Analizat e ADN-së kanë përcaktuar se mbetjet mortore të gjetura gjatë gërmimeve në Kalludër dhe Jabukë, në veri të Kosovës, u përkasin tre personave të zhdukur gjatë luftës: Adem Ademit, Fatmir Fazliut dhe Ali Halitit.
Të tre ishin pjesë e të ashtuquajturit “Grupi i Intelektualëve” dhe u zhdukën në prill të vitit 1999, në zonën e Zubin Potokut.
None found
Lajmin për identifikimin e tyre e bëri publik kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duke njoftuar se ishte informuar nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur.
Lutfije Ademi Vokshi, motra e kirurgut Adem Ademi, i tha Radios Evropa e Lirë se identifikimi ishte lajm i rëndë për familjen. Për më shumë se 27 vjet, të afërmit kishin shpresuar se ai mund të ishte gjallë.
“Për mua, prej sot merr fund pyetja: ‘ku është?’. Tani e di ku e kam. Uroj që edhe familjarët e tjerë të personave të zhdukur të mos kenë më nevojë të pyesin: ‘ku e kam familjarin tim?’”, tha ajo.
Pas 27 vjetësh, familja do të ketë ku të çojë lule
Adem Ademi ishte një nga 23 intelektualët shqiptarë që u zhdukën në prill të vitit 1999, në zonën e Zubin Potokut, gjatë luftës në Kosovë.
Mes të zhdukurve kishte veprimtarë, profesionistë dhe figura të tjera publike nga rajoni i Mitrovicës. Motra e Ademit priti për 27 vjet të merrte vesh se çfarë kishte ndodhur me të.
Identifikimi, shpjegon Lutfije Ademi Vokshi, i ka dhënë fund pasigurisë së gjatë. Megjithatë, ajo pret që lehtësimi emocional të nisë pas varrimit.
“Besoj se lehtësimi do të vijë më pas, kur të bëhet ceremonia dhe ta dimë ku është varri, që t’i çojmë një buqetë me lule. Pjesa tjetër e lehtësimit të dhimbjes, besoj, do të vijë pas varrimit të tij”, tha ajo.
Ajo shpreson që edhe fati i personave të tjerë të zhdukur të zbardhet sa më shpejt, që familjet e tyre të mund të gjejnë sadopak qetësi.
“Plaga dhe dhimbja nga mungesa e familjarit mbeten. Por mjafton ta dinë se ku e kanë dhe të mos pyesin më: ‘ku është?’”, u shpreh ajo.
Edhe Erblin Ademi, djali i Adem Ademit, shkroi në rrjetet sociale se familja tashmë mund t’i japë të atit lamtumirën dhe nderimin që meriton.
Gërmimet dhe hetimi për zhdukjen e 23 intelektualëve
Punimet për gërmime në tri pika të Jabukës dhe Kalludrës, në veri të Kosovës, nisën në fund të korrikut. Aty u zbuluan mbetje mortore që dyshohej se u përkisnin të paktën 23 personave, mes tyre edhe anëtarë të “Grupit të Intelektualëve”.
Sipas Lutfije Ademi Vokshit, eshtrat e vëllait të saj u gjetën në Jabukë.
“Mes gjithë të këqijave, e mira është se Ademin e kanë gjetur të kompletuar, me trupin e plotë”, tha ajo.
Në shtator ishte konfirmuar më herët edhe identiteti i mbetjeve mortore të veprimtarit politik Idriz Rrecaj, i cili ishte gjithashtu pjesëtar i “Grupit të Intelektualëve”.
Deri tani janë arrestuar 13 persona në lidhje me zhdukjen e 23 intelektualëve.
Prokuroria Speciale e Kosovës ka deklaruar se zbulimi i varrezave masive në tri lokacionet veriore erdhi pas dy vjetësh hetime për krime të dyshuara lufte.
Pasi përfunduan gërmimet, mbetjet mortore u dërguan në Hagë për t’u identifikuar përmes analizave të ADN-së.
Instituti i Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë bën të ditur se mbi 1.500 persona vazhdojnë të figurojnë si të zhdukur nga lufta e viteve 1998-1999. Instituti ka dokumentuar në total 12.230 viktima të luftës.
Në maj të vitit 2023, Kosova dhe Serbia miratuan një deklaratë për personat e zhdukur, që parashikon bashkëpunim për zbardhjen e fatit të tyre. Ajo përfshin edhe qasjen në dokumente e informacione që mund të ndihmojnë në gjetjen e varrezave masive.
Zbatimi i deklaratës, megjithatë, është shoqëruar me vonesa dhe mospajtime mes palëve.
Një bisedë tronditëse mes Arlinda Zekajt dhe një zyrtari policor zbulon momentet kur ajo kërkonte të dinte nëse duhej të…
Ish-kryediplomati, Enver Hoxhaj, ka marrë pjesë në debatin e nivelit të lartë “Angazhimi i besueshëm në Jug”, në kuadër të…
Kryeministri Edi Rama zhvilloi këtë të martë një takim në Bruksel me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, ku…
Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, është takuar me gjeneralmajorin Christian Nawrat, zëvendëskomandant për Integrim në Komandën e Ushtrisë…
Analizat e ADN-së konfirmuan identitetin e tre personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë, mbetjet mortore të të cilëve u…
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur se janë identifikuar mbetjet mortore të tre qytetarëve shqiptarë,…