Muajt e verës sjellin më shumë kohë për lojëra jashtë, në pishina, parqe dhe zona natyrore. Megjithatë, bashkë me argëtimin shtohet edhe rreziku i aksidenteve. Shumica e dëmtimeve janë të lehta, por disa prej tyre mund të kenë pasoja shumë të rënda.
None found
Mjekë të urgjencës kanë treguar cilat aktivitete nuk do t’ua lejonin fëmijëve të tyre dhe kanë dhënë këshilla për të shmangur përfundimin në spital, shkruan Huff Post.
Fëmijët pranë ujit pa mbikëqyrje
Të dhënat e Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve tregojnë se mbytja është shkaku kryesor i vdekjeve te fëmijët nga 1 deri në 4 vjeç. Për moshat 5 deri në 14 vjeç, ajo renditet si shkaku i dytë kryesor i vdekjeve aksidentale. Edhe në rastet kur fëmija mbijeton, mund të mbeten dëmtime të rënda të trurit ose paaftësi të përhershme. Për këtë arsye, mjekët e urgjencës i kushtojnë vëmendje të veçantë sigurisë në ujë.
“Fëmijët e mi nuk do t’i lejoja kurrë të shkonin vetëm në pishinë apo në një hapësirë tjetër me ujë”, tha Dr. Nkeiru Orajiaka, pediatre e mjekësisë së urgjencës në Columbus, Ohio. Sipas saj, mbytja mund të ndodhë brenda pak sekondash, ndaj asnjë fëmijë nuk duhet të notojë i vetëm. Pranë ujit duhet të jetë gjithmonë një i rritur përgjegjës për mbikëqyrjen, ndërsa pishinat në shtëpi duhet të rrethohen me gardh.
Kur në vend ndodhen disa të rritur, këshillohet që mbikëqyrësi i fëmijëve të ndërrohet çdo pesëmbëdhjetë minuta, në mënyrë që të ruhet vëmendja e plotë. Fëmijët që nuk dinë të notojnë ose që kanë aftësi të kufizuara në not duhet të përdorin jelekë shpëtimi, veçanërisht në ambiente të mbipopulluara ose në rrethana ku mbikëqyrja mund të humbasë.
Fëmijët nën pesë vjeç duhet të pajisen me jelek shpëtimi dhe jo me doreza apo mjete të tjera të fryra, përveç rasteve kur ndodhen vazhdimisht nën kontrollin e një të rrituri. Edhe pishinat me valë në parqet ujore, të preferuara nga fëmijët më të mëdhenj dhe adoleshentët, mund të paraqesin rrezik për shkak të kaosit që krijohet në to, shkruan Index.hr, transmeton Klankosova.tv.
“Zhurma dhe lëvizja e valëve mund ta fshehin shqetësimin e një fëmije, pasi ai mund të duket sikur thjesht po luan”, shpjegoi Orajiaka. Ajo theksoi se asnjë fëmijë, pavarësisht moshës, nuk duhet të futet i vetëm në një pishinë me valë dhe se loja në këto ambiente nuk duhet lejuar kur nuk ka roje shpëtimi.
Biçikleta pa helmetë
Jessica Singh, ish-mjeke e urgjencës dhe themeluese e CEO e Sukhayu Wellness, paralajmëron për rrezikun e dëmtimeve në kokë. “Ndër dëmtimet që mund të pësohen, ato në kokë janë më të rrezikshmet. Ato lidhen me rreth 60% të vdekjeve nga biçikleta te fëmijët”, tha ajo.
Rrëzimet, përpjekjet për të bërë truke dhe përplasjet me automjete janë disa nga situatat që mund të shkaktojnë dëmtime. Për shkak të shpeshtësisë së këtyre aksidenteve, përdorimi i një helmete të vendosur siç duhet është i domosdoshëm si për fëmijët, ashtu edhe për të rriturit.
Sipas Singh, studimet kanë dëshmuar se helmetat ulin rrezikun e dëmtimeve në kokë, tru dhe fytyrë te çiklistët e çdo moshe, edhe kur përfshihen në përplasje me automjete. Vlerësohet se përdorimi i helmetës do të shmangte rreth 60% të dëmtimeve të rënda në kokë te çiklistët që aktualisht nuk e përdorin atë.
