Categories: kosovë

Vota e LDK-së për deklaratën mbi Specialen, ndryshim qëndrimi apo mbështetje për një proces të drejtë?

Me 99 vota, deputetët e Kuvendit të Kosovës miratuan një deklaratë ku shprehin shqetësim për aktgjykimin e shkallës së parë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Të lidhura

None found

Teksti e cilëson të papranueshëm përfundimin se të katër të akuzuarit kishin një qëllim të përbashkët kriminal. Në të kërkohet gjithashtu që Gjykata Speciale të qëndrojë brenda mandatit të saj, ndërsa thuhet se Ndërmarrja e Përbashkët Kriminale për dëbimin e shqiptarëve nga Kosova u zbatua përmes aparatit shtetëror, ushtarak dhe policor jugosllav e serb.

Para deputetëve, deklaratën me shtatë pika e lexoi kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu. Ajo përfshin edhe një thirrje drejtuar institucioneve shtetërore për të vepruar në mbrojtje të së vërtetës mbi luftën çlirimtare.

“Kërkon nga të gjitha institucionet shtetërore të Republikës së Kosovës që të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për mbrojtjen e së vërtetës dhe të pastërtisë së luftës çlirimtare të popullit të Kosovës. Kuvendi bën thirrje për hartimin e një strategjie të përbashkët shtetërore, në kuadër të së cilës të bashkërendohen veprimet juridike, institucionale dhe diplomatike për mbrojtjen dhe afirmimin e së vërtetës së plotë historike mbi luftën e drejtë për liri dhe çlirim të Kosovës”, thuhet në tekstin e lexuar nga Haxhiu.

Të gjitha grupet parlamentare e mbështetën deklaratën, edhe deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Kjo parti ndër vite ka kërkuar zbardhjen e vrasjeve të pasluftës, ku shumica e viktimave ishin anëtarë të saj.

LDK-ja nuk kishte publikuar një qëndrim zyrtar për aktgjykimin e Gjykatës Speciale. Pas votimit të së hënës, deputetja Jehona Lushaku-Sadriu tha se e çmon faktin që në deklaratë janë përfshirë komentet e partive politike.

“Dëshirojmë të kontribuojmë që Kosova të jetë shtet i pavarur dhe me liri. Të funksionojë në institucionet e saj të pavarura. Është e rëndësishme që të jemi në ballë të detyrës”, u shpreh ajo.

Maraj: 99 vota për deklaratën, ndërsa 82 për themelimin e Speciales

Analisti politik Milazim Maraj, në një prononcim për “Bota sot”, e vlerësoi deklaratën si politikisht të dëmshme për Kosovën. Ai vuri në pikëpyetje ndryshimin e qëndrimeve të deputetëve, duke krahasuar votimin e fundit me vendimin e mëparshëm për themelimin e Dhomave të Specializuara.

Maraj kujtoi se deklarata mori 99 vota, kurse themelimi i Dhomave të Specializuara ishte miratuar me votat e 82 deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

“Deklarata e Parlamentit të Kosovës e votuar nga 99 deputetë. Për themelimin e kësaj gjykate votuan 82 deputetë po të këtij parlamenti. Atëherë thuhej kush nuk e voton këtë gjykatë është kundër Kosovës. Ndërsa tani thuhet ata që nuk dalin në protestë kundër vendimit të kësaj gjykate janë tradhtarë, UDB etj. Tani thuhet se kjo gjykatë u themelua me kërkesën e Serbisë. Por pse u votua kërkesa e Serbisë nga Parlamenti i Kosovës? Madje u votua me këmbëngulje të fuqishme të këtyre që edhe më fuqishëm kërkojnë ta anulojmë këtë vendim”, tha Maraj për “Bota sot”.

Sipas tij, dallimi mes qëndrimeve të atëhershme dhe atyre të sotme ngre pikëpyetje mbi arsyet që kanë sjellë këtë ndryshim.

“Çka të besohet, a na doli gjumi tash? Apo ndoshta është edhe kjo një kërkesë tjetër e Serbisë që Kosova të bjerë ndesh me vendimet e veta dhe të gjykatës? Kjo deklaratë nuk ka fuqi juridike, por ka efekt politik negativ për Kosovën. Kjo tregon vendosmërinë dhe fuqinë shtetërore të Kosovës për të sjellë dhe mbrojtur vendime të mençura dhe të drejta për Kosovën. Kjo tregon sa është fuqia juridike e shtetit të së drejtës”, deklaroi ai.

Maraj e vendosi votimin në kontekstin e mundësisë që Kosova të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme. Ai tha se deputetët, sipas tij, shmangën përballjen me propagandën në rrugë gjatë periudhës parazgjedhore, ndonëse më parë kishin mbrojtur qëndrime të tjera.

