Categories: kosovë

Trazirat në Shqipëri shtojnë shqetësimin për një përshkallëzim të mundshëm, çfarë qëndrimi duhet të mbajë Kosova?

Edhe të premten, protestat kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama vijuan në Shqipëri, ku studentët dhe nxënësit e shkollave të mesme dolën sërish në rrugë për të katërtën ditë radhazi, duke kërkuar ndryshime politike dhe dorëheqjen e kreut të ekzekutivit.

Të lidhura

None found

Demonstrata, e cila ka marrë hov të konsiderueshëm në ditët e fundit, është përcjellë me tensione dhe përplasje mes protestuesve dhe forcave të policisë. Në zemër të kryeqytetit, turma e ka përqendruar vëmendjen te disa institucione kyçe shtetërore, përfshirë zyrën e Kryeministrit, parlamentin dhe Bashkinë e Tiranës.

Gjatë protestave janë shënuar edhe dëme në pasurinë publike dhe private. Situata u acarua veçanërisht pranë godinës së Kryeministrisë, ku një kioskë u përfshi nga zjarri, ndërsa forcat e rendit u përgjigjën me gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën.

Demonstruesit u përpoqën gjithashtu të afroheshin pranë selisë së Partisë Socialiste, por forcat policore i penguan ata të vijonin marshimin në atë drejtim.

Megjithëse presioni nga ana e protestuesve po shtohet, kryeministri Edi Rama ka deklaruar se nuk ka ndërmend të japë dorëheqjen. Sipas tij, çdo ndryshim në qeverisje dhe largimi nga pushteti duhet të bëhet përmes zgjedhjeve demokratike.

Ky qëndrim ka thelluar më tej hendekun mes qeverisë dhe demonstruesve, të cilët kundërshtojnë politikat e ekzekutivit dhe kërkojnë largimin e kryeministrit para përfundimit të mandatit.

Pjesëmarrja e studentëve dhe gjimnazistëve i ka dhënë protestës një energji të re, duke zgjeruar bazën e pjesëmarrësve dhe duke rritur trysninë mbi institucionet. Krahas Tiranës, tubime dhe demonstrata solidarizuese janë zhvilluar edhe në qytete të tjera, si Durrësi, Shkodra dhe Korça.

Zhvillimet e fundit në Shqipëri kanë ngjallur interes edhe në Kosovë, duke ngritur pyetjen se çfarë roli duhet të luajë ajo në këtë situatë.

Si duhet të veprojë Kosova?

Publicisti Fadil Lepaja vlerëson se Kosova duhet të merret me çështjet e veta, të monitorojë situatën dhe të ndërhyjë vetëm nëse Shqipëria kërcënohet nga jashtë.

Sipas tij, qeveria e Kosovës duhet t’ia lërë qeverisë shqiptare hapësirën për të gjetur kompromise me protestuesit.

“Mendoj se një ndërhyrje nga Kosova nuk do të mirëpritej nga qytetarët e Shqipërisë dhe kjo do të çonte në luftë civile atje. Kosova duhet të fokusohet te puna e vet dhe, në bashkëpunim me faktorin ndërkombëtar, duhet të ndjekë zhvillimet dhe të përfshihet vetëm nëse Shqipëria rrezikohet nga jashtë. Diplomacia kosovare duhet të forcojë marrëdhëniet me fqinjët, veçanërisht Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi, si dhe me faktorin shqiptar atje, për të parandaluar çdo përpjekje që ky zjarr të përhapet në rajon. Protestat në Shqipëri dhe Serbi nuk është e qartë se çfarë synojnë dhe kush qëndron pas tyre, prandaj duhet t’i lihet qeverisë shqiptare, ashtu si qeveria e Kosovës, të arrijë kompromiset e veta me protestuesit dhe të çlirojnë energjinë negative,” u shpreh Lepaja për “Bota sot”.

Lepaja thotë se qeveria shqiptare mund të gjejë kompromis me qytetarët, por për këtë duhet të hapet një tryezë publike ku do të diskutoheshin çështjet kryesore.