Helmeta duhet të jetë në masën e duhur dhe të qëndrojë e puthitur me kokën në të gjitha anët, pa krijuar hapësira.
Pjesa e poshtme e përparme e helmetës duhet të pozicionohet një deri në dy gishta mbi vetulla. Pjesa e pasme nuk duhet të prekë qafën, ndërsa rripi nën mjekër duhet shtrënguar në mënyrë që mes tij dhe mjekrës të futen jo më shumë se një ose dy gishta. Pasi rripi të jetë lidhur, helmeta nuk duhet të lëvizë as përpara e prapa, as nga njëra anë në tjetrën.
Fëmijët pranë kositëses së barit
Fëmijët nuk duhet të hipin mbi një kositëse, edhe nëse në të ndodhet një i rritur, dhe as të luajnë jashtë ndërsa dikush po kosit barin. Një studim i vitit 2023 konstatoi se dëmtimet më të rënda ndodhin kur fëmijët gjenden pranë pajisjes, për shembull kur drejtuesi ecën mbrapsht dhe nuk e dallon fëmijën pas tij.
Orajiaka paralajmëroi gjithashtu se tehet e kositëses mund të marrin gurë, degë ose sende të tjera dhe t’i përplasin në ajër. Këto objekte mund të shkaktojnë dëmtime në fytyrë ose në sy.
Ekspozimi në temperatura shumë të larta
Thyerja e rekordeve të temperaturave në vende të ndryshme të botës e bën edhe më të rëndësishëm kujdesin ndaj ekspozimit të zgjatur në vapë, tha Singh. Qëndrimi për një kohë të gjatë në temperatura të larta dhe në lagështi, pa pushime dhe pa konsumuar mjaftueshëm lëngje, rrit temperaturën e trupit dhe mund të shkaktojë sëmundje të lidhura me nxehtësinë.
“Fëmijët, sidomos ata të vegjël, e kanë më të vështirë ta kontrollojnë temperaturën e trupit dhe e përballojnë vapën më pak se të rriturit”, deklaroi Singh. Ajo shpjegoi se sistemet e tyre fiziologjike janë ende në zhvillim, kanë vëllim më të ulët gjaku dhe një kapacitet më të vogël për të djersitur. Si rezultat, ata rrezikohen më shumë nga skuqjet e lëkurës prej nxehtësisë, dhimbjet e barkut, lodhja dhe goditja nga nxehtësia.
“Goditja nga nxehtësia është forma më e rrezikshme e sëmundjeve të shkaktuara nga temperaturat e larta”, tha Singh. Kur trupi nuk arrin më të rregullojë temperaturën, ajo mund të rritet brenda pak minutash. Pa trajtim të menjëhershëm mjekësor, pasojat mund të jenë paaftësi e përhershme ose vdekje.
Për të ulur rrezikun, Singh rekomandon kontrollin e parashikimit të motit dhe shmangien e aktiviteteve jashtë gjatë temperaturave ekstreme. Ajo këshillon që daljet të planifikohen në mëngjeset më të freskëta ose në mbrëmjet e para, të konsumohen shumë lëngje dhe të kufizohet ekspozimi i drejtpërdrejtë në diell. Mbrojtja përfshin edhe përdorimin e kapelave, syzeve të diellit dhe veshjeve mbrojtëse, si dhe zgjedhjen e rrobave të gjera e me ngjyra të çelëta.
Juventusi është shumë pranë një përforcimi të rëndësishëm për të ardhmen, pasi ka arritur marrëveshje me Bayer Leverkusen për transferimin…
Më shumë se gjysma e territorit të Anglisë është në gjendje thatësire, pasi vendi po përballet me një nga periudhat…
Ylli britanik i boksit, Anthony Joshua, ka ndarë me ndjekësit e tij momente nga përballja me Kristian Prengën, duke veçuar…
Gazetarja Klodiana Lala e ftuar në programin e drekës në News 24 ka dhënë detaje për arrestimin e biznesmenit Ermal…
Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, ka reaguar pas një rasti të konstatuar në plazhin e Shëngjinit, ku një…
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile ka dalë me një njoftim zyrtar lidhur me temperatuat e larta që priten në ditët…