Jérémy Mathieu, ish-mbrojtësi i Barcelonës dhe i Kombëtares së Francës, ka folur për periudhën e vështirë që pasoi mbylljen e karrierës së tij. Francezi ka treguar se për katër vite u përball me depresionin dhe kalonte pjesën më të madhe të kohës i izoluar në shtëpi.
Mathieu, tashmë 42 vjeç, pësoi një dëmtim të rëndë në gju në vitin 2020, kur ishte pjesë e Sporting Lisbonës. Lëndimi e detyroi të largohej nga futbolli i luajtur. Gjatë karrierës, ai kishte veshur fanellat e Sochaux, Toulouse, Valencias dhe Barcelonës, me të cilën triumfoi në Ligën e Kampionëve në vitin 2015.
None found
Në një bisedë me revistën franceze So Foot, ish-futbollisti pranoi se ndërprerja e menjëhershme e karrierës e gjeti të papërgatitur për realitetin jashtë sportit.
“Gjithçka u ndërpre në mënyrë të menjëhershme. Kisha një mbrojtëse në gju dhe mundësitë e mia ishin të kufizuara. U përfshiva nga një spirale negative. Isha në depresion dhe nuk ka arsye ta fsheh. Më mungonin fusha, dhoma e zhveshjes dhe gjithçka me të cilën isha mësuar. Dëmtimi nuk më la kohë të përgatitesha për jetën pas futbollit”, tha ai.
Ish-lojtari francez rrëfeu se për katër vjet kishte humbur dëshirën për aktivitetet e zakonshme, ndërsa bashkëshortja e tij luajti një rol thelbësor në përballimin e asaj gjendjeje.
“Për katër vjet, çdo gjë më dukej e zymtë. Fatmirësisht, gruaja ime qëndroi pranë meje dhe më ndihmoi ta kapërceja atë situatë. Nuk e dija më se çfarë të bëja dhe isha krejtësisht i humbur. Qëndroja në shtëpi gjatë gjithë ditës. Dilja ndonjëherë, por për pak kohë. Ulesha në divan, shikoja televizor dhe përdorja telefonin. Futbolli nuk më interesonte më”, rrëfeu Mathieu.
Një nga hapat që e ndihmoi të rikthehej gradualisht në normalitet ishte nisja e punës në një dyqan pajisjesh sportive pranë Marsejës, ku filloi të punonte rreth dy vjet më parë. Një fotografi e ish-fituesit të Ligës së Kampionëve duke punuar në atë dyqan u përhap gjerësisht në rrjetet sociale dhe shkaktoi reagime të shumta.
Mathieu sqaroi se arsyeja e këtij vendimi nuk ishte nevoja financiare. Sipas tij, puna i shërbeu për t’u rikthyer mes njerëzve dhe për të krijuar një ritëm të ri jetese.
“Ajo punë më ndihmoi të largohesha nga një periudhë e vështirë. Rifitova veten, jetën shoqërore dhe nisa të jetoja sërish. Shumë persona shkruan se kisha falimentuar dhe se nuk i kisha investuar paratë e mia. Klientët më pyesnin çfarë bëja aty, duke qenë se kisha luajtur për Barcelonën dhe kisha fituar shumë para. Por kjo nuk ishte arsyeja”, theksoi ai.
Pas përfundimit të karrierës dhe vështirësive që përjetoi, Mathieu po ndërton tashmë një të ardhme të re në futboll. Ai drejton ekipin U15 të Aix-en-Provence dhe ndjek studimet për t’u pajisur me përgatitjen e nevojshme si trajner profesionist.
Synimi i tij është të punojë një ditë në një akademi futbolli, ku të ndajë përvojën dhe njohuritë e mbledhura gjatë viteve me brezat e rinj.
Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist bëri të ditur se nesër (e enjte) në orën 16:00, në sheshin “Zahir Pajaziti”…
Qatip OsmaniNë javën e 9-të të Superiores, Laçi u ndal në barazimin 1-1 përballë Skënderbeut [...]Read More...
Interi ka shënuar fitore me rezultat 2-0 ndaj Venezias, në kuadër të xhiros së nëntë të Serie A, në një…
Regjisori iranian, Jafar Panahi, fitues i Palmës së Artë në Festivalin e Filmit në Kanë, është dënuar me pesë vite…
Avokati i Popullit ka shkuar në burgun e Fierit për të inspektuar ligjshmërinë e transferimit dhe të mbajtjes në izolim…
Deputeti socialist Erion Braçe ka reaguar për paketën e masave fiskale që pritet të zbatohet nga 1 janari 2027. Ai…