Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, zhvilloi takimin e parë me presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, më 22 shtator, në kuadër të Javës së Nivelit të Lartë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork. Zyra e Kryeministrit e bëri të ditur këtë takim më 2 tetor.
None found
Kurti deklaroi se gjatë bisedës e kishte falënderuar Trumpin për shtimin e investimeve në mbrojtje brenda NATO-s. Ai theksoi se Kosova synon të bëhet pjesë e kësaj aleance dhe e cilësoi SHBA-në si “aleatin kryesor, partnerin e pazëvendësueshëm dhe mikun special” të Kosovës.
Publicisti Fadil Lepaja e konsideron takimin një moment të rëndësishëm për diplomacinë kosovare, veçanërisht për prezantimin dhe mbrojtjen e interesave të vendit në skenën ndërkombëtare. Në një prononcim për “Bota sot”, ai tha se çdo takim i një zyrtari kosovar me presidentin amerikan përbën një mundësi të rëndësishme lobimi.
Sipas Lepajës, një kontakt i tillë mund të shërbejë për promovimin e synimeve të Kosovës për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare, me fokus te NATO dhe OKB-ja, por edhe për përfshirjen në zhvillimet e reja që po ndikojnë në krijimin e një rendi të ri ndërkombëtar.
Publicisti vlerëson se takimi duhet interpretuar edhe brenda kuadrit të marrëdhënieve të qëndrueshme mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara, të cilat, sipas tij, nuk varen nga ndryshimet politike në të dyja vendet.
Lepaja e sheh këtë zhvillim edhe si një sukses të qeverisjes së Kurtit. Ai shprehet se takimi përcjell mesazhin se, në planin gjeopolitik, as Kosova dhe as SHBA-ja nuk kanë paqartësi mbi raportin e tyre, duke nënvizuar se Kosova është mbështetur vazhdimisht te SHBA-ja dhe ka marrë prej saj përkrahje të fuqishme.
Ai shton se lidhja mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara ka një shtrirje më të madhe se mandatet e qeverive apo figurat që aktualisht mbajnë pushtetin.
Sipas tij, pavarësisht se kush udhëheq SHBA-në apo Kosovën, miqësia mes një superfuqie dhe një vendi të vogël, por dinjitoz të aleancës perëndimore, mbetet e fortë dhe e palëkundur. Lepaja e vendos këtë situatë në kontrast me fqinjët veriorë, të cilët, sipas tij, përballen me dilema dhe ndarje të thella gjeopolitike.
Në analizën e tij, Lepaja e lidh takimin Kurti–Trump edhe me përplasjet politike brenda Kosovës. Ai kujton se prej vitesh Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje janë akuzuar për qëndrime antiamerikane, pretendime që, sipas tij, nuk kanë pasur bazë të qëndrueshme dhe janë mbështetur kryesisht në deklaratat e një ish-zyrtari të lartë të administratës së mëparshme të presidentit Trump, roli i të cilit ka ndryshuar në administratën aktuale.
Duke iu referuar ish-emisarit amerikan Richard Grenell, publicisti argumenton se takimi në Nju Jork, përfshirë edhe kohëzgjatjen e tij, zbeh peshën e deklaratave të mëhershme që e paraqisnin kryeministrin Kurti si problematik në raport me Uashingtonin. Sipas tij, ky zhvillim i zhvlerëson deklarimet e Grenellit dhe të bashkëpunëtorëve të tij në partitë dhe mediat shqiptare e kosovare.
Lepaja beson se takimi mund të ketë ndikim edhe në rast se Kosova shkon sërish në zgjedhje. Ai vlerëson se një zhvillim i tillë do t’ua dobësonte zërin mbështetësve të Grenellit në Kosovë dhe mund t’i dekurajonte “Grenell-istët” në LDK që të kundërshtonin marrëveshjen për presidentin.
Në përfundim, publicisti e cilëson takimin si një zhvillim që ndikon drejtpërdrejt në peshën politike të këtij grupimi. Sipas Lepajës, takimi Kurti–Trump e nxjerr nga loja kartën politike dhe grupin e udhëhequr ende nga ish-emisari Richard Grenell.
Organizatori i protestës “Jo në emrin tim”, Çlirim Haziri, ka ftuar qytetarët të bashkohen sonte në ditën e 18-të të…
Moti i ngrohtë dhe temperaturat që arrijnë deri në 30 gradë kanë bërë që edhe në 3 tetor, plazhet e…
Këngëtari fierak Erind Xhaferaj ka mbërritur këtë të shtunë në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier,…
Moti i ngrohtë dhe temperaturat që arrijnë deri në 30 gradë kanë bërë që edhe në 3 tetor, plazhet e…
Ish-sulmuesi i Juventusit, Fabrizio Ravanelli, ka folur me superlativa për Edon Zhegrovën, duke theksuar se talenti kosovar duhet të ketë…
Këngëtari fierak Erind Xhaferaj ka mbërritur këtë të shtunë në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier,…