Një vendndodhje e re, ku dyshohet se mund të ketë mbetje mortore të personave të zhdukur gjatë luftës, është zbuluar në Zubin Potok. Lajmi u bë i ditur të dielën nga autoritetet ligjzbatuese të Kosovës.
None found
Përmes një komunikate të përbashkët, Policia e Kosovës dhe Prokuroria Speciale njoftuan se vendi është identifikuar në fshatin Jabukë, gjatë hetimeve që po zhvillohen lidhur me rastin në Zubin Potok.
Sipas ministrit në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, nga ky lokacion deri tani janë zhvarrosur katër trupa.
Profesori Gurakuç Kuçi vlerëson se identifikimi i vendeve të reja të dyshuara si varreza masive ngre pikëpyetje nëse kontrolli i pandërprerë i Serbisë në veri të Kosovës është përdorur edhe për të mbuluar gjurmët e krimeve të luftës.
Kuçi e kritikon Serbinë për mungesën e bashkëpunimit në ndriçimin e fatit të personave të zhdukur, ndërsa sjell në vëmendje edhe rehabilitimin e figurave që lidhen me njësitë e akuzuara për krime gjatë luftës.
“Me çdo lokacion të ri që zbulohet në veri të Kosovës dhe që dyshohet se fsheh varreza masive, bëhet më e pashmangshme pyetja nëse mbajtja e vazhdueshme e veriut nën kontrollin e Beogradit kishte si një prej qëllimeve edhe fshehjen e provave të krimeve të luftës.
Për më shumë se dy dekada, Serbia punoi për ta ruajtur ndikimin në veri përmes strukturave paralele dhe grupeve kriminale të drejtuara nga Milan Radoiçiq. Si arsyetim u përdor retorika për ‘mbrojtjen e popullit serb’. Megjithatë, identifikimi i një vendi të dytë që dyshohet si varrezë masive i jep çështjes një përmasë tjetër, shumë më të rëndë: dyshimin se ky kontroll mund të jetë shfrytëzuar edhe për të penguar zbulimin e plotë të krimeve të luftës.
Në vend që të kontribuojë për sqarimin e fatit të të zhdukurve dhe të vërë në dispozicion arkivat policore e ushtarake, Serbia po përcjell sinjale krejtësisht të kundërta. Ivica Daçiq përuroi monumentin kushtuar Brigadës së 37-të të Motorizuar, e cila lidhet me disa prej krimeve më të rënda të dokumentuara ndaj civilëve shqiptarë në Kosovë, dhe deklaroi se pjesëtarët e saj ishin ‘heronj të luftës’, jo kriminelë”, shprehet ai.
Sipas Kuçit, mënyra se si zyrtarët serbë kanë reaguar ndaj zbulimit të varrezave masive, së bashku me madhërimin e njësive të lidhura me krime lufte, dëshmon se mungon gatishmëria për t’u përballur me të kaluarën.
Ai thekson se drejtësia dëmtohet edhe nga sulmet kundër personave që kontribuojnë në zbardhjen e fatit të të zhdukurve.
Në këtë kontekst, Kuçi përmend edhe dy vendndodhjet e zbuluara në Zubin Potok, të cilat dyshohet se janë varreza masive.
“Vetëm pak ditë më pas, ai i sulmoi edhe serbët që u tregojnë shqiptarëve dhe kroatëve se ku ndodhen varret e shqiptarëve në Serbi. Në vend që kontributi për nxjerrjen e së vërtetës të mbështetet, edhe dëshmia konsiderohet tradhti.
Ndërkohë, Snezhana Paunović, bashkëpartiakja dhe partnerja e tij në qeverisje, deklaroi se, po të kishte qenë në pozitën e Sllobodan Millosheviqit më 1998, do ta kishte spastruar etnikisht Kosovën. Daçiq nuk u distancua nga deklarata e saj.
Kur një shtet lartëson njësi të lidhura me krime lufte, mbron deklarata që bëjnë thirrje për spastrim etnik dhe godet ata që ndihmojnë në gjetjen e varrezave masive, kjo tejkalon mohimin e së kaluarës. Bëhet fjalë për një politikë që vazhdon t’i mbrojë autorët, të pengojë vendosjen e drejtësisë dhe të përhapë idenë se ‘kush bënë krime kundër shqiptarëve nuk do të ndiqet penalisht, por do të shpallet hero’.
P.S.
Gjatë pak ditëve janë gjetur dy vende të dyshuara si varreza masive në pjesën veriore të Kosovës. Lokacioni i parë ka të bëjë me gërmimet në Kalludër të Vogël, në Zubin Potok, të nisura pas arrestimit të dy personave të dyshuar për krime lufte. Aty dyshohet se mund të ndodhen mbetjet e disa prej 23 shqiptarëve të rrëmbyer në prill 1999. Një tjetër lokacion është identifikuar ndërkohë në Jabukë, gjithashtu në Zubin Potok, duke forcuar dyshimet se në veri vazhdojnë të ketë vende ku viktimat e luftës janë fshehur dhe ende presin të gjenden”, përfundon Kuçi.
Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion (SPAK) ka reaguar pas lajmeve të publikuara në mediat italiane dhe më pas në ato shqiptarë, ku i…
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka shkarkuar nga detyra ambasadoren e Ukrainës në Shtetet e Bashkuara, Olha Stefanishyna, vendim që ishte…
Ministria e Shëndetësisë njofton opinionin se situata epidemiologjike në Gostivar po monitorohet vazhdimisht nga institucionet kompetente shëndetësore."Gjatë 3 gushtit janë…
Nga qeveria e Kosovës njoftojnë se kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, priti në takim kryetarin e Lidhjes Shqiptare,…
Chelsea po përgatit transferimin e fundit të madh të kësaj vere, pasi trajneri Xabi Alonso ka identifikuar një nga portierët…
Gjykata Themelore në Prishtinë edhe në rigjykimin e katërt për rastin e vrasjes së N.S., në qendër të Prishtinës në…