Categories: kosovë

Uashingtoni mban të pandryshuar qëndrimin për Dialogun Strategjik me Kosovën

Departamenti amerikan i Shtetit ka konfirmuar sërish se rifillimi i Dialogut Strategjik me Kosovën kushtëzohet nga plotësimi i disa parakushteve, ndër të cilat veçohet respektimi i angazhimeve të marra ndaj komunitetit serb në Kosovë.

Të lidhura

None found

Në një deklaratë dhënë Radios Evropa e Lirë më 13 tetor, DASH-i përsëriti pozicionin e shprehur që në korrik, pa dhënë detaje nëse Prishtina ka shënuar ndonjë progres në përmbushjen e kërkesave apo cilat masa konkrete ende nuk janë ndërmarrë.

“Ne vazhdojmë të jemi të angazhuar për të avancuar interesat e përbashkëta të Shteteve të Bashkuara dhe qytetarëve të Kosovës”, u shpreh një zëdhënës i Departamentit të Shtetit për Radion Evropa e Lirë.

Ky rikonfirmim i qëndrimit vjen pas kërkesës së presidentes së Kosovës, Justina Shiroka Pula, e cila gjatë një takimi më 12 tetor në Prishtinë me senatorët amerikanë Jeanne Shaheen dhe Dick Durbin, kërkoi rifillimin e Dialogut Strategjik. Sipas komunikatës së Presidencës, ajo vuri në dukje rëndësinë që ka ky dialog për forcimin e partneritetit dhe çuarjen përpara të prioriteteve të përbashkëta.

Në një intervistë për Radio Televizionin e Kosovës, senatorja Shaheen u shpreh se do të ishte pozitive që Dialogu Strategjik të rikthehej, por përmendi si pengesa ndryshimet brenda administratës dhe Departamentit të Shtetit amerikan.

Departamenti i Shtetit kujtoi se Dialogu Strategjik u pezullua për një kohë të papërcaktuar në shtator të vitit 2025, për shkak të shqetësimeve lidhur me veprimet e Qeverisë së atëhershme në detyrë. Ky vendim erdhi menjëherë pasi autoritetet kosovare ndërmorën masa ndaj strukturave paralele serbe që vepronin në territorin e Kosovës.

Radio Evropa e Lirë ka kontaktuar Qeverinë e Kosovës për të mësuar se çfarë hapash po ndërmerren aktualisht për të siguruar rifillimin e Dialogut Strategjik.

Shtuni: Qëndrimi nuk ndryshon thjesht me kalimin e kohës

Adrian Shtuni, ekspert për siguri dhe politikë të jashtme me seli në Uashington, thekson se çdo ndryshim në qëndrimin amerikan do të varet nga trajtimi i shkaqeve që sollën pezullimin fillestar.

“Për momentin qëndrimi mbetet i pandryshuar pasi Kosova ka ngecur në vend në shumë aspekte prej gati dy vitesh”.

Ai e sheh si sinjal pozitiv marrëveshjen politike që çoi në zgjedhjen e presidentes Shiroka Pula, por nënvizon se për të rifilluar Dialogu Strategjik nevojiten veprime shtesë.

“Pa masa konkrete dhe urgjente për të krijuar rrethanat e duhura, për t’iu përgjigjur kërkesave të SHBA-ve dhe për të nderuar zotimet e mëparshme, nuk e shoh si realiste mundësinë e rifillimit të dialogut strategjik”, deklaroi Shtuni për REL-in.

Sipas tij, Kosova duhet të intensifikojë edhe përpjekjet e saj diplomatike në Uashington.

Ai vlerëson se vizitat dhe angazhimi i senatorëve amerikanë ndihmojnë që Kosova të mbetet në qendër të vëmendjes së politikës amerikane, por vendimi për Dialogun Strategjik i takon degës ekzekutive.

