shqiperi

15-vjetori i anëtarësimit në NATO, Begaj: Moment krenarie për Shqipërinë

Presidenti, Bajram Begaj në ceremoninë e 15-vjetorit të anëtarësimit në NATO u shpreh se Anëtarësimi në NATO është një moment krenarie për Shqipërinë.

FJALA E PRESIDENTIT BEGAJ NË CEREMONINË E 15-VJETORIT TË ANËTARËSIMIT NË NATO

Historia e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO është pjesë e rrugëtimit të popullit tonë drejt ndërtimit të një shoqërie bazuar në parimet e demokracisë dhe lirisë.

Ajo mishëron konfirmimin e përkatësisë sonë identitare dhe kulturore në bashkësinë Euroatlantike.
Natyrisht, procesi i anëtarësimit nuk ishte i lehtë. Ai kërkonte përkushtim, sakrificë dhe dëshirë të palëkundur për të ndryshuar.

Anëtarësimi në NATO është një moment krenarie për Shqipërinë.
Ai shënoi një arritje të madhe në udhëtimin tonë drejt integrimit në strukturat Euroatlantike dhe u bë dëshmi e qartë e angazhimit tonë për vlerat dhe parimet e demokracisë.

Si anëtare e NATO-s, Shqipëria ka treguar se edhe vendet e vogla mund të luajnë një rol të rëndësishëm në ruajtjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare.
Kontributi ynë në misionet paqeruajtëse dhe përpjekjet tona për të rritur kapacitetet ushtarake janë dëshmi e qartë e këtij roli.

Anëtarësimi ynë në NATO nuk ka qenë vetëm një angazhim ushtarak. Ai ka qenë, gjithashtu, përkushtim për të ndarë një bashkësi vlerash.

Ne kemi punuar për të forcuar sundimin e ligjit, për të luftuar korrupsionin dhe për të mbrojtur të drejtat dhe liritë themelore të njeriut.
Këto janë jo vetëm vlera të NATO-s, por janë, gjithashtu, thelbësore për të ardhmen e demokracisë dhe përparimit në Shqipëri.
Vendosmëria e Shqipërisë për të kontribuar në siguri dhe mbrojtje tregon se jemi një partner i besueshëm dhe i përkushtuar në Aleancën Euroatlantike.
Ne e kuptojmë dhe e dimë se siguria nuk është vetëm një çështje ushtarake, por kërkon stabilitet politik, zhvillim ekonomik dhe respektim të të drejtave të njeriut.

Angazhimi ynë ndaj NATO-s është i pakushtëzuar dhe tregon se jemi të gatshëm të marrim pjesë jo vetëm për mbrojtjen e kufijve tanë, por edhe për të ndihmuar e kontribuar në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon e më gjerë.

Ndërsa festojmë këtë 15-vjetor, është e rëndësishme të kujtojmë se anëtarësimi ynë në NATO nuk është një destinacion, por një udhëtim i vazhdueshëm.

Ne duhet të vazhdojmë të punojmë për të forcuar demokracinë, të investojmë në kapacitetet tona ushtarake e civile mbrojtëse, si dhe të bashkëpunojmë me partnerët tanë për të ndërtuar një të ardhme më të sigurt e më të qëndrueshme për të gjithë.

Shqipëria në NATO ishte objektivi ynë parësor dhe synimi ynë strategjik.
Prania jonë në Aleancë i shërben mbrojtjes së vendit nga kërcënimet e jashtme dhe kontribuon në ndërtimin e një rajoni më të sigurt e më të qëndrueshëm.

Këtë vit përkujtuam 25-vjetorin e çlirimit të popullit të Kosovës falë ndërhyrjes së NATO-s nën udhëheqjen e SHBA-ve. Kombi shqiptar nuk do ta harrojë kurrë këtë.

Vendosmëria e NATO-s për të mos lejuar spastrimin etnik për shqiptarët e Kosovës, sot merr një vlerë të jashtëzakonshme.
Jetojmë në një kohë ku tensionet gjeopolitike janë në rritje dhe sfidat e sigurisë janë bërë më të ndërlikuara.

Qenia jonë në NATO është një udhërrëfyes për Shqipërinë në ruajtjen e vlerave demokratike, për mbrojtjen e interesave kombëtare dhe për kontributin për një botë më të sigurt e të qëndrueshme.

Aleanca Euroatlantike është e vendosur të mbrojë lirinë dhe sigurinë e aleatëve. Mbrojtja kolektive është përgjigjja më e mirë ndaj çdo kërcënimi dhe rreziku të mundshëm.

