Categories: kosovë

Shovinizmi serb ende gjallëron, BE-së i kërkohet veprim konkret

Edhe pse Bashkimi Evropian ka reaguar ndaj deklaratave të Snezhana Paunoviqit, ministres serbe për Administratë Publike dhe Vetëqeverisje Lokale, ajo nuk është tërhequr nga qëndrimet e saj dhe vijon të mbajë të njëjtin tonë, pa u distancuar nga komentet që ngjallën reagime të gjera.

Të lidhura

None found

Paunoviq ka thelluar polemikat rreth qëndrimeve të saj për Kosovën, duke refuzuar të distancohet nga pohimi se po të gjendej në rolin e ish-presidentit Slobodan Millosheviq gjatë vitit 1998, do të realizonte “spastrim etnik të Kosovës”. Në vend të një kërkimi të ndjesës, ajo ka sulmuar kritikët, duke i akuzuar si persona të mbushur me “urrejtje ndaj Kosovës” dhe përfaqësues të “tradhtisë së brendshme”.

Nëpërmjet një postimi në Instagram, ministrja serbe hodhi edhe një deklaratë tjetër kundër shqiptarëve të Kosovës, duke u shprehur se do t’i “kthente në vendin e tyre të origjinës, Shqipëri”.

“Unë nuk do t’ju vrisja asnjërin prej jush, thjesht do t’ju ktheja në atdheun tuaj, Shqipëri. Besoj se ata do t’ju mirëprisnin,” shkroi Paunoviq.

Në anën tjetër, zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Daçiq, i ka dalë në mbrojtje, duke i quajtur kritikat ndaj ministres “të turpshme dhe hipokrite”.

Daçiq ka argumentuar se personat që akuzojnë Paunoviqin për nxitje të spastrimit etnik kanë qëndruar të heshtur përballë asaj që ai e quajti “spastrimi etnik i serbëve nga Kosova”, duke iu referuar largimit të komunitetit serb nga zona.

Analistët konsiderojnë se këto deklarata të fundit nga figura të larta politike në Serbi dëshmojnë se retorika nacionaliste dhe mentaliteti i viteve ’90 janë ende të pranishme, duke krijuar pasiguri për stabilitetin e rajonit ballkanik.

Sipas tyre, reagimet diplomatike nuk janë të mjaftueshme dhe Bashkimi Evropian duhet të ndërmarrë hapa konkretë ndaj Beogradit, duke e kushtëzuar mbështetjen dhe rrugën e integrimit me respektimin e standardeve evropiane dhe shkëputjen nga gjuha që justifikon krimet historike.

Ata theksojnë se Kosova dhe shqiptarët duhet të ruajnë unitetin dhe vigjilencën, ndërsa bashkësia ndërkombëtare duhet të jetë më e vendosur në përballjen me çdo përpjekje për të ringjallur ideologjitë nacionaliste që kanë prodhuar konflikte në rajon.

Veprimtari Saim Tahiraj, në një prononcim për “Bota sot”, ka pohuar se politika shoviniste serbe ka ndjekur për më shumë se një shekull një linjë të vazhdueshme të krijimit dhe zbatimit të projekteve kundër shqiptarëve.

Tahiraj ka nënvizuar se historia tregon që spastrimet etnike dhe krimet kundër shqiptarëve nuk kanë qenë incidente të veçanta, por pjesë e një politike të përhershme.

“Projektet serbe nuk kanë reshtur asnjëherë së hartuari dhe së zbatuari. Spastrimet etnike dhe krimet masive ndaj shqiptarëve nuk u ndalën asnjë çast. Nga dëbimet e shqiptarëve nga Toplica e deri te konflikti i fundit në Kosovë, politika shoviniste serbe zhvilloi një sërë fushatash të dhunshme që lanë pasoja të thella për popullin shqiptar,” ka deklaruar ai.

“Për më shumë se një shekull, shqiptarët u ndeshën me terror, masakra, spastrim etnik dhe krime të rënda, të cilat kishin për qëllim dobësimin dhe zhdukjen e tyre nga trojet e veta në Gadishullin Ilirik. Këto synime u testuan disa herë, por nuk u realizuan kurrë, megjithëse Serbia gëzonte përkrahjen e Rusisë dhe të disa aleatëve tradicionalë në Evropë,” shtoi ai.

