Analisti politik Gani Qarri, në një deklaratë për “Bota sot”, e ka cilësuar si zhvillim të rëndësishëm vendimin e KFOR-it për nisjen e tranzicionit gradual të pranisë së përhershme nga Ura kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë. Sipas tij, ky hap forcon institucionet e Kosovës dhe rrit përgjegjësitë e Policisë së Kosovës.
None found
Qarri ka vlerësuar se vendosmëria e Qeverisë së Kosovës për shtrirjen e rendit dhe ligjit në të gjithë territorin ka krijuar rrethana të reja për stabilitetin dhe sigurinë në veri.
Sipas tij, politika largpamëse e kryeministrit Kurti, angazhimi i Qeverisë për sundimin e ligjit në mbarë Kosovën, ndërtimi i dy urave në të dyja anët e Urës kryesore mbi Ibër, si dhe rikthimi i një gjendjeje të qetë e të qëndrueshme ndëretnike, kanë ndryshuar situatën në Mitrovicë. Qarri tha se kjo gjendje është garantuar me sukses nga Policia e Kosovës, nën drejtimin e z. Veton Elshani, duke bërë të mundur që për më shumë se tre vjet të mos regjistrohej asnjë incident në këtë pjesë të vendit.
Ai shtoi se këto zhvillime ua kanë hequr Serbisë dhe forcave të KFOR-it edhe argumentin e fundit për vazhdimin e pranisë në urë. Sipas Qarrit, 27 vite pas çlirimit, Ura kryesore mbi lumin Ibër po largohet përfundimisht nga simbolika e ndarjes dhe po shndërrohet në një pikë të bashkimit real e të përhershëm të qytetit heroik të minatorëve.
Qarri rikujtoi se Rezoluta 1244 e OKB-së, e datës 10 qershor 1999, e parashikonte vendosjen e KFOR-it në Kosovë për mbrojtjen e kufijve shtetërorë dhe garantimin e sigurisë nga sulmet e jashtme të forcave ushtarake të Serbisë. Sipas tij, mandati nuk përfshinte diktimin e zhvillimeve të brendshme apo krijimin e ndarjeve administrative në Kosovë.
Analisti iu referua edhe sulmit terrorist serb në Banjë të Zveçanit, i cili, siç tha ai, ndodhi para syve të KFOR-it dhe la të vrarë një polic të Kosovës gjatë kryerjes së detyrës. Për Qarri, ky rast dëshmoi se, pavarësisht pranisë së misionit, siguria e kufijve të Republikës së Kosovës nuk ishte në nivelin e kërkuar dhe linte shumë për të dëshiruar. Ndërkohë, trupat e KFOR-it qëndronin pa nevojë, ditë e natë, mbi Urën kryesore të lumit Ibër në Mitrovicë.
Sipas Qarrit, çmontimi i pikës statike në urë duhet të interpretohet si nisja e kalimit gradual të përgjegjësive te institucionet e Kosovës.
Ai tha se largimi i ushtarëve të KFOR-it dhe heqja e pikës statike nga Ura kryesore mbi Ibër, ndonëse ndodh pas 26-27 vitesh prani të pandërprerë dhe vetëm pasi Qeveria e Kosovës nisi ndërtimin e urës së tretë mbi lumin Ibër në Mitrovicë, përbën fillimin më të mirë të mundshëm. Sipas tij, ky proces shënon integrimin gradual dhe transferimin real të përgjegjësisë për urën te Policia e Kosovës, çka përfundimisht do të mundësojë edhe rihapjen e saj të shumëpritur.
Qarri e cilësoi të dhimbshëm vendosjen e papritur të forcave të KFOR-it mbi Urën kryesore të Ibrit, veçanërisht pas vrasjes së 10 shqiptarëve të pafajshëm, plagosjes së 25 personave dhe dëbimit të dhunshëm, brenda një nate, të mbi 12 mijë shqiptarëve të pambrojtur nga vatrat e tyre autoktone në veri. Këto ngjarje ndodhën natën ndërmjet 3 dhe 4 shkurtit të vitit 2000.
Sipas tij, ky veprim jo vetëm që krijoi një ndjenjë të thellë pasigurie, por shtoi edhe frikën se mbi urën kryesore të qytetit historik të minatorëve po vendoseshin në heshtje kufij të rinj. Ai tha se ekzistonte shqetësimi se territori i Kosovës po tkurrej përmes imponimit me forcë dhe pa miratimin e popullit shqiptar.
