E ftuar në emisionin “Goca dhe Gra” në Top Channel, Jonida Maliqi ka ndarë detaje nga rrugëtimi i saj me djalin, Danin, për të cilin ka bërë të ditur më herët se është diagnostikuar me spektrin e autizmit.
Këngëtarja foli për zhvillimin e të birit, vështirësitë me të cilat është përballur ndër vite, si dhe për përvojën e dhimbshme me psikologen e parë që e vlerësoi Danin. Ajo ndau gjithashtu edhe detaje për problemet dhe procesin gjyqësor me ish-bashkëshortin.
None found
“Nuk e kisha menduar kurrë se do të kisha një forcë të tillë. Nuk e dija që do të isha në gjendje të çaja male për të. Dani më ka bërë një njeri më të plotë. Tani është adoleshent dhe kemi kaluar një rrugë të bukur, me ulje dhe ngritje. Më kishin paralajmëruar se adoleshenca do të ishte e vështirë, por falë Zotit ai ka bërë shumë përparim. Ai merr dashurinë e prindërve, të gjyshërve dhe të gjithë jemi pranë tij. Sot jam këtu dhe flas hapur”, u shpreh Maliqi.
Ajo tregoi se e kishte kuptuar që në fillim se Dani ishte ndryshe nga fëmijët e tjerë, por se për një kohë të gjatë e pati të vështirë ta ndante këtë realitet publikisht.
“Që në momentet e para e kam pranuar se Dani ishte ndryshe nga fëmijët e tjerë, megjithatë ishte shumë e vështirë ta thosha hapur. Në fund të vitit 2015 shkuam te një psikologe dhe, pas gjysmë ore, ajo na tha se nuk ishim prindër të denjë dhe na pyeti se si e kishim lënë djalin në atë gjendje. Sipas saj, ai nuk do të fliste kurrë dhe nuk do të socializohej”, rrëfeu këngëtarja.
Pas kësaj përvoje, familja iu drejtua një qendre tjetër, asaj të Liri Berishës. Maliqi tha se me mbështetjen e një ekipi prej 5 mjekësh, Dani sot flet dy gjuhë dhe ndjek shkollën.
Duke iu referuar psikologes Anjeza Dishnica, ajo deklaroi: “Do të doja t’i thosha dy fjalë: ‘Turp të kesh, sepse një prindi, pavarësisht se si është fëmija i tij, nuk i komunikohet në këtë mënyrë’. Ishte mënyra më bastarde e mundshme për ta bërë këtë, aq më tepër kur vinte nga një mjek”.
Maliqi shpjegoi se kishte dashur që çështjet familjare të mbeteshin private, mes saj, Danit dhe babait të tij. Sipas saj, ishte ky i fundit që vendosi të niste procesin gjyqësor për ndarjen.
“Në fillim ishte një ndarje me marrëveshje, por para dy vitesh çështja u bë publike dhe unë shkova në gjykatë për gjëra të ndryshme. E zbuloi media dhe, përballë publikut, ndjeva se kisha një detyrim moral. Sot nuk ia vlen më të flas për këtë; ia kam lënë drejtësisë, pas përpjekjeve të gjata”, tha ajo.
Këngëtarja shtoi se do të reagojë publikisht nëse në të ardhmen do të vërejë se Danit i mohohet ndonjë e drejtë. Ajo theksoi se djali mbetet “epiqendra” e çdo vendimi dhe se komunikimi për të nuk ka munguar asnjëherë.
“Ka platforma dhe, nëse një ditë do të shoh se djalit tim po i mohohet e drejta, do të dal të flas. Djali im është epiqendra dhe nuk ka munguar asnjëherë komunikimi për të. Gjithmonë jam përpjekur të gjej gjuhën e duhur të komunikimit dhe nuk e kisha imagjinuar kurrë se do të flisja sot për këtë. Shpresoj që një ditë të gjejmë gjuhën e përbashkët dhe t’i hapim rrugë një zgjidhjeje”, përfundoi Maliqi.
Mes skandalit të Bankës Alta, pagesat e pagave po vonohen në disa institucione shtetërore, përfshirë kompaninë më të madhe të…
Prokuroria e Fierit, ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim kompaninë “Sekilda” sh.p.k. dhe administratorin e saj, Seferin Lazeraj,…
Shtetet e Bashkuara kanë shpallur një shpërblim deri në 20 milionë dollarë për këdo që ofron informacione mbi programin bërthamor…
Studentët po i japin një dimension të ri organizimit të tyre, duke nisur ngritjen e forumeve të përbashkëta të diskutimit…
Deputeti i Aleancës, Burim Ramadani ka kritikuar pushtetin, duke e akuzuar për propagandë dhe mungesë të rezultateve konkrete në përmirësimin…
Kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, ka votuar në kuadër të zgjedhjeve për Këshillin Kombëtar Shqiptar, të cilat mbahen…