Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) organizoi të mërkurën një tryezë pune, gjatë së cilës prezantoi gjetjet dhe rekomandimet e Raportit të auditimit të performancës “Siguria e nxënësve në shkollat publike në Kosovë”.
None found
Në këtë takim, përveç drejtuesve të lartë të ZKA-së, morën pjesë Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Hajrulla Çeku, Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, Zëvendës Avokatja e Popullit, Anita Çavdarbasha Korenica, si dhe përfaqësues të institucioneve përgjegjëse, komunave dhe organizatave të shoqërisë civile që veprojnë në fushën e arsimit. Pjesëmarrësit diskutuan për përfundimet e auditimit dhe rëndësinë e bashkërendimit institucional për rritjen e sigurisë në shkollat publike.
Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, nënvizoi se garantimi i sigurisë së nxënësve nuk mund t’i lihet vetëm një institucioni. Sipas saj, kjo kërkon një zinxhir të vazhdueshëm përgjegjësie dhe bashkëpunimi mes institucioneve. Spanca tha se janë krijuar mekanizma dhe janë zhvilluar iniciativa për rritjen e sigurisë në shkolla, por ato ende nuk veprojnë si një sistem i koordinuar, i standardizuar dhe tërësisht efektiv.
Ajo theksoi se për sigurinë e fëmijëve nevojiten zbatimi i rekomandimeve të auditimit, koordinim më i mirë ndërinstitucional, raportim i plotë i rasteve dhe reagim i shpejtë e i përbashkët. Spanca deklaroi se ZKA do të monitorojë zbatimin e rekomandimeve, duke shprehur pritjen që zotimet institucionale të materializohen në masa konkrete, të matshme dhe të qëndrueshme.
Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Hajrulla Çeku, e vlerësoi punën e ZKA-së për realizimin e auditimit dhe e cilësoi sigurinë në shkolla si një nga temat më të rëndësishme të sistemit arsimor në Kosovë. Ai tha se gjetjet dhe rekomandimet e raportit përbëjnë një udhërrëfyes të dobishëm për përmirësimin e punës dhe performancës. Çeku nënvizoi se përgjegjësia për sigurinë është e përbashkët dhe se krijimi i një mjedisi të sigurt kërkon angazhimin e të gjithëve. Sipas tij, auditimi është publikuar në një moment të rëndësishëm, kur Ministria e Arsimit ka nisur hartimin e Strategjisë së Arsimit, për të cilën kërkoi kontributin dhe mbështetjen e të gjitha palëve.
Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, deklaroi se siguria në shkolla mbetet prioritet i Policisë së Kosovës dhe një shtyllë kryesore për ndërtimin e një të ardhmeje të sigurt për shoqërinë tonë. Ai tha se shkolla nuk shërben vetëm për edukimin dhe arsimimin e fëmijëve, por edhe si hapësirë ku ata ndërtojnë personalitetin, zhvillojnë aftësitë dhe përgatiten për të ardhmen. Hoxha theksoi se krijimi dhe ruajtja e një mjedisi të sigurt, të qetë dhe gjithëpërfshirës në institucionet arsimore është detyrë e përbashkët, ndërsa policia mbetet e përkushtuar për përmbushjen e këtij misioni.
Zëvendës Avokatja e Popullit, Anita Çavdarbasha-Korenica, prezantoi punën e Institucionit të Avokatit të Popullit në këndvështrimin e të drejtave të njeriut. Ajo foli për nismat e ndërmarra, rezultatet e arritura dhe rekomandimet drejtuar institucioneve përgjegjëse. Çavdarbasha-Korenica tha se, në lidhje me të drejtat e fëmijëve dhe edhe në bazë të standardeve të Gjykatës Evropianë për të Drejtat e Njeriut, siguria duhet të paraprijë edukimin, ndaj të gjithë duhet të punojnë së bashku në këtë drejtim.
Rezultatet e auditimit u paraqitën në mënyrë të hollësishme nga Drejtoresha e Departamentit të Auditimit, Ariana Gjonbalaj. Gjatë diskutimit, përfaqësuesit e institucioneve përgjegjëse, komunave dhe organizatave të shoqërisë civile që mbulojnë arsimin u ndalën te gjetjet e raportit dhe zbatimi i rekomandimeve të auditimit.
Në fund të tryezës, Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj, tha se pjesëmarrësit e vlerësuan raportin dhe rezultatet e tij. Ai theksoi se rekomandimet e ZKA-së janë të vlefshme dhe mund t’i ndihmojnë institucionet përgjegjëse të ndërmarrin masat e nevojshme për përmirësimin e sigurisë në shkollat e Kosovës, duke e cilësuar këtë si një mision të përbashkët.
Profesori Artan Nimani ka shprehur shpresën se takimi i sotëm ndërmjet liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe kryetarit të…
Komisioni për Sistem Politik dhe Marrëdhënie mes Bashkësive në seancën e sotme e miratoi dhe e përcolli për procedurë të…
Mitrovica e ka mbyllur me barazim pa gola ndeshjen e parë ndaj Metalist 1925 të Ukrainës, në kuadër të raundit…
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në ceremoninë e shënimit të ditëlindjes së 116-të të…
Kryetari i studentëve në Universitetin “Nënë Tereza” në Shkup, Besar Sejdi, ka kundërshtuar zgjidhjen e propozuar nga Ministria e Drejtësisë…
Sipas të dhënave më të fundit të Entit Shtetëror të Statistikës (DZS), norma e papunësisë në tremujorin e dytë të…