Categories: maqedoni

Ministria e Punëve të Brendshme apelon për kujdes ndaj grupit të dhunshëm “764” që synon fëmijët

Ministria e Punëve të Brendshme u bën thirrje prindërve, kujdestarëve, mësimdhënësve dhe opinionit të gjerë që të tregojnë vigjilencë të shtuar ndaj fenomenit të njohur si “764”. Bëhet fjalë për një komunitet të dhunshëm në internet, anëtarët e të cilit vënë në shënjestër fëmijët, të miturit dhe persona të tjerë të cenueshëm, me qëllim manipulimin, frikësimin dhe detyrimin e tyre për të kryer veprime të rrezikshme e të dhunshme.

Nga MPB-ja e Maqedonisë theksohet se për seriozitetin e kësaj dukurie kanë paralajmëruar edhe institucione ndërkombëtare të sigurisë, përfshirë Byronë Federale të Hetimeve të SHBA-së (FBI). FBI-ja e lidh grupin “764” me rrjete më të gjera të ekstremizmit nihilist të dhunshëm dhe grupe të ngjashme.

Të lidhura

None found

Apeli ka karakter parandalues dhe synon informimin në kohë të opinionit publik mbi mënyrat se si veprojnë këto grupe, rreziqet me të cilat përballen fëmijët dhe mundësitë për t’i mbrojtur ata.

Grupi “764” vepron përmes rrjeteve të ndryshme sociale, aplikacioneve të komunikimit dhe platformave të lojërave online. Për të kontaktuar viktimat e mundshme, anëtarët e tij përdorin platforma si Discord, Telegram, Roblox, Instagram, TikTok, Snapchat, Reddit, X (ish-Twitter), Minecraft dhe Fortnite.

Zakonisht, kontakti me fëmijët dhe të rinjtë vendoset duke u paraqitur si bashkëmoshatarë ose si persona që kërkojnë miqësi apo lidhje emocionale. Pasi fitojnë besimin e tyre, ata nisin manipulimet, kërcënimet dhe shantazhet, me qëllim që t’i shtyjnë viktimat të ndajnë fotografi dhe video intime, të dëmtojnë veten, të ushtrojnë dhunë ndaj të tjerëve ose kafshëve, madje edhe të ndërmarrin veprime që mund të kenë pasoja kërcënuese për jetën.

Materialet që arrijnë të sigurojnë, më pas përdoren si mjete për frikësim, shantazh dhe kontroll të mëtejshëm ndaj viktimave.

MPB-ja u kërkon prindërve dhe kujdestarëve që t’u kushtojnë vëmendje të veçantë disa shenjave të mundshme në sjelljen e fëmijëve, si: ndryshime të befasishme në sjellje, izolim, frikë, shqetësim ose nervozizëm; fshehtësi e shtuar gjatë përdorimit të telefonit celular ose kompjuterit; komunikim intensiv me persona të panjohur në rrjetet sociale dhe platformat e lojërave online; pranim i mesazheve kërcënuese, shantazheve ose kërkesave për dërgimin e fotografive dhe videove; lëndime të pashpjegueshme, prerje, gërvishtje ose shenja të tjera të mundshme të vetëlëndimit; shprehje dëshpërimi ose biseda për vdekjen dhe vetëvrasjen.

Këto ndryshime nuk nënkuptojnë domosdoshmërisht se fëmija është viktimë e një grupi të tillë, por nëse vërehen, është e rëndësishme të mos injorohen. Nevojitet një qasje e kujdesshme, bisedë e hapur me fëmijën dhe, nëse ka dyshim për abuzim, reagim në kohë.

Prindërit duhet të bisedojnë rregullisht me fëmijët për aktivitetet e tyre në internet, të tregojnë interes për personat me të cilët komunikojnë dhe përmbajtjet që ndjekin, si dhe t’i edukojnë për rreziqet e ndarjes së të dhënave personale, fjalëkalimeve, fotografive dhe videove intime me persona të panjohur. Është veçanërisht e rëndësishme që fëmijët ta dinë se, nëse dikush i shantazhon, i frikëson ose i manipulon, duhet të kërkojnë menjëherë ndihmë nga prindërit, kujdestarët, mësimdhënësit ose institucionet kompetente, theksojnë nga MPB.

Nga ministria kërkohet që çdo dyshim apo rast të denoncohet.

Nëse keni njohuri, informacione ose dyshime për aktivitete që lidhen me grupin “764” ose grupe të tjera të ngjashme të dhunshme online, denoncojini ato pranë Sektorit për Krim Kompjuterik dhe Forenzikë Digjitale në Ministrinë e Punëve të Brendshme, në adresën elektronike: cybercrime@moi.gov.mk.

Nëse dispononi informacione që mund të ndihmojnë në trajtimin e rastit, ruani mesazhet, emrat e përdoruesve, lidhjet dhe të dhëna të tjera relevante. Mos u përballni drejtpërdrejt me personat që kërcënojnë dhe mos ndërmerrni veprime që mund të rrezikojnë më tej sigurinë e fëmijës. Gjithashtu, mos shkarkoni dhe mos shpërndani materiale eksplicite që përmbajnë pamje të të miturve.

Mbrojtja e fëmijëve nga keqpërdorimi në internet është përgjegjësi e përbashkët. Identifikimi në kohë i rrezikut, biseda e hapur me fëmijët dhe denoncimi i aktiviteteve të dyshimta mund të parandalojnë pasoja të rënda dhe të shpëtojnë jetë, thonë nga MPB-ja.

të fundit

Maqedonia e Veriut: Protestë para Qeverisë për tetë vrasjet e grave

Një protestë qytetare me bllokim të rrugës përpara Qeverisë do të mbahet sot, më 20 nëntor, duke filluar nga ora…

3 minutes ago

Kabashi: Mospajtimi Thaçi-Veseli po e përçarë PDK-në për çështjen e Speciales

Gazetari dhe analisti Bekim Kabashi ka vënë në pikëpyetje unitetin brenda Partisë Demokratike të Kosovës për ndryshimin e Ligjit për…

12 minutes ago

Protestuesit paralajmërojnë rikthim në shesh nëse ligji për Dhomat e Specializuara nuk shkon në Kuvend javën e ardhshme

Organizatorët e protestave kundër aktgjykimit të Hagës kanë paralajmëruar se do të kthehen në shesh nëse ligji i ri për…

12 minutes ago

Nisma e re për Dhomat e Specializuara cilësohet si fshehje e dështimit dhe manovrim partiak

Marrëveshja e kryeministrit Albin Kurti me Partinë Demokratike të Kosovës për një nismë të re ligjore për Dhomat e Specializuara…

13 minutes ago

GTA 6 thyen çdo rekord që në debutim, mbi 24.5 milionë kopje dhe 2.36 miliardë dollarë të ardhura

Pas 13 vitesh pritjeje dhe disa shtyrjesh të njëpasnjëshme, publikimi i shumëpritur i Grand Theft Auto 6 (GTA 6) është…

13 minutes ago

Fation Shehu emërohet drejtor i Përgjithshëm i Doganave

Fation Shehu, është emëruar drejtor i Përgjithshëm i Doganave, duke zëvendësuar në këtë detyrë Besmir Bejën, i cili është larguar…

15 minutes ago