“Populli shqiptar mbeti i pathyeshëm nëpër histori. Edhe kur mbeti i izoluar, ai qëndroi me stoicizëm, duke paguar një çmim shumë të lartë për lirinë dhe mbijetesën e tij,” theksoi Tahiraj.

Sipas tij, edhe sot dëgjohen deklarata me përmbajtje shoviniste nga zyrtarë serbë, çka tregon se kjo retorikë nuk është shuar.

“Për fat të keq, retorika shoviniste ndaj shqiptarëve nuk është zhdukur. Prandaj, deklarata të tilla nga zyrtarë serbë nuk janë as të parat dhe, me gjasë, as të fundit. Ato nuk duhet të na habisin, por të na kujtojnë se duhet të mbetemi të bashkuar dhe vigjilentë. Pavarësisht deklaratave dhe provokimeve, shqiptarët po ecin përpara. Sot kemi dy shtete shqiptare që po forcohen çdo ditë, si dhe një diasporë të fuqishme në mbarë botën, e cila është gjithmonë e gatshme të ndihmojë vendin e vet në çdo mënyrë,” ka thënë ai.

“Le të vazhdojnë të flasin sa të duan shovinistët serbë; kjo nuk e ndal rrugëtimin tonë. Ëndrra e tyre për spastrimin etnik të shqiptarëve ka dështuar njëherë e përgjithmonë,” përfundoi Tahiraj.

“Shekulli XXI duhet të jetë shekulli i zhvillimit, i suksesit dhe i afirmimit të shqiptarëve. Pikërisht këto suksese janë ato që nuk mund t’i përballojë shovinizmi serb, prandaj reagimet e tilla nuk janë të rastësishme. ‘Qentë le të lehin sa të duan; karvani i sukseseve shqiptare vazhdon të ecë fuqishëm përpara’,” shtoi ai.

Nga ana tjetër, njohësi i çështjeve politike, Eduard Gashi, për “Bota sot” ka vlerësuar se deklarata e ministres serbe është një sinjal serioz për rajonin dhe dëshmon se ideologjia nacionaliste në Serbi vazhdon të jetë aktive.

Gashi është shprehur se vendimi i institucioneve të Kosovës për ta shpallur Paunoviqin persona non grata dhe mbështetja publike që ajo mori nga lideri i Partisë Socialiste të Serbisë, Ivica Daçiq, tregojnë se retorika e epokës së Millosheviqit nuk është zhdukur.

“Deklarata skandaloze e ministres serbe për Administratë Publike, Snezhana Paunoviq, ku pohoi se po të ishte në vend të Sllobodan Millosheviqit do të kryente ‘spastrim etnik në Kosovë në vitin 1998’, ka ndezur një alarm të ri në Ballkan,” tha ai. “Vendimi i menjëhershëm i Prishtinës për ta shpallur atë persona non grata të përhershme dhe mbrojtja që i bëri Ivica Daçiq, tregojnë se rrymat e vjetra nacionaliste në Beograd nuk janë shuar kurrë — ato thjesht ishin fshehur nën maskën e diplomacisë pragmatike.”

“Kur një ministre e kabinetit qeveritar deklaron publikisht se nuk pendohet për promovimin e spastrimit etnik dhe e cilëson këtë si ‘pjesë të strategjisë’ së Partisë Socialiste të Serbisë (SPS), nuk kemi të bëjmë më me një gafë individuale. Mbështetja e hapur e zëvendëskryeministrit dhe liderit të SPS-së, Ivica Daçiq, për Paunoviqin konfirmon një të vërtetë të hidhur: trashëgimia ideologjike e Millosheviqit mbetet shtyllë aktive e politikës serbe,” shtoi Gashi.

Ai vuri në dukje se Daçiq, i cili dikur ka shërbyer si zëdhënës i Millosheviqit, e përdor këtë retorikë jo thjesht për të kënaqur bazën e tij të djathtë, por edhe për të provuar kufijtë e tolerancës së Perëndimit. “Kjo mbështetje institucionale dëshmon se glorifikimi i krimeve të luftës dhe rishikimi i historisë janë pjesë e një politike të mirëorganizuar shtetërore, e cila bashkëjeton pa problem brenda koalicionit qeverisës në Beograd,” theksoi ai.

Gashi ka qenë kritik edhe ndaj reagimit të Bashkimit Evropian, duke thënë se deklaratat e dënimit nuk mjaftojnë nëse nuk shoqërohen me masa konkrete ndaj Serbisë.