“Faktori vendimtar mbetet ndërmarrja e hapave konkretë nga autoritetet kosovare për të adresuar çështjet që çuan në pezullimin e dialogut”.

Çfarë kërkohet nga Kosova në lidhje me serbët?

Në përgjigjen më të fundit, DASH-i nuk specifikoi se cilat detyrime konkrete duhet të përmbushen. Megjithatë, prej vitesh SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian i kanë bërë thirrje Kosovës të zbatojë marrëveshjet e arritura në dialogun me Serbinë, të lehtësuar nga Brukseli. Ndër to, më kryesorja është sigurimi i një shkalle të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, çka nënkupton krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, në përputhje me Marrëveshjen Bazë të vitit 2023 dhe Aneksin e Ohrit.

Pas kërkesës së presidentes Shiroka Pula për rifillimin e Dialogut Strategjik, Radio Evropa e Lirë iu drejtua Presidencës së Kosovës për të marrë qëndrimin e saj mbi themelimin e Asociacionit, por deri në momentin e publikimit të këtij artikulli nuk pati asnjë përgjigje.

Ndërkohë, Perëndimi kërkon gjithashtu që Kosova të zgjidhë mosmarrëveshjet me Kishën Ortodokse Serbe, të garantojë liritë fetare dhe të shmangë veprime të njëanshme në veriun e vendit, të cilat sipas Uashingtonit kanë tensionuar marrëdhëniet me komunitetin serb.

Çështja e zbatimit të marrëveshjeve ishte ndër temat që përfaqësuesit e Listës Serbe ngritën gjatë takimit me senatorët Shaheen dhe Durbin në Ambasadën amerikane në Prishtinë.

Sipas njoftimit të kësaj partie, kryetari Zlatan Elek dhe shefi i grupit parlamentar Igor Simiq shprehën shqetësime për të drejtat dhe sigurinë e serbëve, duke vënë theksin veçanërisht te mosthemelimi i Asociacionit dhe çështja e përfaqësimit të serbëve në institucione. Njoftimi nuk përmendi qëndrimet e senatorëve për këto çështje.

Kosova argumenton se zbatimi i detyrimeve nga dialogu me Serbinë duhet të jetë i ndërsjellë, ndërsa veprimet e saj në veri — nga heqja e dinarit serb nga qarkullimi deri te mbyllja e shumicës së institucioneve paralele serbe — kishin si qëllim shtrirjen e sundimit të ligjit.

Prishtina gjithashtu insiston që Serbia ta nënshkruajë Marrëveshjen Bazë, diçka që Beogradi deri më tani e ka refuzuar.

Për vazhdimin e dialogut me Serbinë, autoritetet kosovare kërkojnë ekstradimin e Milan Radoiçiqit, ish-nënkryetarit të Listës Serbe, i cili ka pranuar përgjegjësinë për sulmin e armatosur në Banjskë në shtator të vitit 2023.

Radoiçiq ndodhet nën sanksione të Shteteve të Bashkuara për përfshirje në korrupsion dhe aktivitete të krimit të organizuar, ndërsa në Kosovë është ngritur aktakuzë kundër tij për terrorizëm dhe vepra të tjera penale.

Çfarë do të thotë pezullimi i Dialogut Strategjik në praktikë?

Shtuni e përshkruan pezullimin si një “ndëshkim politik dhe diplomatik” që ka pasoja konkrete për Kosovën, pasi “ngrin një kuadër të planifikuar bashkëpunimi në nivel të lartë”.

Sipas tij, Kosovës i duhet veçanërisht mbështetja politike dhe diplomatike e SHBA-së për të siguruar njohje të reja dhe për t’u anëtarësuar në organizata ndërkombëtare, sidomos në NATO.

“Pa një mbështetje të fuqishme nga SHBA-të në të gjitha këto fusha, Kosova fatkeqësisht mbetet në vendnumëro”, tha ai për REL.

Shtuni vlerëson se mundësitë e humbura prekin edhe ekonominë.

