Xhelal Sveçla, ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, ka shprehur shqetësimin e tij lidhur me incidentin e Nenad Rashkoviqit, duke e akuzuar Aleksandar Vuçiqin, presidentin e Serbisë, se synon ta manipulojë këtë çështje për të larguar fokusin nga gjetjet tronditëse në territorin e Kosovës, përfshirë tri varreza masive dhe një sasi të madhe armatimi.
None found
Sjellja e Vuçiqit u cilësua nga Sveçla si krejtësisht e papranueshme, duke nënvizuar se ky rast po keqpërdoret që të zbehet përgjegjësia e Serbisë për veprimet e saj gjatë konfliktit të fundit në Kosovë.
“Gjithashtu, dua të veçoj qëndrimin absolutisht të papranueshëm të Presidentit Vuçiç, i cili synon ta përdorë një akuzë për të minimizuar veprimet e shtetit serb në luftën e fundit në Kosovë, si dhe për të shmangur vëmendjen nga ato që kemi zbuluar, të cilat janë vërtet të tmerrshme. Pra, kemi zbuluar tri varreza masive dhe 71 armë të gjata,” u shpreh Sveçla.
Në një bisedë për “Bota sot”, analisti Eduard Gashi ka analizuar rastin e Nenad Rashkoviqit, pretendimet për brutalitet nga ana e efektivëve të Policisë së Kosovës, si dhe reagimet e Serbisë dhe të presidentit Aleksandar Vuçiq, duke përfshirë edhe mënyrën se si këto ngjarje po reflektohen në skenën ndërkombëtare.
Gashi theksoi se kjo çështje duhet trajtuar në dy plane të veçanta, duke kërkuar një hetim të plotë dhe të paanshëm për akuzat për keqtrajtim, por njëkohësisht duke tërhequr vëmendjen për rrezikun që Beogradi ta shfrytëzojë politikisht këtë situatë.
“Çështja duhet shqyrtuar në dy dimensione të ndryshme, që nuk duhet të ndërthuren. Së pari, pretendimet e Nenad Rashkoviqit për keqtrajtim nga ana e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës kërkojnë një hetim të plotë dhe të pavarur. Fakti që Inspektorati Policor ka ndërhyrë dhe dy zyrtarë policorë janë pezulluar, tregon pikërisht mënyrën se si duhet të funksionojë një shtet demokratik. Nëse ka pasur shkelje, përgjegjësit duhet të mbajnë llogari. Kosova nuk ka asgjë për të fituar duke e zbehur një pretendim për keqtrajtim; përkundrazi, forca e saj qëndron në aftësinë për të hetuar veten,” tha ai.
Megjithatë, ai shtoi se kjo nuk e mohon mundësinë që Beogradi ta instrumentalizojë politikisht rastin Rashkoviq. “Këtu besoj se ministri Sveçla ka prekur një problem real. Vuçiqi e ka personalizuar në mënyrë ekstreme këtë rast, ndërsa në të njëjtën zonë janë gjetur tri vende me mbetje mortore të së paku 23 personave dhe një sasi e konsiderueshme armësh. Këto janë realitete që do të meritonin një vëmendje ndërkombëtare shumë më të thellë,” u shpreh ai.
Gashi nuk e cilëson automatikisht çdo deklaratë të Serbisë si “dezinformim”, por pranon se Beogradi ka një interes të dukshëm politik për ta zhvendosur agjendën ndërkombëtare nga krimet e luftës, të zhdukurit dhe llogaridhënia e institucioneve serbe, drejt një narrative ku serbët në Kosovë paraqiten si viktima të një represioni sistematik. “Rasti Rashkoviq i përshtatet në mënyrë të përkryer kësaj strategjie komunikimi. Në këtë kuptim, po: ekziston një luftë narrative dhe Vuçiqi po përpiqet të vendosë temën që dominon diskursin,” shtoi ai.
Lidhur me mbulimin e ngjarjeve në Kosovë nga mediat ndërkombëtare, Gashi vërejti se nuk ka një heshtje totale, por një disproporcion në vëmendje. “Edhe tek mediat perëndimore duhet të jemi të saktë. Nuk ka pasur heshtje absolute: Associated Press, për shembull, ka raportuar për gërmimet dhe varrezat e dyshuara masive. Megjithatë, është e drejtë të ngrihet pyetja për raportin e vëmendjes. Hedhja e vezëve ndaj Albin Kurtit në Kuvend u pasqyrua menjëherë në Reuters, DW dhe shumë media të tjera ndërkombëtare, ndërsa zbulimi i mbetjeve mortore nga lufta nuk ka prodhuar të njëjtën jehonë politike dhe mediatike. Kjo nuk tregon domosdoshmërisht një komplot kundër Kosovës, por ilustron se logjika e lajmit ndërkombëtar shpesh favorizon spektaklin politik ndaj proceseve të rënda historike që kërkojnë kontekst,” shpjegoi ai.
Ai theksoi se Bashkimi Evropian duhet të jetë shumë më konsekuent në këtë pikë. “Kosova dhe Serbia kanë miratuar Deklaratën për Personat e Zhdukur dhe në janar të këtij viti u zhvillua takimi i parë trepalësh i Komisionit të Përbashkët për Personat e Zhdukur. Ky mekanizëm nuk duhet të mbetet thjesht ceremonial. Serbia duhet të ofrojë qasje reale në arkiva, informacione, vendndodhje të dyshuara dhe dokumentacionin që mund të ndihmojë në gjetjen e të zhdukurve. BE-ja tashmë e ka mjetin politik për ta kërkuar këtë dhe duhet ta lidhë përparimin evropian me bashkëpunimin konkret, jo vetëm me deklarata,” vijoi ai.