“Mendoj se qeveria shqiptare mund të arrijë kompromis me qytetarët nëse ndalon projektet problematike dhe punon për artikulimin e një strukture dhe politike të protestuesve. Duhet të hapet një tryezë publike ku do të diskutoheshin çështjet kryesore që ngrenë studentët, përkatësisht të paralajmërohen zgjedhje të reja në vitin 2027. Shqipëria si anëtare e NATO-s në këtë fazë nuk guxon të luajë me kartën e bashkimit kombëtar, por duhet të jetë pjesë konstruktive e aleancës dhe të rikthejë bashkëpunimin institucional me Kosovën. Edhe Shqipëria, sikurse Serbia, duhet të kujdeset të mos e dëmtojë procesin evropian dhe të mos luajë me kufijtë në këtë zonë me potencial të lartë për rindezjen e konflikteve,” thekson publicisti.

Sipas Lepajës, kërkesat e protestuesve janë plotësisht legjitime dhe Rama duhet të tregohet i kujdesshëm që të mos projektojë ide për ta kthyer Shqipërinë në një “parajsë” pa shqiptarë.

Në vlerësimin e tij, idetë dhe projektet duhet të diskutohen me rininë dhe vendimi të merret së bashku me ta.

“Edhe Edi Rama duhet të përmbahet nga përdorimi i panevojshëm i forcës dhe të jetë i durueshëm me protestuesit paqësorë. Kërkesat e protestuesve janë plotësisht legjitime dhe Edi Rama duhet të kujdeset që të mos projektojë ide për ta bërë Shqipërinë një ‘parajsë’ pa shqiptarë. Duhet ndjekur ritmi i popullit. Nëse popullsia largohet nga vendi, kujt i hyjnë në punë investimet miliardëshe. Pra, mendoj se këto ide dhe projekte jo vetëm që duhet t’i diskutojë me rininë, por edhe të marrë vendim bashkë me ta, pasi në fund të fundit ata do ta trashëgojnë,” përfundon Lepaja për “Bota sot”.

“Protesta në Shqipëri ka kaluar kufijtë e vandalizmit, Kosova nuk duhet të bëhet pjesë e skenarëve destabilizues”

Ndërkohë, analisti nga Shqipëria Ilir Vata thotë se protestat kanë kaluar nga pakënaqësitë politike në një fazë më të rëndë, të karakterizuar nga dhuna dhe vandalizmi.

Sipas tij, protesta ka pasur arsye të rëndësishme që lidhen me funksionimin e shtetit, mungesën e meritokracisë, problemet me sistemin zgjedhor dhe vështirësitë ekonomike, por përshkallëzimi i dhunës rrezikon të cenojë sigurinë e qytetarëve dhe stabilitetin e vendit.

Vata ka theksuar se institucionet shqiptare duhet të tregojnë përgjegjësi dhe aftësi për të menaxhuar situatën, duke respektuar njëkohësisht të drejtën e qytetarëve për të protestuar. Ai vlerësoi se dhuna e ditëve të fundit ka marrë përmasa shqetësuese, duke përfshirë sulmet ndaj institucioneve dhe bizneseve.

Duke folur për marrëdhëniet mes Kosovës dhe Shqipërisë, analisti ka hedhur poshtë pretendimet se kryeministri Albin Kurti apo qytetarët e Kosovës mund të kenë rol në destabilizimin e situatës në Shqipëri. Përkundrazi, ai argumentoi se stabiliteti i dy vendeve është i lidhur ngushtë dhe se destabilizimi i njërës do të kishte pasoja edhe për tjetrën.

“Nuk mendoj se Kosova ka gisht në këtë çështje. Nuk besoj se ne mund të jemi fajtorë tani, as njerëzit, as shtetet. E kam ndier edhe te politikanë të tjerë që kërkojnë t’ua hedhin fajin të tjerëve, t’ua hedhin jo izraelitëve, jo rusëve, jo kinezëve, jo Kosovës, jo Albin Kurtit. Kjo është një trazirë e kuptueshme. Politikë e vjetër, punë të reja. Të rinjtë janë ngritur. Sigurisht, ata mund të përdoren, por nuk mendoj se Kosova është pjesë e këtij zinxhiri për ta destabilizuar Shqipërinë, sepse destabilizimi i Shqipërisë është edhe destabilizimi i Kosovës,” deklaroi Vata për “Bota sot”.

Duke analizuar zhvillimet në Tiranë, Vata ka bërë dallimin mes pakënaqësive që kanë nxitur protestat dhe mënyrës se si ato janë zhvilluar gjatë ditëve të fundit. Sipas tij, protestat kanë kaluar në disa faza, duke filluar me pakënaqësitë e grupeve të caktuara, për t’u ndërthurur më pas me politikën dhe për të marrë një dimension më të gjerë me përfshirjen e studentëve.