“Tani në kohën kur ende është e paqartë nëse do të shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme që kanë filluar të bëhen të zakonshme në Kosovë, deputetët zgjodhën heshtjen për t’i shpëtuar propagandës së rrugës në këto parazgjedhje. Votuan kundër asaj që e kanë pohuar dhe mbrojtur me vite. Deputetët tani deklarohen dhe garojnë cili do të jetë i pari për të nënshkruar heqjen e kësaj gjykate. Ç’është kjo?”, u shpreh ai.

Ai kritikoi edhe mungesën, sipas tij, të sqarimeve për rolin e deputetëve në procesin e krijimit të gjykatës.

“Po të ishin adoleshentë nga protesta do të arsyetoheshin disi, por jo të zgjedhurit tanë, meje doktorant të shkencave të ndryshme! Nuk po tregojnë cilët ishin në propozimin për themelimin e kësaj gjykate me vendimet e të cilës nuk po pajtohen tani”, tha Maraj.

Ai e paraqiti miratimin e deklaratës si dëshmi të bashkimit të deputetëve për këtë çështje, ndërsa pretendoi se i njëjti unitet mungon kur bëhet fjalë për funksionalizimin e institucioneve.

“Deklarata tregon që themelimin e institucioneve të Kosovës, zgjedhjen e Presidentit nuk ishin bashkë as deputetët e një partie, kurse tani bashkohen të gjithë së bashku për aprovimin e një deklarate pa fuqi juridike dhe me dëme në politikën e jashtme. Të gjithë këta deputetë e dinë se deklarata e tyre e aprovuar nuk ka efekt juridik. Cili qenka qëllimi apo frika e tyre që tani shpurdhin në rrugë dhe në Kuvend për të mos pranuar atë që vetë e zgjodhën?”, deklaroi ai.

Maraj ngriti pikëpyetje edhe për interesat që, sipas tij, po udhëheqin qëndrimet e deputetëve.

“Tani shumë më i çuditshëm është bashkimi i 99 deputetëve për këtë deklaratë mjaft të parëndësishme, ndërsa nuk bashkohen për themelimin e institucioneve të Kosovës. Në shërbim të kujt janë këta deputetë? Janë në shërbim të interesit të Kosovës dhe qytetarëve të vet votues, apo rob në shërbim të politikës së rrugës?”, u shpreh ai.

Ai argumentoi se kundërshtimi i aktgjykimit duhet të zhvillohet përmes mjeteve juridike, duke paraqitur argumente në fazat e tjera të procesit.

“Aleatët tanë e kanë pranuar vendimin e Gjykatës së Kosovës në Hagë. A duhet tani të vihemi edhe kundër tyre dhe t’u themi, atëherë kemi gabuar e tani na është kujtuar. Pse nuk angazhohen për hartimin e ankesave të plotësuara me argumente që ndoshta nuk janë përfshirë gjatë gjykimit, që gjykata e Apelit juridikisht të vejë në shërbim të korrigjimit të vendimit, por luajmë me këtë spektakël shumë të parëndësishëm për qëllimin në të cilin thirren?”, tha ai.

Maraj shprehu rezerva edhe për formulimin që u bën thirrje Dhomave të Specializuara të respektojnë mandatin në përputhje me vullnetin e Kuvendit të Kosovës.

“Ndër pika e propozuara thuhet që Dhomat e Specializuara të respektojnë mandatin e tyre në përputhje të vullnetit të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Ku ka gjykatë që vepron në bazë të vullnetit? Gjykata vepron në bazë të argumenteve dhe jo që këta nuk e dinë, por kjo bëhet sa për të arsyetuar veten se ja, ne bëmë të pamundurën, por të fortit nuk po na pyesin”, deklaroi ai.

Në përfundim, Maraj tha se kjo qasje nuk sjell përfitim për të akuzuarit në Hagë apo për vendin.

“Ky rol herë në anën e viktimës e herë në anën e krimit, duke justifikuar veten para protestuesve, nuk sjell ndonjë efekt pozitiv as për ata që janë në Hagë as për vendin. Pas kësaj deklarate ky Kuvend nuk e arsyetoi fare veten, por arsyetoi zgjedhjet e jashtëzakonshme”, përfundoi Milazim Maraj për “Bota sot”.

Gashi: Vota e LDK-së nuk nënkupton harrimin e viktimave

Analisti politik Eduard Gashi e cilësoi votimin si mesazh të rëndësishëm politik, duke theksuar se mbështetja e LDK-së për deklaratën nuk duhet interpretuar si braktisje e kërkesës për zbardhjen e vrasjeve të pasluftës.