Duke diskutuar ushtrimin e sovranitetit nga institucionet e Kosovës dhe bashkërendimin me partnerët ndërkombëtarë, Gashi nënvizoi se siguria e vendit vazhdon të varet fuqishëm nga KFOR-i, SHBA-ja dhe aleatët evropianë.
“Kosova ka të drejtë të insistojë që në territorin e saj të zbatohen ligji, rendi dhe institucionet e Republikës. Megjithatë, Kosova nuk gjendet në të njëjtën pozitë gjeopolitike si një shtet i njohur universalisht, anëtar i OKB-së dhe i NATO-s. Siguria e saj vazhdon të mbështetet fuqishëm te KFOR-i, SHBA-ja dhe partnerët evropianë. Për këtë arsye, kostoja diplomatike e një veprimi të pakoordinuar është shumë më e lartë për Kosovën sesa për shumë shtete të tjera,” u shpreh ai.
Ai vazhdoi duke shpjeguar se “këtu qëndron paradoksi ynë: nuk mund t’i kërkojmë BE-së, NATO-s dhe SHBA-së të jenë pranë nesh sa herë që Serbia kërcënon sigurinë e Kosovës, ndërsa koordinimin me të njëjtët partnerë ta konsiderojmë të panevojshëm kur këshilla e tyre nuk na pëlqen.”
E njëjta logjikë, sipas tij, vlen për Urën e Ibrit. “Kosova duhet ta ketë synim të qartë që ura të jetë një urë normale e një qyteti normal dhe jo kufi etnik brenda territorit të saj. Por pyetja politike nuk është vetëm ‘a kemi të drejtë?’, por edhe ‘si e realizojmë këtë të drejtë me koston më të vogël strategjike?’,” shtoi ai.
Gashi theksoi se duhet nxjerrë mësim edhe nga rasti i Banjskës. “Nuk është e saktë të thuhet se nuk ka pasur fare pasoja: tre persona janë dënuar nga drejtësia e Kosovës në prill të këtij viti. Por problemi kryesor mbetet fakti se shumë të dyshuar, përfshirë Milan Radoiçiqin, ndodhen në Serbi. Vetë Bashkimi Evropian ka shprehur keqardhje që Serbia nuk ka bashkëpunuar sa duhet në hetimin dhe ndjekjen e përgjegjësve për Banjskën, sulmet ndaj KFOR-it në Zveçan dhe shpërthimin në kanalin e Zubin Potokut,” përmendi ai.
Sipas Gashit, Kosova duhet të gjejë një ekuilibër ndërmjet mbrojtjes së sovranitetit dhe bashkërendimit me aleatët ndërkombëtarë. “Në menaxhimin ndërkombëtar të krizave ekziston edhe një realitet tjetër brutal: aktorët e jashtëm shpesh janë më të interesuar për të shmangur trazira sesa për të përcaktuar në atë moment se kush kishte moralisht të drejtë. Nëse nesër shpërthen dhuna në veri, lajmi ndërkombëtar do të jetë ‘trazira në veri të Kosovës’. Shpjegimi se kush e provokoi situatën, kush kishte të drejtë juridikisht dhe kush reagoi do të pasojë më vonë – nëse vjen fare,” paralajmëroi ai.
Prandaj, Kosova duhet të jetë njëkohësisht e vendosur dhe inteligjente: “të mos heqë dorë nga sovraniteti, por ta ushtrojë atë në mënyrë që Serbia të mbetet pala që izolohet diplomatikisht, jo Kosova.”
Në këtë rast konkret, Gashi argumenton se BE-ja dhe shtetet perëndimore duhet t’i kërkojnë Serbisë bashkëpunim të plotë për personat e zhdukur dhe për hetimin e krimeve të luftës, ndërsa Prishtina duhet të rikthejë koordinimin me aleatët në qendër të strategjisë së saj.
“Sepse për Kosovën sot pyetja nuk është vetëm: ‘A kemi të drejtë?’ Pyetja vendimtare është: ‘Si e kthejmë të drejtën tonë në rezultat politik, pa humbur aleatët që na duhen për ta mbrojtur atë?’ Ky është dallimi ndërmjet demonstrimit të sovranitetit dhe ndërtimit afatgjatë të fuqisë shtetërore,” përmbylli Gashi për “Bota sot”.
Arsenali e ka nisur me këmbë të mbarë sezonin 2026/27 në Ligën Premier, duke triumfuar me rezultat 3-0 ndaj Coventryt…
Gjermania kërkon të ekstradojë një të dyshuar nga Rumania për zbulimin e një depoje nëntokësore armësh në një pyll pranë…
Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar lidhur me rastin e Nenad Rashkoviqit, duke akuzuar presidentin…
Protesta kundër shkrirjes së Bashkisë Divjakë me Bashkinë e Lushnjës ka hyrë në ditën e 22-të, ndërsa qytetarët vijojnë të…
“Eja më merr se kam bërë aksident me motor”. Kjo është telefonata që, sipas dëshmisë së tij në gjykatë, Nuh…
Rusia pritet të nisë prodhimin e platformave lundruese sulmuese për të mbrojtur Shën Petersburgun nga dronët detarë dhe ajrorë të…