KFOR-i ka nisur tërheqjen graduale të pranisë së përhershme nga ura kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë, pas 27 vitesh qëndrimi në këtë pikë.
None found
Misioni i udhëhequr nga NATO-ja e bëri të ditur këtë zhvillim gjatë ditës së sotme, duke e lidhur vendimin me përmirësimin e gjendjes së sigurisë në Kosovë. Në një përgjigje për KosovaPress, KFOR-i sqaroi se procesi synon optimizimin e pozicionimit të tij.
“Misioni KFOR, i udhëhequr nga NATO-ja, ka filluar tranzicionin gradual të pranisë së përhershme të KFOR-it nga ura kryesore në Mitrovicë. Në përputhje me përmirësimin e situatës së sigurisë në Kosovë, kjo është pjesë e procesit për optimizimin e pozicionimit të KFOR-it”, thuhet në përgjigjen e misionit.
Po sot u bë e ditur edhe se Policia e Kosovës ka nisur të integrohet gradualisht në arkitekturën e sigurisë së KFOR-it në Manastirin e Deçanit.
Profesorë universitarë dhe ekspertë të sigurisë e kanë cilësuar këtë zhvillim si pozitiv, duke theksuar se gjendja e sigurisë në vend është përmirësuar.
Profesori universitar Dorajet Imeri deklaroi për KosovaPress se largimi i pjesshëm i trupave të KFOR-it është rezultat i angazhimit të vazhdueshëm të institucioneve të sigurisë së Kosovës. Sipas tij, veçanërisht rëndësi ka pasur lufta kundër strukturave ilegale dhe grupeve të tjera që kanë vepruar sipas instruksioneve të Serbisë.
Imeri vlerësoi se institucionet qendrore duhet ta ruajnë qasjen profesionale, ndërsa zhvillimin e fundit e përshkroi si një arritje shumë të madhe dhe si dëshmi të besimit që NATO-ja, përmes KFOR-it, ka ndaj Policisë së Kosovës.
Ai tha se institucionet e Republikës duhet të vazhdojnë të veprojnë në mënyrë profesionale dhe gjithëpërfshirëse, duke e vlerësuar vazhdimisht rrezikun përmes patrullimeve dhe praktikave të tjera të njohura institucionale. Sipas Imerit, Policia e Kosovës ka garantuar deri tani siguri për të gjithë qytetarët, pa dallim etnie, dhe kjo qasje ka dhënë rezultate.
Profesori shtoi se vendimi për tranzicionin e pranisë së KFOR-it përbën konfirmim të rritjes së paqes dhe sigurisë, si dhe të kapaciteteve të institucioneve të Republikës së Kosovës, veçanërisht atyre të sigurisë, për të marrë përsipër funksione të tilla.
Eksperti i sigurisë Mentor Vrajolli e konsideroi gjithashtu pozitiv vendimin, duke u bazuar në deklarimin zyrtar të KFOR-it se ai lidhet me përmirësimin e sigurisë. Ai tha se ky proces nuk nënkupton domosdoshmërisht krijimin e një konflikti në veri apo në zona të tjera të Kosovës.
Sipas Vrajollit, Policia e Kosovës po e kryen detyrën e saj dhe po ofron siguri për të gjitha komunitetet. Ai theksoi se Kosova është më e sigurt se sa ka qenë ndonjëherë, ndërsa në veri është shënuar një progres jashtëzakonisht i madh, çka mund të ketë ndikuar edhe në vendimin e KFOR-it për të nisur tërheqjen.
KFOR-i bëri të ditur më tej se shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë, gjenerali Millan Mojsilloviq, është informuar rregullisht për procesin e tërheqjes së trupave nga zona mbi lumin Ibër. Misioni theksoi gjithashtu se personeli i tij është i pozicionuar në mënyrë të përshtatshme për t’iu përgjigjur çdo zhvillimi relevant.
Ervin Salianji ka ngritur akuza të forta ndaj qeverisë së kryeministrit Edi Rama, duke pretenduar se Shërbimi Informativ i Shtetit…
Në moshën 18-vjeçare mahniti Anglinë me fanellën e Manchester Unitedit, shënoi në Kupën e Botës dhe fitoi medaljen e bronztë…
Aktivisti Arben Kola dhe Dritan Goxhaj janë shoqëruar nga policia. Sot mbahet protesta e 135 kundër qeverisë. Gjatë fjalimeve dhe…
Zëvendëskryeministri i parë, Bekim Sali, ka përshëndetur nisjen e punimeve për autostradën Bukojçan–Kërçovë, duke e cilësuar këtë projekt si një…
Lutfi Haziri nga LDK derisa ka deklaruar se viti 2027 është vit i LDK-së ngase janë zgjedhjet e rregullta mandatore. Ai…
Pierre Kalulu ka zgjuar interesimin e disa gjigantëve evropianë, ndërsa Juventusi po punon për t’ia vazhduar kontratën dhe për ta…