Shqipëria do të vijojë të kontribuojë në mënyrë të qenësishme me pjesëmarrje aktive dhe përgjegjshmëri të lartë në kryerjen e misioneve ku do të jemi pjesë.

Nga ana tjetër, edhe aleatët kanë treguar besim te Shqipëria.
Kjo është parë dukshëm edhe në investimin më të fundit të Aleancës në Bazën Ajrore Taktike në Kuçovë.
Kjo përbën një tjetër shtysë që të vazhdojmë me modernizimin e forcave ushtarake dhe rritjen e kapaciteteve mbrojtëse dhe të sigurisë.

Të nderuar të pranishëm,
Sot ne festojmë 15-vjetorin e anëtarësimit në Aleancën më të fuqishme politiko-ushtarake në botë, e cila ka arritur që, prej 75 vjetësh, të mbrojë vlerat e përbashkëta të lirisë dhe demokracisë.

Sot, ne rikonfirmojmë përkushtimin tonë ndaj vlerave të NATO-s dhe angazhimin për paqe, siguri dhe përparim.
Si anëtare e kësaj Aleance, Shqipëria do të vazhdojë të jetë një zë i fuqishëm për demokracinë, një mbështetëse e paqes dhe një kontribuese e palëkundur në mbrojtjen e vlerave që ne të gjithë ndajmë dhe dëshirojmë.

Falënderojmë aleatët tanë në NATO dhe në veçanti partnerin tonë strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për mbështetjen e vazhdueshme dhe udhëheqjen e tyre.

Sot, unë jam krenar për Forcat e Armatosura dhe shpreh mirënjohjen time për punën e jashtëzakonshme të efektivëve dhe ushtarakëve, të cilët, me përkushtimin e tyre, kanë nderuar Shqipërinë.

Ata meritojnë të kenë të gjithë mbështetjen tonë si shoqëri, që të mund të vazhdojnë të përmbushin misionin e tyre fisnik.
Në mbyllje, dëshiroj të shpreh kënaqësinë dhe gëzimin që më jep prania e nxënësve në këtë aktivitet.

Ne kemi nevojë që fëmijët dhe të rinjtë tanë të edukohen me dashuri për atdheun, sepse mbrojtja e paqes kërkon njerëz aktivë, që e duan Shqipërinë dhe janë të ndërgjegjshëm se vigjilenca dhe përgatitja janë çmimi i lirisë.
Ta gëzojmë 15-vjetorin dhe shumë përvjetorë të tjerë të Shqipërisë në NATO!
Së bashku, më të fortë!

të fundit

Iu gjetën a*më në makinë, ndalohet në Qafë Thanë shtetasi polak

Një shtetas polak është ndaluar në pikën kufitare të Qafë Thanës, pasi ka tentuar të kalojë kufirin me armë në…

2 hours ago

“Nëse mendoni se më keni parë”, Dafina Zeqiri paralajmëron rikthimin me surpriza pas pauzës së shkurtër

Dafina Zeqiri ka bërë një pauzë të shkurtër nga muzika për t’i kushtuar jetës personale pas lindjes së djalit të…

3 hours ago

Vajza shqiptare mahnit jurinë, shkëlqen në spektaklin gjerman të talenteve muzikore (VIDEO)

Një vajzë shqiptare, 20-vjeçarja nga Kosova, Aulona Morina rrëmbeu vëmendjen dhe admirimin e jurisë në spektaklin gjerman të talenteve muzikore,…

3 hours ago

Sh*rr në Ksamil/ Tre persona konfliktohen për marrjen me qira të një Jet-ski (EMRAT)

Një sherr mes tre personave ka ndodhur mbasditen e sotme në Ksamil. Mësohet se konflikti ka nisur për marrjen me qira…

3 hours ago

Sot Mirdita nderon martirët e 17 Gushtit 1949/ Berisha: Nderim të përjetshëm martirëve të lirisë

Në 76-vjetorin e masakrës së Qafë Valmirit, Mirdita ka nderuar sot kujtimin e 14 martirëve të pushkatuar dhe varur nga…

4 hours ago

Europa në krah të Zelenskyt! Trump planifikon takim trepalësh me Putin, presidenti ukrainas takon Von Der Leyen

Presidenti amerikan Donald Trump po planifikon të organizojë një samit trepalësh me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky dhe presidentin rus Vladimir…

5 hours ago