Kapiteni i Vushtrrisë, Daut Maxhuni, ka komentuar fitoren e parë të ekipit në Superligën e Kosovës, vështirësitë që e kanë shoqëruar klubin dhe vendimin e tij për të mos u larguar, pavarësisht problemeve të krijuara në nisje të sezonit.
None found
Pas shtatë humbjeve të njëpasnjëshme, Vushtrria arriti suksesin e parë në këtë edicion të Albi Mall Superligës së Kosovës, duke triumfuar 1-0 ndaj Gjilanit në kuadër të xhiros së tetë.
Në bisedën për Telegrafin, Maxhuni e cilësoi këtë fitore si veçanërisht të rëndësishme për skuadrën. Ai shpreson që tri pikët e fituara të përmirësojnë gjendjen brenda ekipit dhe t’u japin lojtarëve më shumë besim për sfidat e radhës.
“Është një fitore shumë e rëndësishme, e cila erdhi në kohën më të përshtatshme për ne, pasi në fillim të kampionatit u përballëm me shumë probleme. Besoj se ky rezultat do të ketë ndikim pozitiv te ekipi”, deklaroi Maxhuni.
Sipas kapitenit, mungesa e stadiumit dhe kushtet e papërshtatshme për përgatitje kanë ndikuar ndjeshëm në paraqitjet e skuadrës. Ai kujtoi se tifozët dhe fusha vendase kanë qenë ndër mbështetjet kryesore të Vushtrrisë.
“Tifozët dhe stadiumi ynë kanë qenë gjithmonë frymëzimi dhe arma më e fortë e klubit. Nuk ka dyshim se mungesa e tyre na ka penalizuar. Për më tepër, kushtet ku po stërvitemi aktualisht nuk janë aspak të mira, sepse në stadium kanë nisur punimet. Po përballemi me shumë vështirësi”, u shpreh ai.
Maxhuni pret që të gjendet një zgjidhje për fushën në Dobërllukë, në mënyrë që Vushtrria t’i zhvillojë ndeshjet e pranverës në rolin e vendasit.
Edhe pse situata ishte e vështirë, kapiteni zgjodhi të qëndronte te klubi në këtë periudhë delikate. Ai theksoi se lidhja me Vushtrrinë, e krijuar që në fëmijëri, ishte një nga arsyet kryesore të vendimit të tij.
“Gjatë rrugëtimit kemi kaluar vështirësi shumë të mëdha dhe kemi pasur ambicie të ndryshme, por kësaj radhe rrethanat kanë qenë krejtësisht ndryshe. Në fillim të sezonit gjendja në klub nuk ishte e mirë, për arsye që dihen, mirëpo nuk dëshiroja të largohesha dhe ta lija klubin në atë gjendje. Dashuria që kam pasur për të që nga fëmijëria, së bashku me rrethana të tjera, më shtyu të qëndroja besnik”, tha vushtrriasi.
Në përfundim, Maxhuni kërkoi angazhim më të madh nga të gjithë, duke vënë në dukje se interesat e klubit duhet të jenë më të rëndësishme se ato personale. Ai vlerësoi se fitorja ndaj Gjilanit ka sjellë ndryshim pozitiv në atmosferën e ekipit dhe në qytet.
“Lojtarët dhe individët largohen, ndërsa klubi mbetet mbi të gjithë. Në këtë situatë ku ndodhet Vushtrria, nevojitet mobilizim shumë më i madh. Pas fitores së fundit, atmosfera te futbollistët dhe në qytet është përmirësuar. Shpresojmë që në ndeshjet e ardhshme të arrijmë rezultate edhe më të mira, ndonëse rruga përpara nuk do të jetë e lehtë”, shtoi Maxhuni.
Me fitoren e parë në tetë xhirot e zhvilluara, Vushtrria synon ta përdorë këtë rezultat si pikënisje për një seri më të mirë dhe për të përmirësuar pozicionin në tabelën e Superligës së Kosovës.
Ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca ka takuar ministrin e Punëve të Jashtme të Estonisë, Margus Tsahkna, në kuadër…
Veteranët, Fadil Zogaj dhe Ekrem Selimi janë liruar të hënën, pasi Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti i Përgjithshëm, Divizioni…
Nisja e punimeve në autostradën Bukojçan-Kërçovë shënon një zhvillim të rëndësishëm në realizimin e Korridorit 8 dhe në forcimin e…
Njëmbëdhjetë persona janë deklaruar të pafajshëm në seancën fillestare në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, në rastin ku dy kirurgë të…
Ditën e sotme, protesta e studentëve dhe të rinjve para Ministrisë së Arsimit në Tiranë është shoqëruar me tensione, pasi…
Bashkimi Europian po planifikon të vendosë mekanizma të rinj mbrojtës për vendet që do t’i bashkohen bllokut, duke parashikuar mbikëqyrje…