Categories: kosovë

Takimi i sotëm mes Kurtit dhe Abdixhikut, analistët shohin hapësirë për zhbllokimin e institucioneve

Sot në orën 18:00, në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës, do të zhvillohet një takim ndërmjet kryeministrit në detyrë Albin Kurti dhe kreut të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.

Të lidhura

None found

Ky ballafaqim zhvillohet në një moment delikat politik, pak ditë përpara seancës së parë të legjislaturës së re, teksa forcat politike synojnë të gjejnë rrugëdalje për ngritjen e institucioneve të reja.

Pritshmëritë janë që bisedimet të përqendrohen te mundësitë për bashkërendim mes partive, si dhe te veprimet që mund të ndihmojnë në tejkalimin e bllokadës institucionale.

Takimi i sotëm konsiderohet një rast për të provuar vullnetin për një marrëveshje politike, ndërsa stabiliteti i institucioneve mbetet problemi thelbësor.

Edhe Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kishin marrë ftesa për diskutime, por reagimet e tyre kanë qenë të ndryshme. PDK-ja nuk pranoi të marrë pjesë, duke nënvizuar se do të qëndrojë në opozitë. Ndërsa AAK-ja ka risjellë në vëmendje propozimin e saj me gjashtë pika, i cili përfshin edhe zgjedhjen e presidentit të ri, duke treguar hapje për dialog politik.

Analisti Xhavit Drenori, në një prononcim për “Bota sot”, vlerësoi se takimi i sotëm mund të prodhojë hapa konkretë për tejkalimin e ngërçit, veçanërisht sa i përket zgjedhjes së presidentit të ri. Ai u shpreh se deklaratat e Abdixhikut pas rikonfirmimit në krye të LDK-së tregojnë se ai është i gatshëm të kontribuojë në zgjidhjen e situatës institucionale, por mbetet për t’u parë nëse bashkëpunimi do të përfshijë edhe pjesëmarrje në qeveri.

“Kam shumë shpresë se takimi i sotëm do të sjellë rezultatet e para, në mos një zgjidhje përfundimtare, për tejkalimin e kaosit politik, përkatësisht për zgjedhjen e presidentes ose presidentit të ri,” tha ai. “Këtë e mbështes te fakti që zoti Abdixhiku, pasi e kaloi me sukses provën e besimit brenda partisë së tij, LDK-së, deklaroi hapur se ‘është i çmendur ai që kërkon zgjedhje të reja përsëri’. Kjo duket të jetë një shenjë se ai është pozicionuar për të ndihmuar në zgjidhjen e gjendjes institucionale.”

Më tej, Drenori shtoi se tashmë mbetet për t’u parë nëse do të ketë një angazhim më të gjerë, duke përfshirë LDK-në në qeveri dhe institucione të tjera, apo nëse do të kufizohet vetëm te zgjedhja e presidentit. Gjithsesi, sipas tij, shenjat se mund të gjendet një rrugëdalje janë të qarta.

Ai theksoi gjithashtu se pas tri palë zgjedhjesh brenda dy viteve, me rezultate thuajse të njëjta, partitë politike, sidomos PDK-ja dhe LDK-ja, kanë përgjegjësi të japin kontributin e tyre për zgjedhjen e presidentit. Sipas tij, kjo figurë duhet të jetë sa më larg politikës, mundësisht nga shoqëria civile, në përputhje me mesazhin e qytetarëve. Ai shtoi se nëse subjekti fitues siguron 61 vota për formimin e institucioneve, atëherë duhet lënë të qeverisë, ndërsa partitë e tjera të përfitojnë nga koha për të bërë opozitë dhe reforma të brendshme. “LDK-ja po tregohet më e arsyeshme në këtë drejtim. Shpresoj që rezultatet e para të jepen sonte që të kemi një rrugë të re bashkëpunimi për zgjedhjen e presidentit, sepse pikërisht këtu ndodhet ngërçi politik,” përfundoi ai.

Ndërsa analisti Vesel Makolli vuri në dukje se vazhdimi i bllokimit institucional po dëmton pozitën ndërkombëtare të Kosovës dhe po i krijon hapësirë Serbisë për përfitime politike. Në bisedë për “Bota sot”, ai theksoi se LDK-ja duhet të marrë një rol aktiv në tejkalimin e krizës, duke arritur një marrëveshje me Lëvizjen Vetëvendosje për zhbllokimin e institucioneve dhe funksionimin normal të shtetit.

