.
Punimet po vijojnë në disa objekte sportive, si Stadiumi “Adem Jashari” në Mitrovicë, i cili është olimpik dhe shumëfunksional. Megjithatë, nuk dihet se kur do të përfundojnë punimet në këtë stadium që pritet të ketë rreth 18 mijë vende.
Ndërsa për Fshatin Mesdhetar, Shatri tha për REL se është miratuar kredia prej 42 milionë euro me Agjencinë Financiare të Zhvillimit Francez.
“Së shpejti do të hapet tenderi për projektin e rinovimit dhe ndërtimit të Qendrës së Studentëve, bashkë me palestrën ‘1 Tetori’”, tha ai, duke shtuar se pret që punimet të fillojnë “diku në fillim të vitit 2027”.
Pallati i Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë është një nga qendrat kryesore multifunksionale, ku parashikohet të zhvillohen sportet në ambiente të mbyllura gjatë Lojërave Mesdhetare 2030. Shatri tha se Kosova është në negociata me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe se së shpejti do të nënshkruhet edhe kredia për rindërtimin e Pallatit të Rinisë.
Ndërkohë, pishina e mbyllur olimpike në Podujevë për garat e notit në Lojërat Mesdhetare 2030 tashmë është në ndërtim e sipër.
Megjithatë, një nga objektet ndoshta më thelbësore — stadiumi kombëtar — ende nuk ka filluar të ndërtohet.
Sipas Ministrisë së Sportit, as vendndodhja e stadiumit nuk është përcaktuar ende. Një opsion mbetet Zona Industriale në Drenas, ndërsa Bërnica përmendet gjithashtu si alternativë. Një stadium i tillë, me të paktën 25.000 vende, është i nevojshëm për ceremoninë zyrtare të hapjes dhe mbylljes së lojërave.
Ndërsa shumë çështje mbeten të pazgjidhura, shumë gjëra mund të qartësohen në dhjetor kur ICMG-ja të mbajë mbledhjen e paralajmëruar.
Salihu thotë se nëse Kosova humbet të drejtat e organizimit për shkak të detyrimeve të papërmbushura dhe përplasjeve ndërinstitucionale, kjo do të dëshmonte se “institucionet janë më të afta të prodhojnë konflikte, akuza dhe gara për protagonizëm sesa të realizojnë një projekt me interes shtetëror”.
“Të fitosh një mundësi të tillë ndërkombëtare dhe pastaj ta rrezikosh për shkak të paaftësisë për t’u koordinuar është papërgjegjësi ndaj qytetarëve, sportistëve dhe besimit që i është dhënë vendit”, thotë Salihu.
Megjithatë, ai shton se përgjegjësia nuk mund të shpërndahet thjesht me formulën “të gjithë kanë faj”, sepse “duhet të identifikohet kush nuk i përmbushi detyrimet, kush e bllokoi vendimmarrjen dhe kush e vendosi interesin politik mbi atë publik”.
FIFA ka marrë përsipër të ndryshojë nenin 27 të rregullores së saj disiplinore, pas pyetjeve të ngritura nga Federata Belge…
Detaje të reja janë bërë me dije lidhur me gjendjen shëndetësore të Muhamet Skanës, të riut që u dhunua nga…
Një situatë vërtet komike kjo që shfaqet në video për deputetin e PD, Klevis Balliu, i cili është marrë në…
63 personat e arrestuar gjatë dy ditëve të fundit, në kuadër të protestave në Tiranë, do të dalin nesër para…
Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, ka njoftuar se institucionet përgjegjëse për situatën me mbeturinat në Prishtinë janë…
Policia e Kosovës ka konfirmuar suspendimin e tre zyrtarëve policorë të Stacionit Policor Jugu në Prishtinë, të dyshuar për ngacmim…