Në seancën e parë gjyqësore të mbajtur në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Fatmir Sheholli, i akuzuar për spiunazh, u shpreh i pafajshëm për të gjitha pikat e ngritura nga Prokuroria Speciale.
None found
Mbrojtësi i tij, avokati Mentor Neziri, njoftoi se klienti i tij dhe ekipi ligjor kanë vendosur të tërheqin kërkesën për kundërshtimin e aktakuzës, duke synuar kalimin direkt në fazën e shqyrtimit gjyqësor. Sipas Nezirit, vendimi u mor duke marrë parasysh kohën e qëndrimit në paraburgim dhe vëllimin e provave që do të shqyrtohen gjatë procesit.
Prokurori Bekim Kodraliu ka paraqitur parashtrimet kryesore të aktit akuzues, ku theksoi se i pandehuri dyshohet të ketë vepruar në mënyrë të vazhdueshme dhe me dashje direkte si bashkëpunëtor i Shërbimit Informativ të Serbisë (BIA). Sipas tij, Sheholli ndiqte udhëzimet e një zyrtari të lartë të këtij shërbimi, Bojan Dimiq, i cili drejtonte Departamentin kundër Terrorizmit dhe Krimit të Organizuar Ndërkombëtar.
Aktakuza përshkruan se për një periudhë deri më 9 tetor 2025, Sheholli mblodhi dhe transmetoi përmes rrugëve të komunikimit elektronik informacione sensitive që kishin të bënin me jetën politike, gjendjen e sigurisë dhe funksionimin e institucioneve shtetërore të Kosovës.
Një pikë qendrore e hetimit është një plan veprimi që, sipas organit të akuzës, ishte përgatitur nga BIA për të dëmtuar interesat e vendit dhe për të manipuluar zgjedhjet lokale të 12 tetorit 2025. Në aktakuzë përshkruhet se më 26 shtator 2025, Sheholli udhëtoi i shoqëruar nga një i afërm me një automjet drejt Mitrovicës së Veriut. Atje, në një parking pranë Shkollës Teknike, në afërsi të kafiterisë “Sindikata”, ai pretendohet se mori nga një individ i paidentifikuar regjistrime audio dhe transkripte të bisedave të zyrtarëve të lartë në Ministrinë për Komunitete dhe Kthim.
Prokuroria pretendon se këto materiale kishin për qëllim diskreditimin e atyre zyrtarëve dhe se për këtë veprim Sheholli u shpërblye me 5 mijë euro. Më tej, duke ndjekur direktivat, materialet e njëjta së bashku me 1 mijë euro i’u dolën një gazetari, të cilin e udhëzoi se si dhe kur t’i bënte publike, vetëm pak orë para ditës së votimeve.
Duke vijuar me pretendimet, Kodraliu theksoi se këto veprime kanë dëmtuar rëndë interesat shtetërore, kanë nxitur përçarje sociale dhe kanë mundësuar ndërhyrje direkte të një agjencie të huaj në një proces zgjedhor të Kosovës. Detajet e dosjes prej 80 faqesh përfshijnë një gamë të gjerë provash, si përgjime telefonike të nxjerra nga pajisja e të pandehurit, inçizime video nga kamerat e sigurisë, dokumenta të sekuestruara, dëshmi të shumta dhe një raport financiar.
Përveç akuzës për spiunazh, Sheholli ngarkohet edhe me veprën penale të shantazhit. Sipas pretendimeve, ai kishte në posedim video-incizime komprometuese të një biznesmeni kosovar dhe i kishte kërkuar atij një shumë mbi 13 mijë euro për t’i mos i publikuar ato.
Në dosjen hetimore përmenden gjithashtu dokumente të gjetura në telefonin e Shehollit, si ai i koduar “Top Sekret 2”, që përshkruan një plan për ta paraqitur Kosovën si një shtet të radikalizuar, dhe dosja “Leptiri”, një plan i vjetër i shërbimit sekret serb për komprometimin e kryeministrit aktual, Albin Kurti, gjatë kohës që ai ndodhej në burgjet e Serbisë.
I pyetur nga gjykata për fajësinë, Sheholli u përgjigj shkurt se nuk e ndien veten fajtor. Seanca e sotme shënoi hapin e parë procedural të këtij procesi gjyqësor, i cili pritet të përfshijë dëshmitarë dhe prova të shumta në vijim.
Shefi i të drejtave të njeriut i OKB-së, Volker Turk, ka paralajmëruar se Inteligjenca Artificiale, mund të bëhet aq e…
Përfundojnë pushimet dhe nesër deputetët do t’i rikthehen punës në Kuvend, me nisjen e sesionit të ri parlamentar. Seanca e…
Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka njoftuar se ka mbajtur takim koordinues me akterët institucionalë të angazhuar në luftimin dhe parandalimin…
Ministri në detyrë për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, ka reaguar ndaj deklaratave të deputetit të LDK-së, Arben Gashi, i cili ka…
Analisti Lirim Gashi ka reaguar ashpër ndaj deklaratave dhe qëndrimeve të Richard Grenellit për Kosovën, duke e akuzuar atë se…
Një student 21-vjeçar në Indinë qendrore ka bërë atë që shumë njerëz e konsideronin të pamundur: ka nisur i vetëm…