Në këto zgjedhje, Lidhja Demokratike e Kosovës është renditur e treta, duke marrë 17.60 për qind të votave dhe 18 deputetë, krahasuar me 15 deputetë që i kishte në dhjetor.
Pas këtij rezultati, deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka bërë thirrje që të mos vazhdohet me eksperimente me partinë dhe që ajo të kthehet te baza e saj tradicionale elektorale.
None found
Sipas Hotit, LDK-ja nuk i përket askujt në mënyrë individuale.
“Eksperimente me LDK-në dhe me të ardhmen e saj nuk do të ketë.
Rezultati ka dhënë një mesazh të qartë: LDK duhet të rikthehet fuqishëm te elektorati i saj tradicional, te vlerat e saj dhe te vizioni që e ka ndërtuar këtë parti. LDK nuk është pronë e askujt dhe nuk mund të jetë peng i interesave personale. LDK është më e madhe se secili individ, është një mision politik dhe historik”, ka shkruar Hoti.
Në një prononcim për “Bota sot”, veprimtari Saim Tahiraj ka vlerësuar se LDK-ja është shmangur nga parimet dhe baza mbi të cilën ishte ndërtuar, duke hyrë në eksperimente politike që, sipas tij, e kanë çuar partinë në një rënie të vazhdueshme elektorale.
Ai shprehet se themelimi dhe veprimtaria e LDK-së nuk kanë qenë të lidhura me interesa personale apo klanore, por me interesin kombëtar, ndërsa nënvizon edhe rolin historik të Presidentit Ibrahim Rugova dhe të vetë LDK-së në rrugën drejt lirisë, pavarësisë dhe forcimit të marrëdhënieve me SHBA-në dhe Perëndimin.
Sipas Tahirajt, zhvillimi i demokracisë në Kosovë vazhdon të hasë pengesa për shkak të interesave klanore të ngulitura brenda partive politike.
“E kam theksuar disa herë, në etapa të ndryshme të historikut të LDK-së, dhe po e përsëris edhe tani se LDK-ja ka dalë nga shtrati i saj tradicional. Në momentin kur një subjekt politik largohet nga themelet mbi të cilat është themeluar dhe ka ndërtuar identitetin e vet, ai nuk është më vetvetja. Atëherë fillojnë eksperimentet pa bazament të qëndrueshëm, duke kopjuar modele të huaja që nuk i përshtaten fytyrës reale të LDK-së.
Të gjitha këto eksperimente nuk i dhanë rezultatet e pritura nga lidershipet përkatëse, por përkundrazi e vazhduan rrugëtimin e rënies së fuqisë elektorale të LDK-së. LDK-ja nuk u themelua dhe nuk e zhvilloi veprimtarinë e saj për realizimin e interesave personale apo klanore. Ajo u themelua në një moment të rëndësishëm historik dhe e vazhdoi veprimtarinë e saj me plot sakrifica, me misionin e shenjtë për realizimin e interesit të përgjithshëm kombëtar.
Presidenti Rugova dhe bashkëpunëtorët e tij, së bashku me veprimtarët dhe anëtarët e LDK-së, dhanë gjithçka nga vetja për realizimin e misionit të shenjtë: “Liri, Pavarësi, Demokraci”. Me shumë sakrifica, vuajtje e tragjedi, më në fund u arrit kjo fitore historike e popullit shqiptar.
Falë vizionit të Presidentit Rugova dhe LDK-së, arritëm të fitojmë simpatinë dhe përkrahjen e fuqishme të SHBA-së dhe të shteteve demokratike perëndimore. Pra, falë këtij bashkëpunimi të shkëlqyer ndërmjet sakrificës së popullit shqiptar dhe mbështetjes së miqve tanë amerikanë e evropianë perëndimorë, u arrit liria dhe pavarësia. Demokracia vazhdon të zhvillohet me vështirësi për shkak të interesave klanore që janë barrikaduar brenda partive politike”, u shpreh Tahiraj për gazetën.
