Categories: maqedoni

Shasivari: BDI-ja nuk është pronare e Marrëveshjes së Ohrit apo e gjuhës shqipe

Ministri i Drejtësisë Jeton Shasivari i është kundërpërgjigjur letrës së hapur të kreut të BDI-së, Ali Ahmetit. Ky i fundit i kishte kërkuar ministrit të zbatonte Ligjin për përdorimin e gjuhëve dhe të mundësonte dhënien e provimit të jurisprudencës në shqip.

Në reagimin e tij, Shasivari thekson se provimi i jurisprudencës në gjuhën shqipe është çështje tepër e rëndësishme për t’u kthyer në debat të politikës së ditës, përplasje mbi meritat partiake apo akuza reciproke. Ai shton se synon të zgjidhë problematikat e lëna pezull prej dekadash, pa i përdorur të drejtat e qytetarëve për politikë.

Të lidhura

None found

Më poshtë, reagimi i ministrit të Drejtësisë, Jeton Shasivari:

I nderuar z. Ali Ahmeti,

Mundësia e dhënies së provimit të jurisprudencës në shqip kërkon trajtim serioz juridik dhe përgjegjësi nga institucionet, jo debat të ngushtë partiak. Zgjidhja duhet t’u garantojë të gjithë kandidatëve mundësi të barabarta, në respekt të Kushtetutës, ligjeve dhe standardeve profesionale.

Kjo çështje nuk është krijuar me emërimin tim në krye të Ministrisë së Drejtësisë. Ajo ka mbetur e pazgjidhur prej vitesh. Nga viti 2001, tetë ministra shqiptarë të Drejtësisë që vinin nga BDI-ja kanë pasur mundësinë dhe përgjegjësinë institucionale për të rregulluar mënyrën e zhvillimit të provimit, por kjo nuk u bë.

Kam mbi 25 vjet përvojë si profesor universitar i drejtësisë dhe i njoh vështirësitë gjuhësore që kanë hasur shumë breza studentësh shqiptarë. Tashmë, në postin e ministrit të Drejtësisë, kam edhe mundësinë, edhe detyrimin për të ndihmuar në ndryshimin e kësaj gjendjeje.

Për këtë arsye, atyre që e kanë pasur prej vitesh përgjegjësinë institucionale për këtë problem nuk u takon ta paraqesin nismën e sotme sikur çështja të jetë shfaqur vetëm dje, apo të vetëshpallen mbrojtësit e vetëm të të drejtave gjuhësore.

Të drejtat gjuhësore u përkasin qytetarëve, jo partive, dhe nuk mund të shndërrohen në kapital politik të një individi apo subjekti. Institucionet kanë për detyrë t’i garantojnë ato.

Roli im si ministër nuk është të mbledh përfitime politike, por të siguroj një zgjidhje ligjore, funksionale dhe jetëgjatë. Ajo nuk po hartohet për një parti, por për kandidatët që duan ta japin provimin e jurisprudencës tani dhe në të ardhmen.

Nuk iu drejtuam improvizimeve apo masave të marra për efekt të politikës së ditës. Po synojmë një zgjidhje juridike të qëndrueshme.

BDI-ja nuk ka të drejtë ekskluzive as mbi Marrëveshjen Kornizë të Ohrit, as mbi gjuhën shqipe dhe as mbi të drejtat e shqiptarëve. Barazia e qytetarëve nuk mund të pretendohet si pronë e ndonjë partie.

Më 27 nëntor, z. Ahmeti do të mund t’ua paraqesë vërejtjet e tij në Kuvend raportuesve të Komisionit të Venecias.

Nuk kam ndërmend të hyj në garë për të numëruar deklaratat e bëra për të drejtat gjuhësore. Përgjegjësia ime është të ndërtoj një zgjidhje institucionale dhe juridike të qëndrueshme, në përputhje me standardet evropiane.

Nuk do t’i përdorim të drejtat e qytetarëve për politikë. Do të merremi me problemet që kanë mbetur të pazgjidhura për dekada.

Ky është dallimi mes retorikës politike dhe përgjegjësisë shtetërore.

Ne propozojmë një model të vetëm, ku përfshirja gjuhësore dhe standardet profesionale mbështesin njëra-tjetrën, në vend që të përjashtojnë njëra-tjetrën.