“Votimi është një sinjal i rëndësishëm politik, edhe për botën ndërkombëtare. Kuvendi po thotë se Kosova do ta mbrojë të vërtetën e luftës çlirimtare dhe dinjitetin e shtetit të saj me argumente juridike, historike e diplomatike. Njëkohësisht, duhet të jemi të saktë: deklarata shpreh qëndrimin e Kuvendit, ndërsa aktgjykimi shqyrtohet dhe kundërshtohet përmes procedurave gjyqësore. Për LDK-në, kjo është një çështje veçanërisht e ndjeshme. Vrasjet e anëtarëve të saj pas luftës janë plagë që kërkon të vërtetën dhe drejtësi. Vota për deklaratën nuk duhet të kuptohet si harrim i atyre viktimave. Përkundrazi, ajo mund të përcjellë një mesazh më të pjekur: mund ta mbrojmë të vërtetën e luftës së Kosovës dhe, me të njëjtën vendosmëri, të kërkojmë zbardhjen e vrasjeve të pasluftës. Familjeve të viktimave u detyrohemi përgjigje, jo heshtje”, u shpreh Gashi.

I pyetur nga “Bota sot” nëse votimi shënon një kthesë në qëndrimin e LDK-së, Gashi tha se është herët që një votë e vetme të quhet ndryshim përfundimtar. Sipas tij, partia mund të kërkojë proces të drejtë në Hagë për ish-pjesëtarët e UÇK-së dhe njëkohësisht të vazhdojë të kërkojë drejtësi për anëtarët e vrarë.

“Do të isha i kujdesshëm ta quaja ndryshim përfundimtar mbi bazën e një vote. Por e shoh si mundësi për një qasje më shtetërore. LDK-ja mund të mbështesë të drejtat e ish-pjesëtarëve të UÇK-së për një proces të drejtë në Hagë, pa hequr dorë nga kërkesa për drejtësi për anëtarët e saj të vrarë. Pjekuria politike matet pikërisht me aftësinë për t’i mbajtur të dyja këto përgjegjësi”, tha analisti.

Gashi vlerësoi se votimi shfaq një qëndrim institucional të përbashkët, nëse partitë janë bashkuar rreth përmbajtjes së deklaratës. Ai shtoi se uniteti duhet të pasohet nga veprime konkrete.

“Po, tregon votimi një qëndrim të përbashkët institucional, pavarësisht dallimeve politike, për aq sa partitë u bashkuan rreth përmbajtjes së deklaratës. Ky unitet ka vlerë nëse kthehet në punë serioze institucionale. Kosovës i duhen dy rrugë paralele: mbrojtja e shtetit dhe e së vërtetës së tij historike para partnerëve ndërkombëtarë, si dhe zbardhja e çdo krimi, përfshirë vrasjet e pasluftës. Njëra nuk e përjashton tjetrën. Ibrahim Rugova shtronte pyetjen: “Çfarë të mire mund të bëjmë sot për Kosovën?” Në këtë rast, përgjigjja është të ruajmë proceset, të kërkojmë drejtësi për secilën viktimë dhe të veprojmë me përgjegjësi ndaj shtetit që kemi ndërtuar. Shteti ligjor ecën përmes provave dhe institucioneve, jo përmes ideologjive të verbra apo bindjeve personale”, përfundoi Gashi.

të fundit

Klevi Qefalija feston debutimin me Shqipërinë: Një ëndërr e realizuar dhe natë e paharrueshme

Klevi QefalijaData 29 shtator, 2026, do të jetë e paharrueshme për mesfushorin e Dinamos, Klevi Qefalija [...]Read More...

57 seconds ago

Huchet: Integrimi i Kosovës në BE kalon përmes reformave dhe dialogut të vazhdueshëm

Ambasadori i Francës në Kosovë, Jean-François Huchet, ka thënë se zgjerimi i Bashkimit Evropian është rikthyer në qendër të agjendës…

1 minute ago

Zoran Gerasimovski dhe Lidija Zimbovska në garë për drejtimin e Gjykatës së Apelit në Shkup

Këshilli Gjyqësor sot i miratoi raportet e Komisionit për verifikimin e afateve kohore të aplikimeve dhe kompletimin e dokumentacionit pas…

1 minute ago

Cristiano Ronaldo largohet nga grumbullimi i Portugalisë në Kopenhagë

Cristiano Ronaldo është larguar nga grumbullimi i Kombëtares së Portugalisë në Kopenhagë, vetëm pak orë pasi përzgjedhësi Jorge Jesus foli…

2 minutes ago

KDI kritikon nisjen e shqyrtimit të reformës në drejtësi nga Komisioni për Legjislacion

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka shprehur shqetësim për mënyrën se si Komisioni për Legjislacion ka nisur shqyrtimin dhe votimin…

11 minutes ago

Michael Olise, nga problemet në akademi te lideri i Bayernit dhe Francës

Michael Olise është sot një prej futbollistëve më të kompletuar në futbollin evropian, por rruga e tij drejt majës nuk…

13 minutes ago