Ai vlerësoi se mungesa e një drejtimi të qartë të protestës dhe mosbesimi ndaj aktorëve politikë kanë krijuar hapësirë për interpretime të ndryshme mbi atë se kush qëndron pas lëvizjes dhe cilat janë qëllimet e saj.

Vata tha se, në ditët e para të protestave, ka dënuar dhunën policore ndaj të rinjve, duke e konsideruar atë provokuese. Megjithatë, sipas tij, situata ka ndryshuar ndjeshëm me përshkallëzimin e dhunës, e cila tashmë, në vlerësimin e tij, ka tejkaluar kufijtë e një proteste të zakonshme.

“Në ditët e para, unë, jo vetëm si gazetar investigativ, por edhe si kryetar i Partisë së Demokratëve, e dënoj dhunën e policisë ndaj të rinjve, sepse ishte provokim. Dhe ditën e dytë, pra dje, filloi një dhunë e gjerë, një dhunë masive, një dhunë përtej kufijve të dhunës. As në vitin ’98, kur Partia Demokratike ishte në pushtet, kur Partia Socialiste ishte në pushtet dhe Partia Demokratike rebelohej, nuk kishte një dhunë me përmasa të tilla, sa studentët, qytetarët ose protestuesit, demonstruesit e ndryshëm, të sulmonin jo vetëm institucionet kryesore, por edhe bizneset,” u shpreh ai.

Sipas analistit, përshkallëzimi i situatës ka krijuar një gjendje pasigurie, ndërsa institucionet shtetërore duhet të dëshmojnë se janë në gjendje ta ushtrojnë autoritetin e tyre pa shkelur të drejtat themelore të qytetarëve.

“Unë do të sugjeroja që shteti duhet të bëhet shtet, të tregojë kapacitetet e veta, të respektojë të drejtat e qytetarëve dhe të ushtrojë pushtetin duke garantuar jetën e qytetarëve në tërësi, të institucioneve dhe të protestuesve,” deklaroi Vata.

Ai ka ngritur edhe mundësinë e marrjes së masave të jashtëzakonshme, duke argumentuar se situata duhet të trajtohet me seriozitet nga institucionet përgjegjëse.

“Protesta në Shqipëri ka kaluar përtej vandalizmit, ka kaluar në rrugaçëri, saqë po ngjall frikë në Tiranë dhe qytetarët duhet të mobilizohen. Mendoj se shteti shqiptar duhet ta marrë seriozisht mbledhjen e Këshillit Kombëtar dhe të vendosë gjendjen e jashtëzakonshme, që mund të përdorë edhe ushtrinë,” tha ai.

Nga ana tjetër, Vata ka kundërshtuar interpretimet që përpiqen ta lidhin kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, me protestat apo me përpjekjet për destabilizimin e Shqipërisë. Ai kujtoi se Kosova ka kaluar një periudhë të gjatë paqartësish politike, të shoqëruar me zgjedhje të njëpasnjëshme, ndërsa së fundmi ka arritur ta zgjidhë çështjen e presidentit.

Sipas tij, dallimet politike dhe qëndrimet individuale ndaj Kurtit nuk duhet të shndërrohen në akuza ndaj Kosovës apo në përpjekje për ta paraqitur atë si pjesë të një skenari kundër Shqipërisë.

“Albin Kurti është kryeministri i qeverisë së shqiptarëve në Kosovë dhe, pas një kaosi të vjetër rreth dyvjeçar, me zgjedhje pas zgjedhjesh, Albin Kurti arriti dhe ia doli. Zgjodhi presidentin, një president të mirëpritur, pozitiv, dhe konflikti me ndërkombëtarët, pra Kosova ia doli. Nuk mendoj se Kosova, siç është Albin Kurti personalisht, pavarësisht pikëpamjeve të mia apo të të tjerëve që i gjykojnë si të marra, të jetë kundër idealit, kundër Shqipërisë së vet,” deklaroi Vata për Bota sot.

Ai ka theksuar se qytetarët e Kosovës nuk duhet të përfshihen në veprime që do të dëmtonin institucionet, bizneset apo sigurinë në Shqipëri, pasi një sjellje e tillë do të binte ndesh me interesin e përbashkët kombëtar.