Prandaj vlerësoj se nevojitet një verifikim tjetër juridik dhe një opinion i Komisionit të Venecias, organi më i rëndësishëm këshillimor i Këshillit të Evropës për çështje kushtetuese dhe juridike. Nuk kemi arsye t’i druhemi vlerësimit evropian; përkundrazi, e kërkojmë, pasi argumentet juridike, transparenca dhe përgjegjësia institucionale janë rruga e duhur drejt një zgjidhjeje të qëndrueshme.

Nuk qëndrojnë përpjekjet për ta paraqitur procesin si marrëveshje të kryer politike apo si synim për t’ia kufizuar të drejtat dikujt. Procesi është i hapur, transparent dhe gjithëpërfshirës. Janë zhvilluar takime me dekanët e fakulteteve juridike dhe përfaqësuesit e studentëve; qëndrimet, vërejtjet dhe propozimet e tyre po dëgjohen, sepse zëri i tyre duhet të jetë pjesë e zgjidhjes përfundimtare.

Edhe përfaqësuesit e Komisionit të Venecias do të mund të bisedojnë drejtpërdrejt me institucionet, akademikët dhe studentët. Asnjë argument nuk do të mbahet i fshehtë, asnjë palë e interesuar nuk do të lihet jashtë dhe nuk do të ketë vendime të marra pas dyerve të mbyllura.

Zoti Ahmeti,

Në vend se ta cilësoni që në fillim këtë nismë si degradim, tradhti apo manovër politike, lërini institucionet kompetente dhe ekspertët evropianë të drejtësisë t’i shqyrtojnë argumentet juridike. Përpjekjet për një zgjidhje sistemore nuk mund të shpallen automatikisht sulm ndaj të drejtave gjuhësore.

Komisioni i Venecias nuk shërben si mbulesë për institucionet, por ofron mundësinë që zgjidhja ligjore të vlerësohet në mënyrë të pavarur e profesionale dhe sipas standardeve evropiane. Opinioni i tij do të jetë i rëndësishëm për sigurinë juridike dhe hapat që do të pasojnë.

Në përfundim, nuk do të lejoj që kjo çështje të kthehet në garë mes partive. Nuk do të konkurrojmë për të përcaktuar kush ka kontribuar më shumë për të drejtat e shqiptarëve, apo kush ka më shumë të drejtë të flasë në emër të tyre.

Historia e vendimeve të institucioneve është e njohur dhe mund të verifikohet nga kushdo.

Të drejtat nuk garantohen me deklarata të bujshme politike, por me institucione që funksionojnë, zgjidhje juridike afatgjata dhe zbatim të vazhdueshëm të ligjeve.

Dr. Jeton Shasivari

Ministër i Drejtësisë

të fundit

Samuel Krasniqi i palëkundur në 14 ndeshjet e para, statistikat e veçojnë në Zvicër

Samuel Krasniqi po kalon një sezon mbresëlënës me Grasshopperin në Superligën e Zvicrës, ku është shndërruar në njërin prej futbollistëve…

1 minute ago

Dy persona arrestohen pas një incidenti në rezidencën e Williamit dhe Kate Middletonit

Dy persona janë arrestuar nga policia britanike nën dyshimin për vjedhje me thyerje, pas një incidenti të raportuar në rezidencën…

2 minutes ago

Rrjeti i Grave të Kosovës thërret protestë në Prishtinë kundër femicidit

Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) ka paralajmëruar mbajtjen e një proteste me moton “Kundër vrasjes së grave – Femicidi…

9 minutes ago

I dyshuari për ngacmimin seksual të një të miture dërgohet një muaj në paraburgim

Gjykata Themelore në Prishtinë, Dega në Fushë Kosovë, i caktoi masën e paraburgimit një muaj të pandehurit L.Z, për veprën…

10 minutes ago

Calhanoglu do të mungojë në shtatë ndeshjet e radhës të Interit

Skuadra e Interit ka konfirmuar lëndimin e mesfushorit Hakan Calhanoglu, i cili do të mungojë të paktën tri javë. Calhanoglu…

13 minutes ago

Interi, Juventusi apo Milani: cili klub italian gjeneron më shumë të ardhura?

Interi, Juventusi dhe Milani janë tri klubet më të mëdha të futbollit italian edhe për nga fuqia financiare dhe qarkullimi…

13 minutes ago