“Për sa kohë që dialogu mbetet i pezulluar, Kosova humbet mundësinë për të thelluar në mënyrë sistematike bashkëpunimin ekonomik, tregtinë, lehtësimin e investimeve dhe koordinimin më të gjerë diplomatik me SHBA-të”.

Sipas tij, kjo vonon nisma të reja të përbashkëta në sektorë jetikë për Kosovën si energjia, infrastruktura dhe lidhjet tregtare, duke “kufizuar gjithashtu aftësinë e Kosovës për të forcuar pozicionimin e saj ndërkombëtar dhe për të shfrytëzuar partneritetin për avancimin e qëllimeve strategjike euroatlantike”.

Shtuni thekson se pezullimi i këtij mekanizmi nuk do të thotë ndërprerje e plotë e bashkëpunimit. Ai shpjegon se bashkëpunimi thelbësor vazhdon në fushën e sigurisë dhe në ngritjen e kapaciteteve ushtarake të Kosovës, ndërsa pezullimi prek kryesisht kornizën e nivelit të lartë për zgjerimin e partneritetit.

Kosova synon të thellojë më tej bashkëpunimin në fushën e sigurisë duke propozuar që kampi Bondsteel të shndërrohet në bazë të përhershme amerikane. Senatori Dick Durbin tha se ky propozim meriton shqyrtim serioz dhe se Qeveria e Kosovës ka paraqitur edhe një marrëveshje financiare për këtë qëllim.

Radio Evropa e Lirë iu drejtua Pentagonit dhe Qeverisë së Kosovës për detaje mbi propozimin, por deri në publikimin e këtij shkrimi nuk mori asnjë përgjigje.

Shtuni vlerëson se propozimi financiar i Kosovës për ta kthyer kampin Bondsteel në bazë të përhershme nuk është i parëndësishëm, por thekson se vendimi i Uashingtonit do të varet kryesisht nga interesat strategjike dhe ushtarake, në një kohë kur SHBA-ja po rishqyrton praninë e saj ushtarake në Evropë.

“Gjasat janë të ulëta që të marrë përgjigje pozitive nga administrata aktuale që ndërkohë po shqyrton seriozisht reduktimin e pranisë ushtarake në Evropë”, përfundoi Shtuni për REL.

Tags: DialogSHBA

të fundit

Studentët e Mjekësisë zbarkojnë në qendër, drejt Ministrisë së Arsimit (VIDEO)

Studentët e Fakultetit të Mjekësisë vijojnë marshimin në qendër të Tiranës, duke shoqëruar protestën me thirrjet “Rama në burg” dhe…

9 seconds ago

Hoti shpreh dyshime për efektin e ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara

Ministri Andin Hoti ka shprehur rezerva nëse ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës do të sjellin rezultatet…

1 minute ago

European Democrats: Edi Rama must take responsibility for what is happening in Albania; state violence against young people is concerning! This is not Europe

Demokratët Europianë, kanë reaguar sërish ndaj dhunës së policisë ndaj të rinjve në protestën e djeshme në Ministrinë e Arsimit…

2 minutes ago

Meloni criticizes Trump’s approach to Russian oil: Benefits uncertain, risks clear

Kryeministrja italiane Giorgia Meloni ka kritikuar vendimin e presidentit amerikan Donald Trump lidhur me naftën ruse, duke paralajmëruar se një…

2 minutes ago

Revolution/ Medical students boycott classes, head to city center for protest (VIDEO)

Këtë të mërkurë, studentët e Fakultetit të Mjekësisë, kanë bojkotuar mësimin. Protestat e djeshme para Ministrisë së Arsimit, ku kishte…

3 minutes ago

Students of “Partizani” high school take to the streets, set fire to trash bins, block traffic

Sot më 14 tetor është zgjeruar protesta e të rinjve në Tiranë. Gjatë ditës së sotme, edhe nxënësit e gjimnazit…

3 minutes ago