Për këtë arsye, Qarri deklaroi se lajmi për tërheqjen e KFOR-it nga Ura kryesore e lumit Ibër është pritur si një sihariq nga qytetarët që ia duan të mirën Kosovës dhe popullit të saj, si dhe nga ata që gëzohen për shtetndërtimin e Republikës.
Marrjen e përgjegjësisë për urën nga institucionet vendore, ai e konsideroi gjithashtu provë të forcimit të kapaciteteve të Policisë së Kosovës.
Sipas Qarrit, kalimi i Urës kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë nën përkujdesjen e institucioneve të Kosovës tregon se niveli i sigurisë është rritur. Ai tha se ky zhvillim dëshmon edhe avancimin e aftësive operacionale të policisë së shtetit dhe zgjerimin e mundësive reale që institucionet e Republikës së Kosovës të marrin përgjegjësi shtesë për garantimin e stabilitetit politik.
Duke iu referuar informatave të misionit të NATO-s, Qarri tha se tërheqja e pjesëtarëve të KFOR-it nga Ura kryesore mbi Ibër ishte diskutuar për një kohë të gjatë me Qeverinë Kurti. Ai theksoi se ky proces lidhet me përmirësimin e gjendjes së sigurisë në Kosovë dhe se, krahas qytetarëve të Kosovës, vendimin e ka përshëndetur dhe mbështetur fuqishëm edhe Gjermania, një nga shtetet kyçe të BE-së dhe NATO-s dhe një mike e dëshmuar e shtetit të pavarur të Kosovës.
Qarri rikujtoi se më 3 shkurt të këtij viti u shënuan mbi 26 vjet nga “Nata e Tmerrit”. Gati një vit pas përfundimit të luftës dhe çlirimit të Kosovës nga okupatori serb, gjatë masakrës së 3 dhe 4 shkurtit 2000 në veri të Mitrovicës, grupet e armatosura kriminale serbe dhe pjesëtarët e organizatës terroriste serbe të quajtur “rojat e urës”, në prani të forcave ndërkombëtare, vranë 10 shqiptarë.
Në mesin e viktimave kishte gra, të moshuar dhe fëmijë të pafajshëm. Në ato ngjarje u plagosën edhe 25 persona, ndërsa mbi 12 mijë shqiptarë të pambrojtur u dëbuan nga veriu. Shtëpitë e tyre u dogjën dhe ata u përndoqën me armë nga vatrat autoktone në veri të Kosovës.
Ai theksoi se kjo ngjarje vazhdon të kujtohet me dhimbje si një nga episodet më të rënda të pasluftës dhe si një prej formave më tragjike të spastrimit etnik të shqiptarëve nga veriu i Kosovës, të kryer nga kriminelët serbë që në vitin e parë të jetës së vendit në liri.
Duke trajtuar historikun e urës dhe zhvillimet pas përfundimit të luftës, Qarri kujtoi se çështja e hapjes së saj për qarkullim ishte përfshirë edhe në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Ai tha se, në nderim të vuajtjes, sakrificës dhe guximit të banorëve shqiptarë, të cilët u lanë vetëm dhe u mbrojtën duarthatë gjatë asaj nate të kobshme, Komuna e Mitrovicës ka vendosur pranë urës së re për këmbësorë një pllakë përkujtimore me emrat e të vrarëve. Gjithashtu, në Qendrën e Kulturës është hapur një ekspozitë me fotografi nga “Nata e Tmerrit”, ndërsa është vendosur që çdo 4 shkurt të ndizen qirinj dhe të organizohen veprimtari përkujtimore për shqiptarët e vrarë nga bandat kriminale serbe.
Si një tjetër sinjal pozitiv për forcimin e sigurisë, Qarri përmendi njoftimin se, në të njëjtën ditë kur u mor vendimi për Urën kryesore të lumit Ibër në Mitrovicë, nisi edhe integrimi gradual dhe transferimi i përgjegjësisë te personeli i Policisë së Kosovës për Manastirin e Deçanit. Ky hap u ndërmor në përputhje me përmirësimin e situatës së sigurisë në Kosovë.
Lidhur me urën, Qarri tha se nga historiku i bisedimeve të zhvilluara në Bruksel për normalizimin e marrëdhënieve dihet se Kosova dhe Serbia ishin pajtuar për hapjen e saj për trafik që në vitin 2014. Marrëveshja parashikonte largimin e të gjitha barrikadave të vendosura nga kriminelët serbë të Milan Radojçiqit, por ura nuk u hap asnjëherë.