“Absolutisht, kosovarët nuk kanë pse të bëhen Prometeu për ta djegur kryeqytetin e kombit, Tiranën. Kosovarët duhet të jenë mbështetësit e të drejtave të shqiptarëve. Në këtë aspekt, hajde e prit. Kurse ata nuk mund të jenë pjesë e një skenari që i bën dëm Shqipërisë, në zemër të kombit, që është Tirana. Dhe nuk mendoj kurrsesi që një kosovar të dalë e të djegë një bankë në Shqipëri apo një biznes,” u shpreh ai.

Vata ka paralajmëruar se zhvillimet në Shqipëri duhet të ndiqen me kujdes edhe nga institucionet e Kosovës, pasi, sipas tij, pasojat e një destabilizimi të mundshëm nuk do të kufizoheshin vetëm brenda territorit shqiptar.

“Edhe Kosova, në këtë aspekt, duhet të jetë e vëmendshme, kryeministri Albin Kurti dhe presidenti i Kosovës, sepse mendoj se kjo gjë mund të jetë më e thellë. Mund të jetë një destabilizim në zemër të kombit tonë, për të krijuar opsione të tjera që mund t’i kenë dashakeqësit tanë, serbët dhe fqinjët tanë,” tha analisti.

Megjithatë, ai nuk e ka paraqitur Kosovën si pjesë të këtij rreziku, por ka insistuar se bashkëpunimi midis dy vendeve është thelbësor për ruajtjen e stabilitetit dhe për avancimin e interesave të shqiptarëve në arenën ndërkombëtare.

Duke u ndalur te shkaqet që kanë nxitur pakënaqësitë në Shqipëri, Vata ka vlerësuar se protesta ka qenë e nevojshme, pasi, sipas tij, një sërë problemesh politike, institucionale dhe ekonomike kanë mbetur pa zgjidhje.

Ai ka përmendur mungesën e meritokracisë, çështjet që lidhen me kodin zgjedhor, marrëveshjet territoriale, reformën zgjedhore dhe problemet me pagat e çmimet. Sipas tij, këto janë çështje që kërkojnë trajtim serioz dhe përfshirjen e aktorëve politikë, përfshirë opozitën.

“Se si do të ndikojë kjo protestë në arenën ndërkombëtare, te shqiptarët brenda dhe jashtë vendit, përfshirë të gjithë të rinjtë shqiptarë edhe në diasporë, kjo protestë ka qenë e nevojshme. Ka qenë shumë e nevojshme, sepse shteti, në një farë mënyre, kishte marrë kërcënci, siç themi ne. Kishte shumë gjëra që nuk funksiononin. Meritokracia ishte vrarë, kodi zgjedhor i parazgjedhur, ligji i koalicionit parazgjedhor, marrëveshjet territoriale u bënë pa bashkëpunimin e palëve,” deklaroi ai.

Analisti ka shprehur shqetësimin se një reformë zgjedhore pa përfshirjen e opozitës mund të ndikojë negativisht në funksionimin e demokracisë dhe në rolin e partive politike. Në të njëjtën kohë, ai ka theksuar se pakënaqësitë politike nuk mund të ndahen nga vështirësitë ekonomike me të cilat përballen qytetarët.

Sipas tij, Shqipëria ka probleme me tregun, çmimet dhe pagat, ndërsa qytetarët presin që institucionet të ofrojnë zgjidhje konkrete. Për këtë arsye, ai e sheh protestën si shprehje të një pakënaqësie më të gjerë, e cila nuk duhet të reduktohet vetëm në përplasjen mes pozitës dhe opozitës.

Vata ka paralajmëruar gjithashtu se tensionet e brendshme mund të ndikojnë në perceptimin ndërkombëtar për Shqipërinë dhe për rajonin, në një kohë kur Ballkani vazhdon të jetë i ekspozuar ndaj rivaliteteve dhe ndikimeve të jashtme.

Në përfundim të prononcimit, Vata ka theksuar se Kosova dhe Shqipëria duhet të trajtohen si dy shtete me interesa të ndërlidhura kombëtare, politike dhe strategjike. Sipas tij, bashkëpunimi mes tyre është i rëndësishëm jo vetëm për shqiptarët që jetojnë në të dyja vendet, por edhe për shqiptarët në diasporë dhe për stabilitetin e përgjithshëm të Ballkanit.

Ai ka rikujtuar të kaluarën e vështirë të të dy vendeve, duke theksuar se Shqipëria ka dalë nga diktatura, ndërsa Kosova ka kaluar një periudhë të gjatë të shtypjes dhe të luftës. Për këtë arsye, sipas tij, rajoni nuk ka nevojë për konflikte të reja, por për institucione demokratike, përgjegjësi politike dhe bashkëpunim me aleatët perëndimorë.