“Dihet që Kosova nuk ka kohë për të humbur. Bllokimi i institucioneve po zgjat pothuajse dy vjet. Gjatë kësaj kohe, marrëveshje të rëndësishme ndërkombëtare, të mbikëqyrura nga faktorë relevantë ndërkombëtarë, kanë mbetur pezull. Kjo ka ndikuar keq në kredibilitetin dhe imazhin ndërkombëtar të Kosovës. Në të njëjtën kohë, dobësimi institucional dhe mospërmbushja e detyrimeve ndërkombëtare po shfrytëzohen nga regjimi serb për të përmirësuar pozitën e vet në arenën ndërkombëtare,” tha ai.

Sipas Makollit, LDK-ja, si partia me traditën më të gjatë demokratike, mban një përgjegjësi të posaçme për ruajtjen e kulturës demokratike dhe shtetformuese. Në këtë frymë, ajo duhet të luajë një rol aktiv në tejkalimin e krizës, duke ndihmuar në arritjen e një marrëveshjeje me Lëvizjen Vetëvendosje për zhbllokimin e institucioneve dhe garantimin e një shteti funksional.

Ai shtoi se Abdixhiku, pas rizgjedhjes dhe marrjes së besimit nga Kuvendi i partisë, ka dhënë sinjale se është i hapur për një marrëveshje që do ta nxirrte vendin nga boshllëku institucional. Gjithashtu, sipas tij, edhe për Presidenten Vjosa Osmani një zgjidhje me Vetëvendosjen do të ishte jetike për të ardhmen e saj politike. Megjithatë, sfida kryesore për LDK-në mbetet mungesa e unitetit brenda Grupit Parlamentar. Qëndrimet jo gjithmonë të njëjta të deputetëve mund ta bëjnë të vështirë arritjen e një konsensusi të brendshëm, edhe nëse udhëheqja është e gatshme për marrëveshje.

Në fund, Makolli paralajmëroi se suksesi i një marrëveshjeje varet nga kompromisi i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kohezioni i LDK-së. Ai llogariti se Vetëvendosja së bashku me deputetët e komuniteteve joshumicë ka 63 deputetë, dhe nëse kryetari i LDK-së do të kishte mbështetjen e plotë të 18 deputetëve të partisë, një shumicë prej 83 deputetësh do të ishte e arritshme, duke siguruar stabilitet dhe duke shmangur zgjedhjet e reja. “Topi është në fushën e VV-së. Nëse VV-ja insiston të mbajë të tria postet kryesore të pushtetit, atëherë gjasat për marrëveshje bien ndjeshëm. Në atë skenar, nuk përjashtohen zgjedhjet e jashtëzakonshme në vjeshtën e vonë, duke e zgjatur edhe më tej krizën dhe pasiguritë,” përfundoi ai.

të fundit

Arbnor Muja larg vëmendjes së Sylvinhos, sulmuesi kuqezi mund të ndërrojë sërish skuadër

Arbnor MujaArbnor Muja mund të ndryshojë sërish “destinacion” në këtë merkato [...]Read More...

1 minute ago

Arsenali synon yllin e PSG-së nëse nuk arrin transferimin e Viniciusit

Arsenali raportohet se po përgatit një lëvizje befasuese për të transferuar objektivin kryesor të një rivali në Ligën Premier, në…

2 minutes ago

Shkodër, ndërron jetë në spital 49-vjeçarja, dyshime për konsumimin e një sasie të madhe ilaçesh

Një 49-vjeçare ka humbur jetën këtë të enjte në Spitalin Rajonal të Shkodrës, pasi dyshohet se kishte konsumuar një sasi…

6 minutes ago

Prishtinë, raportohet për mjet të dyshuar shpërthyes në Stacionin e Autobusëve

Një alarm për një mjet të dyshuar shpërthyes është raportuar pasditen së enjtes në Stacionin e Autobusëve në Prishtinë. Zëdhënësi…

6 minutes ago

Gjini: Aleanca nuk bashkëpunon me Kurtin, edhe nëse i ofrohet gjysma e qeverisë

Kreu i Aleancës, Ardian Gjini, ka ftuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, në një debat publik, duke thënë se qytetarët…

6 minutes ago

Dibrani pret zyrtarë të FBI-së, diskutohet forcimi i sigurisë dhe parandalimi i terrorizmit

Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Ismail Dibrani, priti në takim dy zyrtarë të FBI-së, në kuadër të…

6 minutes ago