Categories: maqedoni

BDI i rikujton VLEN-it zotimet kryesore: Dy vite mashtrime, dy vite dështime, dy vite zhgënjim

Në përvjetorin e dytë të mandatit të VLEN-it në Qeveri, Bashkimi Demokratik për Integrim ka dalë me akuza të forta ndaj këtij subjekti politik, duke e cilësuar bilancin e tij si një dështim të plotë në përmbushjen e premtimeve të bëra para zgjedhjeve parlamentare të vitit 2024. Gjatë një konference për media, zëdhënësja e BDI-së, Arta Bilalli Zendeli, deklaroi se ky grupim politik, të cilit iu referua si “НИШТО”, kishte premtuar ndryshim për shqiptarët, por sipas saj, pas dy vitesh në pushtet nuk ka asnjë rezultat konkret, përcjell gazeta KOHA.

Të lidhura

None found

“Dy vjet mashtrim, dy vjet dështim, dy vjet zhgënjim – grupimi politik i shndërruar në НИШТО ua shiti shqiptarëve iluzionin, ndërsa sot nuk ka asnjë rezultat për të treguar. Kanë kaluar plot dy vjet nga formimi i Qeverisë VMRO-НИШТО-ZNAM. Dy vjet më parë, НИШТО kërkoi besimin e shqiptarëve duke premtuar ‘ndryshimin’. Sot, pas 24 muajsh në pushtet, mbetet vetëm një pyetje: Ku janë premtimet? Ku janë rezultatet? Ku është ndryshimi?”, deklaroi Bilalli Zendeli.

Sipas saj, thuajse të gjitha angazhimet më të rëndësishme të bëra para zgjedhjeve kanë mbetur pa u realizuar. Ajo tha se VLEN kishte premtuar një Kushtetutë të re, e cila do ta përcaktonte shtetin si të përbashkët të shqiptarëve dhe maqedonasve, por sipas BDI-së, për këtë çështje nuk është hapur as debat.

“Premtuan Kushtetutë të re që do ta njihte shtetin si të përbashkët të shqiptarëve dhe maqedonasve. Nuk kanë hapur as debat. Premtuan që gjuha shqipe të bëhej gjuhë shtetërore e barabartë. Në vend që ta mbrojnë, dobësuan mekanizmat për mbrojtjen e saj dhe shqiptarët vazhdojnë të diskriminohen në institucionet shtetërore. Premtuan përfaqësim të drejtë prej së paku 31.5 për qind. E në realitet shfuqizuan Balancuesin dhe angazhuan Karakamishevën ta shkruajë një ligj që nuk garanton asgjë. Përkundrazi, e rrënon përfaqësimin e shqiptarëve”, tha ajo.

Në vijim të konferencës, Bilalli Zendeli renditi edhe një varg premtimesh të tjera që, sipas BDI-së, kanë mbetur vetëm në letër gjatë këtyre dy viteve të qeverisjes.

“Premtuan Bankë Shqiptare. Nuk ekziston. Premtuan aksione deri në 10 mijë euro për çdo qytetar. Nuk ekziston. Premtuan votën e diasporës, Ministrinë e Diasporës dhe Këshillin Kombëtar të Diasporës. Nuk ekzistojnë. Premtuan Akademi Shqiptare të Shkencave dhe Arteve. Përfunduan me një zyrë me qira dhe me tallje të inteligjencës shqiptare. Premtuan gjashtë spitale rajonale. Nuk ekziston asnjë. Premtuan autostrada, hekurudha, Port të Thatë, zona ekonomike, zhvillim të malësive dhe qindra projekte infrastrukturore. Asnjë nuk ka hyrë në realizim. Madje, as që diskutohen”, u shpreh ajo.

Zëdhënësja e BDI-së theksoi se të njëjtin përfundim kanë pasur edhe zotimet për ndryshime në sistemin zgjedhor, përballjen me korrupsionin dhe zhvillimin ekonomik.

“Premtuan reforma zgjedhore, tetë njësi zgjedhore, luftë kundër korrupsionit me ekspertë perëndimorë, hapjen e dosjeve të komunizmit, dëmshpërblimin e të përndjekurve politikë, pensione mbi pagën minimale, kredi pa interes për çiftet e reja, 200 terrene sportive, qendra kulturore, harmonizim të arsimit me Shqipërinë dhe Kosovën. Asgjë – vetëm premtime”, deklaroi Bilalli Zendeli.