Në vitin 2016 u arrit pajtimi për një plan të ri zbatimi, sipas të cilit ura duhej të hapej për qarkullim në janar të vitit 2017. Megjithëse në projekt u investuan rreth 1.5 milion euro dhe punimet për rivitalizimin përfunduan në qershor të vitit 2018, ajo vazhdoi të mbetej e pahapur deri më tani.
Sipas Qarrit, ndërtimi nga Qeveria e Kosovës i dy urave të reja i ka rrëzuar pretendimet se hapja e urës kryesore mund të rrezikonte sigurinë.
Ai tha se as përpjekjet e Qeverisë Kurti për ta rihapur urën për automjete nuk u mbështetën nga faktori ndërkombëtar. Për këtë arsye, Qeveria e Kosovës u detyrua të ndërtonte dy ura të reja në të dy krahët e urës kryesore, njërën për automjete dhe tjetrën për këmbësorë. Sipas tij, ky veprim hodhi poshtë çdo arsyetim të pabazë të atyre që kundërshtonin hapjen e urës me pretendimin se situata e sigurisë mund të përkeqësohej.
Qarri vlerësoi se vendimi i fundit i KFOR-it për ta kaluar Urën kryesore të Ibrit në Mitrovicë nën përgjegjësinë e forcës vendore të sigurisë, ashtu siç i takon, provon se kanë dështuar përfundimisht të gjitha përpjekjet armiqësore dhe qëllimkëqija për ta mbajtur të ndarë qytetin e minatorëve. Ai përgëzoi të gjithë shqiptarët dhe ndërkombëtarët që, në çfarëdo forme, kontribuuan që të arrihej kjo ditë.
Sipas tij, largimi i pikës statike dhe i pjesëtarëve të KFOR-it nga Ura kryesore e lumit Ibër, edhe pse ndodh 27 vite pas luftës, i gëzon qytetarët dhe veçanërisht shqiptarët e shumëvuajtur që u dëbuan me dhunë nga veriu prej forcave kriminale dhe pjesëtarëve të organizatave terroriste serbe.
Qarri tha se ky zhvillim i shumëpritur dëshmon rritjen e besimit të NATO-s te institucionet e Republikës së Kosovës. Njëkohësisht, sipas tij, ai i dërgon një mesazh të qartë politik Serbisë dhe aktorëve të tjerë që nuk ia duan të mirën Kosovës dhe vazhdojnë të synojnë destabilizimin e veriut me çdo kusht: përpjekjet e tyre tashmë kanë dështuar.
Në përfundim, analisti shprehu shqetësim për faktin se, sipas KFOR-it, për zhvillimet që lidhen me urën ishte mbajtur vazhdimisht i informuar edhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë së Serbisë.
Qarri tha se kjo çështje vazhdon të shkaktojë dhimbje dhe të prekë plagët ende të hapura të shqiptarëve. Sipas tij, lidhja e çdo procesi për normalizimin e gjendjes dhe forcimin e shtetësisë së Kosovës me regjimin dhe ushtrinë e Serbisë agresore, e cila ka kryer qindra masakra, ka ushtruar terror dhe ka shkaktuar gjenocid të përmasave të papara ndaj shqiptarëve të pambrojtur, rikthen kujtimet më të hidhura.
Ai theksoi se këto zhvillime përjetohen rëndë edhe sot, në një kohë kur Kosova vazhdon të zbulojë varreza masive dhe ende mungojnë mbi 1600 trupa të shqiptarëve të vrarë e të kidnapuar. Qarri tha se Serbia vazhdon t’i mbajë peng edhe 27 vite pas përfundimit të luftës, ndërsa familjet e martirizuara shqiptare kanë afro tri dekada që presin me varre të hapura për më të dashurit e tyre.
Me këtë vlerësim, Gani Qarri e përmbylli prononcimin e tij për “Bota sot”.
Zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti, ka pritur në takim delegacionin e Ministrisë së Punëve të Jashtme…
La Liga do të aplikojë këtë sezon një seri rregullash të reja të ndarjes së drejtësisë, me synimin për të…
Një aksident tragjik ka ndodhur në fshatin Delisufaj të Lushnjes pasditen e kësaj të enjteje, ku një automjet ka dalë…
Tottenham ka bërë një lëvizje të fortë për transferimin e Savinhos, duke i dorëzuar Manchester Cityt një ofertë zyrtare prej…
Qytetarët janë mbledhur sërish sot për të zhvilluar protestën e tyre të 75-të radhazi kundër kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë…
Kryetarja e Komisionit Parlamentar për Turizmin, Kulturën dhe Diasporën, Ina Zhupa, ka reaguar pas vizitës së ministrit Blendi Gonxhja në…