Dinamo përgatitet për sfidën e radhës ndaj Pafos, e vlefshme për raundin e parë “play-off” të Conference League. Në konferencën për shtyp para ndeshjes, trajneri Ilir Daja foli për vështirësinë e takimit, gjendjen e skuadrës dhe synimin për të dhënë maksimumin.
Daja theksoi se futbolli i përball të tria rezultatet, por beson se faktori fushë dhe mbështetja e tifozëve mund ta ndihmojnë Dinamon të zhvillojë një ndeshje të denjë. Ai kujtoi edhe përkrahjen e madhe që skuadra kishte në ndeshjen e kaluar ndaj Audës, duke shprehur dëshirën që tifozët të shpërblehen me një paraqitje të bukur, edhe pse niveli i kundërshtarit është i lartë.
None found
“Në çdo ndeshje futbolli ekzistojnë vështirësitë dhe të tria rezultatet. Mendoj se në shtëpinë tonë, me ndihmën e tifozëve, të cilët në takimin e kaluar ndaj Audës ishin edhe më të shumtë, mund të bëjmë diçka për t’ua kthyer mbështetjen atyre që do të vijnë në stadium për të parë një ndeshje të bukur. E dimë se vështirësia është shumë e madhe”, u shpreh tekniku.
Sa i përket gjendjes së lojtarëve, trajneri bëri me dije se nuk ka mungesa, por disa futbollistë janë prekur nga virozat e kësaj periudhe. Sipas tij, pjesa më e madhe e grupit pritet të jetë në dispozicion, ndonëse për ndonjë lojtar minutat mund të jenë të kufizuara. Gjithashtu, 2-3 futbollistë kanë ndjekur terapi për t’u rikuperuar.
“Nuk kemi mungesa, por kemi një situatë virusale, e cila nuk ka kursyer as stafin. Besoj se nesër të gjithë do të jenë në dispozicion, edhe pse ndonjë lojtar mund të ketë një minutazh të limituar për shkak të viruseve që qarkullojnë gjatë këtyre ditëve të verës. Kemi edhe 2-3 lojtarë që kanë qenë në terapi për t’u riaftësuar dhe nesër do të përpiqemi ta menaxhojmë situatën në mënyrën më të mirë të mundshme”, deklaroi Daja.
Trajneri i Dinamos paralajmëroi se ekipi nuk do të fokusohet vetëm te mbrojtja. Skuadra do të kërkojë të sulmojë, por pa humbur ekuilibrat dhe organizimin, pasi Pafos ka si forcë lojën në grup, ashtu edhe futbollistë individualisht të rrezikshëm.
“Nuk do të qëndrojmë në fazën mbrojtëse, por do të tentojmë të sulmojmë. Në fund të fundit, mbrojtja më e mirë është sulmi. Natyrisht që do të kërkojmë të sulmojmë, por gjatë gjithë ndeshjes duhet të ruajmë shkallëzimet dhe ekuilibrat. Pafos, përveçse është një skuadër që funksionon mirë si grup, ka edhe individë me cilësi të larta, të cilët në momente të caktuara mund të bëhen shumë të rrezikshëm. Ne do të përpiqemi të zhvillojmë lojën tonë”, tha ai.
Daja nënvizoi se ambicia është e domosdoshme për të synuar më shumë në këtë kompeticion. “Nëse nuk ke një ëndërr, nuk mund të kërkosh ta kthesh atë në realitet. E kam thënë edhe pas ndeshjes së parë: ndoshta aty ku vështirësia është më e madhe, është edhe më bukur të vazhdosh përpara”, u shpreh trajneri.
Ai vlerësoi gjithashtu eksperiencën e grupit, duke kujtuar se një pjesë e konsiderueshme e futbollistëve kishin qenë edhe sezonin e kaluar në nivele të ngjashme. Sipas tij, pjesëmarrja në “play-off”-in e Ligës së Konferencës është një kënaqësi, veçanërisht për lojtarët që nuk e kanë përjetuar më parë një fazë të tillë.
“Një pjesë e mirë e grupit ka qenë edhe vitin e kaluar në të njëjtat nivele. Është kënaqësi të luash në “play-off”-in e Ligës së Konferencës, pasi ka shumë futbollistë që nuk kanë arritur më parë deri në këtë pikë”, u shpreh Daja.
Eksperienca e lojtarëve, shtoi ai, ndihmon edhe në përballimin e presionit psikologjik që shoqëron një ndeshje të kësaj rëndësie. “Kur në grup ke futbollistë me eksperiencë, nuk është problem i madh të ruash ekuilibrat psikologjikë që kërkon një ndeshje “play-off”-i”, deklaroi trajneri.
Duke folur për rrugëtimin e Dinamos deri në këtë fazë, Daja tha se skuadra e ka merituar pozicionin ku ndodhet, pas përballjeve me Astanën, Audën dhe Aluminin. Megjithatë, ai e konsideroi duelin me Pafos edhe më të vështirë, duke rikujtuar se skuadra qipriote sezonin e kaluar ishte pjesë e grupeve të Champions-it.
“Deri në këtë nivel kemi arritur sepse besoj se e kemi merituar. Kemi zhvilluar ndeshje të forta me Astanën, Audën dhe Aluminin. Tani na pret një përballje edhe më e vështirë me Pafos, që vitin e kaluar ishte në grupet e Champions-it. E dimë se bëhet fjalë për një ndeshje me koeficient të lartë vështirësie. Në fund do të japim gjithçka për të marrë maksimumin nga ndeshja e parë dhe më pas do t’i përballojmë takimet një e nga një”, përfundoi Daja.
Dashi Edhe pse do të mundoheni të ndërveproni me disa persona njëkohësisht për të harruar një ngjarje të kohëve të…
Harry Maguire ka deklaruar se në kampin e Manchester Unitedit ekziston besimi se skuadra mund të luftojë për titullin e…
NATO tha sot se është e gatshme të adresojë çdo kërcënim në përgjigje të raporteve se Irani po konsideron të…
Emiratet e Bashkuara Arabe, një partner kryesor tregtar i Iranit, po pezullon të gjitha transaksionet tregtare dhe financiare me Republikën…
Ish-kampioni britanik i sprintit dhe fituesi i medaljes së artë në Lojërat e Komonuelthit, Leon Baptiste, ndodhet në burg në…
Ka përfunduar protesta e 81 kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama. Me thirrjet “Arrestoni Ramën, arresto Ballukun”; “Shqipëria kërkon revolucion”,…