Kanë rinisur tensionet në veri të Kosovës.
Radio Evropa e Lirë njofton se rruga që çon drejt ndërtesave të komunave në Zveçan është bllokuar me një gardh metalik, ndërsa ka prezëncë të shtuar rë KFOR-it.
Grupe qytetarësh serbë u mblodhën këtë mëngjes para ndërtesës së komunës në Leposaviç për të kundërshtuar marrjen e pushtetit lokal nga kryetari i ri shqiptar, Lulzim Hetemi.
Policia e Kosovës hodhi gaz lotsjellës për të shpërndarë qytetarët, pasi KFOR-i i lëshoi ata të tuboheshin para ndërtesës së komunës në Zveçan.
Gazetarët nga terreni raportojnë se kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiç, është duke biseduar me pjesëtarë të misionit paqeruajtës KFOR në Zveçan.
Sipas raportimeve, ai tha se kërkesë e serbëve atje është që kryetari i ri i kësaj komune, Ilir Peci, të mos hyjë në objektin komunal. Ai, po ashtu, kërkoi nga KFOR-i që Policia e Kosovës t’i tërheqë njësitet speciale nga kjo zonë.
Përleshjet që shpërthyen midis protestuesve serbë dhe policisë bënë që Serbia të ngrejë gatishmërinë luftarake të ushtrisë së saj.
Bashkësia ndërkombëtare e dënoi fuqishëm vendimin e Qeverisë së Kosovës për të hyrë me forcë në ndërtesat komunale në veri. NATO-ja kërkoi shtensionimin e menjëhershëm të situatës.
Më 26 maj, kryetarët e rinj shqiptarë të Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit, me asistimin e Policisë së Kosovës hynë në ndërtesat komunale, për të nisur punën, pasi një ditë më parë bënë betimin në shkolla dhe ndërtesa të tjera komunale. Hyrja e tyre në zyrat e komunave u kundërshtua nga grupe të serbëve lokalë. Policia e Kosovës ndërhyri duke përdorur gaz lotsjellës dhe shok-bomba, ndërkaq serbët lokalë hodhën gurë në drejtim të tyre.
Të paktën pesë policë pësuan lëndime. Faktori ndërkombëtar, në krye me Shtetet e Bashkuara, dënuan veprimet e Qeverisë së Kosovës, duke kërkuar që menjëherë të ulen tensionet.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se i kupton shqetësimet e partnerëve ndërkombëtarë, megjithatë, sipas tij, çdo opsion tjetër “do të ishte mospërmbushje e obligimeve kushtetuese të Qeverisë sonë ndaj kryetarëve të rinj”.
Ndërkaq, misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovës, KFOR, tha më 26 maj se situata e krijuar “është jashtëzakonisht e rrezikshme për procesin e normalizimit [të marrëdhënieve Kosovë-Serbi” dhe se “rrezikon përshkallëzimin e mëtejshëm të tensioneve”.
KFOR dënoi “aktet e njëanshme”, teksa u bëri thirrje të gjitha palëve që të përmbahen nga dhuna.
Në katër komunat në veri të Kosovës, në zgjedhjet e 23 prillit u zgjodhën katër kryetarë të rinj shqiptarë, pasi në këto zgjedhje të jashtëzakonshme nuk morën pjesë partitë serbe.
Zgjedhjet u mbajtën pas dorëheqjes së kryetarëve nga radhët e Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve të Kosovës – në nëntor të vitit të kaluar.
Kjo parti i braktisi të gjitha institucionet e Kosovës, për shkak të vendimit të Qeverisë në Prishtinë për të kryer procesin e riregjistrimit të makinave me targa ilegale serbe. Zgjedhjet u bojkotuan nga popullata shumicë serbe në atë zonë, e cila tani nuk i pranon rezultatet, përkatësisht kryetarët e rinj.
Pjesëmarrja në zgjedhjet e prillit ishte 3.47 për qind e numrit të përgjithshëm të votuesve të regjistruar./albeu.com/
Një vajzë shqiptare, 20-vjeçarja nga Kosova, Aulona Morina rrëmbeu vëmendjen dhe admirimin e jurisë në spektaklin gjerman të talenteve muzikore,…
Një sherr mes tre personave ka ndodhur mbasditen e sotme në Ksamil. Mësohet se konflikti ka nisur për marrjen me qira…
Në 76-vjetorin e masakrës së Qafë Valmirit, Mirdita ka nderuar sot kujtimin e 14 martirëve të pushkatuar dhe varur nga…
Presidenti amerikan Donald Trump po planifikon të organizojë një samit trepalësh me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky dhe presidentin rus Vladimir…
Një pikë shërbimi automjetesh është përfshirë nga flakët. Ngjarja ka ndodhur pranë vendit të quajtur, “Kthesa e Patosit”. Ndërkohë në…
Presidenti serb Aleksandër Vuçiç njoftoi masa të ashpra kundër protestuesve antiqeveritarë, duke paralajmëruar se nëse nuk ndërmerren hapa të mëtejshëm,…