Duke vijuar me kritikat e tij, Tahiraj thotë se LDK-ja është larguar nga orientimi i saj tradicional perëndimor dhe është përfshirë në përplasje të brendshme klanore, të cilat, sipas tij, po e dëmtojnë partinë.
Ai mbështet qëndrimin e deputetit Avdullah Hoti për rikthimin te vlerat tradicionale të LDK-së, duke nënvizuar se vetëm përmes reflektimit, reformave të thella dhe largimit të atyre që mbajnë përgjegjësi për dështimet, partia mund ta rimarrë forcën e saj politike.
Sipas Tahirajt, në rast se nuk ndryshon drejtimi aktual, LDK-ja rrezikon të vazhdojë rënien, me pasoja jo vetëm për partinë, por edhe për Kosovën.
“Në këtë pikë, LDK-ja ka dalë nga shtrati i saj tradicional me orientim të qartë perëndimor, duke koketuar me Islamin politik për një grusht votash. Klanet e ndryshme zhvillojnë një luftë të ashpër brenda Kryesisë, Këshillit të Përgjithshëm dhe strukturave të tjera, për realizimin e interesave personale dhe klanore.
Avdullah Hoti, me të drejtë, ka kërkuar rikthimin e vlerave tradicionale të LDK-së, sepse vetëm duke qenë vetvetja, me fytyrën e saj të vërtetë, ajo mund të fillojë rrugëtimin drejt konsolidimit dhe rikthimit si faktor i fuqishëm në skenën politike.
Kjo që po shohim sot nuk është as përafërsisht LDK-ja që jemi mësuar ta shohim dhe ta dëshirojmë. Prandaj, është e domosdoshme që të gjithë faktorët e rëndësishëm brenda LDK-së, në Kosovë dhe në mërgatë, të ulen së bashku, të bëjnë një analizë të hollësishme dhe t’i evidentojnë gabimet e njëpasnjëshme në të gjitha etapat dhe nga të gjitha lidershipet, pa dallime.
Ata që mbajnë përgjegjësi për këto dështime duhet ta pranojnë atë dhe të reflektojnë pozitivisht, duke u larguar nga organet drejtuese. Duhet të ndërmerren reforma të thella, si në vijën vertikale ashtu edhe në atë horizontale të organizimit dhe strukturimit të partisë.
LDK-ja është shumë më e madhe dhe më e rëndësishme për shtetin sesa interesat personale apo klanore të kujtdo. Nëse arrihet tejkalimi i këtyre interesave, LDK-ja mund të fuqizohet shumë shpejt, sepse ka një anëtarësi idealiste dhe besnike ndaj saj.
Nëse vazhdohet me të njëjtën mënyrë veprimi si deri më tani, jam i bindur se rënia do të vazhdojë edhe më tej, dhe kjo do të jetë në dëm të shtetit dhe të popullit të Kosovës.
Duhet maturi, përgjegjësi dhe reflektim, nëse vërtet ia duam të mirën LDK-së dhe Kosovës sonë të dashur” – përfundoi ai për “Bota sot”.
Më 20.06.2026 në ora 17:30, para parkut të Universitetit të Tetovës është prishur rendi dhe qetësia publike me një përleshje…
Ministria e Punëve të Brendshme, përmes Akademisë Policore, fton nxënësit e interesuar të regjistrohen në Shkollën e Mesme Policore dhe…
Në bisedimet që po mbahen në Zvicër mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit është shënuar “përparim i madh”, deklaroi JD…
Në ditët e nxehta të verës, bishti është shpesh zgjedhja më praktike për t’i larguar flokët nga fytyra dhe qafa.…
Prof. Dr. Alban Kraja ka bërë një deklaratë të fortë historike, duke thënë se, sipas dokumenteve nga arkivat perëndimore, kryesisht…
Ish-ministri i PS-së, Arben Malaj, ka komentuar protestat kundër kryeministrit Edi Rama, duke i cilësuar ato si masive dhe me…