Ajo vlerësoi se shqiptarët janë mashtruar dhe se VLEN ka shkelur zotimet me të cilat kërkoi mbështetjen elektorale në vitin 2024.

“Sot është e qartë se НИШТО mashtruan dhe tradhtuan shqiptarët. Ata kërkuan votën me premtime historike, ndërsa sot nuk kanë as guximin t’i përmendin ato. Shqiptarëve iu premtua dinjitet – morën poshtërim. Iu premtua barazi – morën nënçmime e regres. Iu premtua zhvillim – morën stagnim. Iu premtua përfaqësim – morën zhbërje të mekanizmave mbrojtës. Ky nuk është vetëm bilanci dyvjeçar i dështimit të grupimit politik НИШТО. Ky është bilanci i dorëzimit të interesit shqiptar përballë partnerëve të tyre qeveritarë”, tha ajo.

Në fund, BDI ngriti publikisht një sërë pyetjesh ndaj VLEN-it, duke kërkuar përgjegjësi për zotimet e pambajtura.

“НИШТО nuk arriti të realizojë as premtimet që i shkroi vetë në programin e tij. Sot shqiptarët kanë të drejtë t’i pyesin: Ku është Kushtetuta e re? Ku është barazia e gjuhës shqipe? Ku është Banka Shqiptare? Ku janë aksionet prej 10 mijë eurosh? Ku janë spitalet? Ku është diaspora? Ku është Akademia Shqiptare? Ku janë autostradat dhe hekurudhat? Ku janë vendet e punës dhe zhvillimi ekonomik? Përgjigjja është një: Nuk ekzistojnë. Ekzistojnë vetëm në broshurat elektorale të vitit 2024”, deklaroi Bilalli Zendeli.

Ajo shtoi se, sipas vlerësimit të BDI-së, shqiptarët meritojnë një politikë serioze dhe llogaridhënie, e jo propagandë dhe marketing zgjedhor.

“Koha e mashtrimeve ka përfunduar. Qytetarët e dinë se kush premtoi gjithçka dhe nuk realizoi asgjë. Dy vjet më vonë, НИШТО nuk ka bilanc qeverisës për t’u mburrur. Ka vetëm një listë të gjatë premtimesh të thyera”, përfundoi zëdhënësja e BDI-së, Arta Bilalli Zendeli. (koha.mk)

të fundit

Pacolli për vendosjen e laurës në rrugën për në Prevallë: Zgjidhja do të arrihet përmes dialogut, jo protestës

Ministrja në detyrë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Fitore Pacolli, ka reaguar lidhur me shqetësimet e banorëve për vendosjen…

19 minutes ago

LSDM: Mungesa e mjeteve në buxhet vë në rrezik pensionet dhe shtyllën e dytë pensionale

Partia opozitare LSDM akuzon Qeverinë e udhëhequr nga Hristijan Mickoski se po e shkatërron në mënyrë sistematike sistemin pensional në…

19 minutes ago

Berisha për “Albanian Files”: 523 projektet kërkojnë transparencë, të verifikohen financimet nga Eurojust dhe Europol

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, reagoi ndaj monologut të kryeministrit Edi Rama për librin “Albanian Files”, duke e cilësuar…

21 minutes ago

Bujar Asqeriu: Nuk edukohet rinia me shkopinj gome, njeriun e bën arsimi, arti dhe kultura, në Shqipëri i kanë futur në burgje

Një fjalim kritik i aktorit të njohur Bujar Asqeriu ndaj qeverisë, ka sjellë në vëmendje në këtë muaj protestash masive…

24 minutes ago

Mourinho synon edhe tre afrime të tjera te Real Madridi, me koston që mund të shkojë në 200 milionë euro

Jose Mourinho nuk e konsideron ende të mbyllur afatin kalimtar te Real Madridi. Trajneri portugez beson se skuadra ka bërë…

28 minutes ago

Saimir Korreshi ironizon Bashkinë e Lushnjes: Na falni se ju prishëm plazhin, por qytetarët po mbyten nga mushkonjat dhe erë kërme

Me ane të një postimi në llogarinë e tij në “Facebook”, deputeti i PD në Lushnje, Saimir Korreshi, ka denoncuar…

32 minutes ago