“Ajo që duhet të them është se pse Kosova dhe Shqipëria duhet të shihen si dy aktorë, si një qenie kombëtare që prodhon gjendjen e vet, ekzistencën kombëtare, ekzistencën e vlerave të shqiptarëve brenda dhe jashtë vendit, si dhe garancinë e stabilitetit në rajon. Sepse rajoni i Ballkanit shihet gjithmonë si një qendër zjarri. Përplasjet e botës perëndimore dhe të ndikimeve të mëdha në botë mund ta bëjnë atë një vatër zjarri, siç u bë Ukraina, duke trazuar gjithë Evropën dhe duke e futur botën në një konflikt të papërfunduar. Ballkani nuk ka më nevojë për konflikte,” theksoi Vata.

Ai ka shtuar se përgjegjësia për tejkalimin e situatës bie mbi institucionet dhe partitë politike shqiptare, të cilat duhet të gjejnë një rrugëdalje politike, pa cenuar të drejtën e qytetarëve për të protestuar.

Sipas tij, përballja me problemet e së kaluarës kërkon vendime politike dhe institucionale, ndërsa dhuna nuk duhet të shndërrohet në mjet për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve.

“Pra, politika në Shqipëri nuk ka armiq. Armiku i vetëm i politikës shqiptare është politika e vjetër. Dhe ajo po përballet në terren, po përballet fuqishëm, ndërsa institucionet shtetërore duhet të kenë kurajë për ta përballuar këtë situatë me kujdes, pa cenuar të drejtën e protestuesve. Duhet të kenë kurajë, në fund të fundit, edhe të dorëhiqen ose të gjejnë një mekanizëm politik. Të mblidhen partitë politike dhe të gjejnë mekanizmin: si ta shpëtojmë Shqipërinë nga e shkuara, nga e keqja,” përmbylli Ilir Vata në prononcimin për Bota sot.

Protestat kundër qeverisë shqiptare nuk janë një zhvillim i izoluar i këtyre katër ditëve. Demonstratat kanë vijuar prej më shumë se katër muajsh, me pjesëmarrje të qytetarëve që kundërshtojnë qeverisjen dhe kërkojnë përgjegjësi politike.

Përfshirja gjithnjë e më e madhe e të rinjve dhe përhapja e protestave jashtë Tiranës e kanë shtuar presionin mbi qeverinë Rama.

të fundit

Aktivisti Florian Haçkaj: Kemi depozituar padi në SPAK ndaj Ramës dhe drejtuesve të policisë, dhuna është e papranueshme, ne do ta detyrojmë kryeministrin të japë dorëheqjen

Aktivisti Florian Haçkaj, ka bërë të ditur se është depozituar një padi në SPAK, lidhur me veprimet e Policisë gjatë…

9 minutes ago

Manuel Neuer mund të vendosë një rekord të ri te Bayern Munich

Manuel Neuer mund të bëjë sot (e shtunë) historinë e Bayern Munichut. Portieri legjendar gjerman ka mundësinë të bëhet lojtari…

21 minutes ago

541 drejtues u ndëshkuan për shpejtësi të lartë gjatë gjashtë orëve të kontrolleve

Gjithsej 541 kundërvajtje për drejtim automjeti me shpejtësi mbi shpejtësinë e lejuar janë regjistruar në një kontroll të përforcuar aksionar…

23 minutes ago

Mos i dhunoni fëmijët, po mbroni hajdutët/ Protestuesi kërkon ndëshkimin e policit që rrëzoi të riun

Një tjetër protestues, gjatë tubimit para Ministrisë së Arsimit, ka kërkuar ndëshkimin e efektivit të policisë që, sipas tij, përplasi…

26 minutes ago

Si synon Kosova t’ia shpjegojë BE-së ligjin për Dhomat e Specializuara?

Shqetësimet e Bashkimit Evropian pas miratimit të ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë nxitur reagime në mesin e…

38 minutes ago

QSU-ja e FSK-së siguron për herë të parë riakreditim pesëvjeçar, njofton Maqedonci

Qendra për Studime Universitare (QSU) e Forcës së Sigurisë së Kosovës ka fituar për herë të parë riakreditimin pesëvjeçar, duke…

39 minutes ago