“Reagimi i Bashkimit Evropian, përmes Komisioneres për Zgjerim, Marta Kos, ishte i qartë në parim: ‘Nuk ka vend në Evropë për retorikë që arsyeton, avokon dhe glorifikon spastrimin etnik.’ Megjithatë, përtej deklaratave të tilla diplomatike, Brukseli po tregon sërish të njëjtën plogështi që ka karakterizuar politikën e tij të jashtme ndaj Ballkanit Perëndimor,” argumentoi ai.

“Për aq kohë sa deklaratat që bëjnë thirrje për dhunë gjenocidale kalojnë vetëm me ndëshkime verbale dhe pa pasoja reale financiare apo politike, Serbia nuk do të ketë asnjë stimul për të ndryshuar sjelljen e saj. Politika e BE-së për ‘përkëdheljen’ e Beogradit (nën pretekstin e mbajtjes së tij larg ndikimit rus) ka dështuar të sjellë stabilitet demokratik; përkundrazi, ajo po ushqen ndjenjën e mosndëshkimit,” shtoi ai.

Sipas Gashit, Bashkimi Evropian ka në dispozicion mekanizma konkretë për t’i bërë presion Beogradit, por deri më tani nuk i ka përdorur në mënyrë efektive.

“Pyetja që shtrohet tani në kancelaritë evropiane është pragmatike: A ka ardhur koha që BE-ja të kalojë nga fjalët te veprimet? Mjetet për të sanksionuar këtë sjellje ekzistojnë dhe janë mjaft efektive nëse përdoren: Ngrirja e fondeve të para-anëtarësimit (IPA), duke kushtëzuar qindra miliona euro me respektimin e vlerave evropiane, do të ishte goditja më e shpejtë dhe më e ndjeshme. Pezullimi i negociatave të anëtarësimit, duke e bërë të qartë se asnjë kapitull i ri nuk mund të hapet për një shtet ku anëtarët e qeverisë bëjnë thirrje hapur për spastrim etnik. Sanksione të shënjestruara, si ndalimi i udhëtimit dhe ngrirja e pasurive në BE për zyrtarët si Paunoviq dhe Daçiq, do të dërgonte një sinjal të prerë se linja e kuqe evropiane nuk mund të shkelet pa kosto personale,” tha ai.

“Rasti ‘Paunoviq’ tregon se procesi i normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë nuk po pengohet vetëm nga çështjet teknike, por nga mungesa e thellë e ballafaqimit të Serbisë me të kaluarën e saj kriminale. Nëse BE-ja vazhdon të mbajë rolin e spektatorit neutral, ajo rrezikon të humbasë plotësisht kredibilitetin e saj si ndërmjetësues dhe të lejojë që rajoni të rrëshqasë sërish drejt skenarëve të errët të viteve ’90,” përmbylli Gashi për “Bota sot”.

të fundit

Forca e Sigurisë së Kosovës nxjerr trupin e pajetë nga Liqeni i Batllavës

Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) ka njoftuar se ekipet e saj kanë gjetur trupin e pajetë të një shtetasi të…

3 minutes ago

Pagesa të dyshimta për punonjës fantazmë, ekspertët kërkojnë llogari për ish-anëtarët e “Mbrojtjes Civile”

Që nga viti 2016, kanë marrë paga pa qenë të pranishëm në vendin e punës. Së fundmi është marrë vendimi…

4 minutes ago

Forcat ajrore të Kuvajtit neutralizojnë kërcënimin me dronë – alarme edhe në Bahrein

Ushtria e Kuvajtit njoftoi se sistemet e mbrojtjes ajrore janë aktivizuar për t'iu përgjigjur kërcënimeve me dronë. [...]Read More...

12 minutes ago

Rënia e Euros shpjegohet më shumë nga lejet e ndërtimit se turistët

Euro ka shënuar një rënie të fortë në vend, që ka nisur që nga fundi i vitit 2016. Në 2015-n,…

12 minutes ago

Tragjedia në Venezuelë thellohet, numri i viktimave nga tërmetet kalon 5200

Numri i viktimave nga tërmetet shkatërruese që goditën Venezuelën më 24 qershor ka shkuar në të paktën 5,208 persona, sipas…

12 minutes ago

Arsenali përfiton mbi 4 milionë funte nga FIFA për dëmtimin e Salibës në Botërorin 2026

Arsenali pritet të përfitojë mbi katër milionë funte kompensim nga FIFA, pasi William Saliba pësoi një lëndim të rëndë në…

23 minutes ago