Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, dhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, pritet të takohen sot në orën 18:00, në objektin e Kuvendit të Kosovës.
None found
Ky takim zhvillohet në një moment delikat politik, pak ditë para mbajtjes së seancës konstituive të Kuvendit, teksa subjektet politike po përpiqen të gjejnë një rrugëdalje për krijimin e institucioneve të reja.
Bisedimet pritet të përqendrohen te mundësitë për bashkëpunim ndërmjet partive dhe te veprimet që mund të ndërmerren për kapërcimin e bllokadës institucionale.
Përballë sfidës së vazhdueshme për stabilitet institucional, takimi ndërmjet Kurtit dhe Abdixhikut konsiderohet një provë e gatishmërisë së tyre për të arritur marrëveshje politike.
Ftesa për diskutime u janë drejtuar edhe Partisë Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, por këto dy subjekte kanë mbajtur qëndrime të ndryshme. PDK-ja e ka refuzuar pjesëmarrjen, duke bërë të ditur se do të vazhdojë të jetë në opozitë. Në anën tjetër, AAK-ja ka përsëritur ofertën e saj me gjashtë pika, pjesë e së cilës është edhe zgjedhja e presidentit të ri, si dhe ka shprehur gatishmëri për dialog politik.
Drenori: Shpresoj që sonte të shihen rezultatet e para dhe të hapet një rrugë e re bashkëpunimi për zgjedhjen e presidentit
Analisti Xhavit Drenori ka deklaruar për “Bota sot” se nga takimi i sotëm mund të dalin veprime konkrete për kapërcimin e ngërçit politik, sidomos në lidhje me zgjedhjen e presidentit të ri.
Sipas tij, qëndrimet e shprehura nga Lumir Abdixhiku pas votëbesimit në LDK sinjalizojnë vullnet për të ndihmuar në zgjidhjen e situatës institucionale. Megjithatë, mbetet e paqartë nëse ky bashkëpunim mund të përfshijë edhe nivelin qeverisës.
Drenori tha se ka shumë shpresë që takimi i sotëm të prodhojë rezultatet e para, edhe nëse nuk sjell menjëherë një zgjidhje përfundimtare, për t’i dhënë fund ngërçit politik, përkatësisht për zgjedhjen e presidentit ose presidentes së re.
Ai e mbështet këtë pritshmëri te deklarata që Abdixhiku dha pasi e kaloi me sukses votëbesimin brenda subjektit të tij politik, LDK-së, kur tha qartë se “është i çmendur ai që kërkon zgjedhje të reja përsëri”. Për Drenorin, ky qëndrim lë të kuptohet se Abdixhiku është pozicionuar për të kontribuar në zgjidhjen e situatës institucionale.
Sipas analistit, tani duhet parë nëse përfshirja do të jetë më e gjerë, duke përfshirë pjesëmarrjen e LDK-së në qeveri dhe në institucionet e tjera, apo nëse bashkëpunimi do të përqendrohet vetëm te zgjedhja e presidentit. Sidoqoftë, ai vlerëson se tashmë janë të dukshme shenjat e një daljeje të mundshme nga kjo gjendje.
Drenori ka nënvizuar se, pas përsëritjes së zgjedhjeve, subjektet politike kanë detyrimin të japin kontributin e tyre për zgjidhjen e bllokadës institucionale.
Në vlerësimin e tij, nyja kryesore e krizës është zgjedhja e presidentit, pasi zgjidhja e kësaj çështjeje do të krijonte mundësi për funksionalizimin e institucioneve.
Ai rikujtoi se zgjedhjet janë përsëritur tri herë brenda këtyre dy viteve dhe se rezultati ka mbetur pothuajse i njëjtë. Për këtë arsye, sipas tij, subjekteve politike, në veçanti PDK-së dhe LDK-së, nuk u ka hije të qëndrojnë anash, por duhet të kontribuojnë në zgjedhjen e presidentit ose presidentes.
Drenori konsideron se kjo figurë, nëse është e mundur, duhet të ketë qenë sa më pak e angazhuar në politikë dhe të vijë nga shoqëria civile, në përputhje me mesazhin që qytetarët kanë përcjellë përmes votës.
Nëse subjekti fitues i siguron 61 vota për krijimin e institucioneve, sipas tij, duhet t’i mundësohet të qeverisë. Ndërkohë, partitë e tjera duhet ta përdorin këtë periudhë për të bërë opozitë dhe për të zhvilluar reforma të brendshme në subjektet e tyre.
Për këtë arsye, Drenori vlerëson se LDK-ja po tregohet më e arsyeshme në këtë drejtim. Ai shpreson që sonte të paraqiten rezultatet e para, në mënyrë që të krijohet një rrugë e re bashkëpunimi për zgjedhjen e presidentit, pasi pikërisht aty ndodhet aktualisht ngërçi politik, deklaroi ai për gazetën.
Makolli: Abdixhiku ka sinjalizuar gatishmëri për të shqyrtuar një marrëveshje që do ta nxirrte vendin nga vakumi institucional
Analisti politik Vesel Makolli ka vlerësuar se vazhdimi i bllokadës institucionale po e dobëson pozitën ndërkombëtare të Kosovës dhe po i krijon Serbisë mundësi për përfitime politike.
Në një prononcim për “Bota sot”, ai ka thënë se LDK-ja duhet të angazhohet aktivisht në kapërcimin e krizës, përmes arritjes së një marrëveshjeje me Lëvizjen Vetëvendosje që do të mundësonte zhbllokimin e institucioneve dhe funksionimin e rregullt të shtetit.
Makolli theksoi se Kosova nuk mund t’ia lejojë vetes humbjen e kohës, ndërsa saga e institucioneve të bllokuara po vazhdon prej gati dy vjetësh. Gjatë kësaj kohe, sipas tij, kanë mbetur pezull marrëveshje të rëndësishme ndërkombëtare, të mbikëqyrura nga faktorë relevantë ndërkombëtarë dhe të lidhura drejtpërdrejt me përpjekjet për një marrëveshje gjithëpërfshirëse me fqinjin verior.
Ai vlerëson se kjo gjendje e ka dëmtuar kredibilitetin dhe rejtingun e Kosovës në arenën ndërkombëtare. Në të njëjtën kohë, regjimi serb po e shfrytëzon brishtësinë institucionale dhe shmangien e institucioneve të Kosovës nga përmbushja e obligimeve ndërkombëtare për ta përmirësuar pozitën dhe imazhin e vet ndërkombëtar.
Sipas Makollit, LDK-ja, si subjekti me traditën më të gjatë demokratike në Kosovë, ka përgjegjësi të posaçme për mbrojtjen e kulturës demokratike dhe shtetformuese. Në këtë kuadër, ajo duhet të marrë rol aktiv në tejkalimin e krizës institucionale dhe të ndihmojë në arritjen e një marrëveshjeje me Lëvizjen Vetëvendosje, me synim zhbllokimin e institucioneve dhe garantimin e funksionimit normal të shtetit.
Makolli shtoi se Abdixhiku ka shfaqur gatishmëri për një marrëveshje që mund ta zhbllokojë situatën politike. Megjithatë, ai e konsideron mungesën e unitetit brenda Grupit Parlamentar si sfidën kryesore të LDK-së.
Ai tha se Lumir Abdixhiku, pas rizgjedhjes në krye të LDK-së dhe konfirmimit të besimit nga Kuvendi i partisë, ka sinjalizuar se është i hapur ta shqyrtojë mundësinë e një marrëveshjeje për nxjerrjen e vendit nga vakumi institucional. Një zgjidhje me Lëvizjen Vetëvendosje, sipas Makollit, do të ishte jetike edhe për të ardhmen politike të Presidentes Vjosa Osmani.
Sa i përket LDK-së, Makolli vlerëson se pengesa kryesore është mungesa e homogjenitetit në Grupin Parlamentar. Qëndrimet e ndryshme që shfaqin deputetët e zgjedhur mund ta bëjnë më të vështirë sigurimin e një konsensusi të brendshëm për një marrëveshje të mundshme me VV-në, pavarësisht vullnetit që mund të ketë udhëheqja e partisë.
Në përfundim, analisti tha se arritja e marrëveshjes përcaktohet nga gatishmëria e VV-së për kompromis dhe nga uniteti brenda LDK-së. Në mungesë të këtyre dy elementeve, ai paralajmëroi mundësinë që vendi të përballet me zgjedhje të jashtëzakonshme.
Makolli bëri të ditur se VV-ja, së bashku me deputetët e komuniteteve joshumicë, ka gjithsej 63 deputetë. Nëse kryetari i LDK-së do të gëzonte përkrahjen e plotë të të 18 deputetëve të Grupit Parlamentar të partisë së tij, do të mund të krijohej një shumicë prej 83 deputetësh.
Sipas tij, një shumicë e tillë do t’i garantonte vendit stabilitet institucional dhe do ta evitonte nevojën për zgjedhje të reja, bashkë me kostot politike, ekonomike dhe kohore që do të shkaktonin ato.
Në përmbledhje, Makolli tha se marrëveshja kushtëzohet nga dy çështje thelbësore: vullneti i kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje për të bërë kompromis dhe bashkimi i Grupit Parlamentar të LDK-së rreth një zgjidhjeje që do t’i jepte fund krizës institucionale.
Ai vlerësoi se vendimi tani i takon VV-së. Nëse ky subjekt vazhdon të kërkojë kontrollin e të tria institucioneve kryesore të pushtetit, Kuvendit, Qeverisë dhe Presidencës, gjasat për marrëveshje do të pakësoheshin ndjeshëm. Në rrethana të tilla, sipas Makollit, nuk përjashtohet organizimi i zgjedhjeve të jashtëzakonshme në vjeshtën e vonë, çka do ta zgjaste më tej krizën institucionale dhe pasigurinë politike në vend, përfundoi ai për “Bota sot”.
Komiteti i Trashëgimisë Botërore i UNESCO-s vendosi t’i japë Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut një afat shtesë pesëvjeçar për të…
Kriza në Ceuta e ka rikthyer emigracionin në qendër të agjendës evropiane. [...]Read More...
Mirlind Daku është shumë pranë transferimit te Spartaku i Moskës, pasi sulmuesi i Kombëtares së Shqipërisë ka kaluar me sukses…
Ilustrim: Erald Çinari kur ishte pjesë e Partizanit - Bayern Munich logoEraldo Çinari ka bërë debutimin e tij me ekipin…
Trupi i Luigi Cavallarit, bashkëshortit të ministres italiane Eugenia Roccella, është gjetur mëngjesin e 4 gushtit në ujërat e liqenit…
Familja e pilotit britanik Andrew Hutchinson ka rrëfyer momentet dramatike të mbijetesës së tij, pasi helikopteri që ai drejtonte u…