Categories: kosovë

Protesta që rrëzoi mitin e piktorit dhe nxori në skenë noterin e krimit

Andi Bushati vlerëson se, edhe pse askush nuk është në gjendje të thotë me siguri se kur mund të marrë fund pushteti i Edi Ramës, një gjë sipas tij tashmë duket e padiskutueshme: trajektorja e rënies së tij nuk kthehet më pas. Për ta lexuar këtë zhvillim, ai ndalet te mënyra se si është transformuar portreti i kryeministrit në mediat perëndimore pas protestave të fundit në Shqipëri, të pagëzuara si “revolucioni i flamingove”.

Sipas Bushatit, tabloja e ndërtuar për vite me radhë rreth Ramës në shtypin e huaj ka pësuar përmbysje. Nga figura e reformatorit, modernizuesit dhe udhëheqësit që mund ta orientonte vendin drejt Evropës, ai po paraqitet gjithnjë e më tepër si simbol i korrupsionit, i pabarazisë përpara ligjit dhe i ndikimit të oligarkëve në jetën ekonomike të vendit.

Të lidhura

None found

Ai argumenton se protestat e fundit, të pasqyruara nga media si The Guardian, Le Monde dhe The Times, kanë ndikuar drejtpërdrejt në ndryshimin e perceptimit publik për qeverisjen. Sipas këtij këndvështrimi, raportimet e reja e kanë vënë theksin te korrupsioni dhe te pengesat që i dalin Shqipërisë në rrugën e integrimit evropian.

Shkrimi i plotë:

Askush nuk është në gjendje të japë një afat se kur do të rrëzohet Edi Rama, por tashmë është bërë e qartë për të gjithë se zbritja e tij politike nuk ka më kthim. Më shumë se çdo tregues tjetër, këtë e dëshmon portreti që media perëndimore ka filluar t’i ndërtojë kryeministrit shqiptar që nga momenti kur në vend shpërtheu ajo që më pas u quajt revolucioni i flamingove.

Brenda këtij muaji të bekuar, që u çel me tërheqjen zvarrë të një protestuesi në Zvërnec dhe mori hov gradualisht në bulevardin e Tiranës, panorama ka ndryshuar thellësisht. Për afro dy dekada, autokrati që qeveris Shqipërinë me dorë të hekurt ishte pikturuar nga gazetarët e huaj si artisti që i dha ngjyra një kryeqyteti gri, si lideri që mund ta nxirrte popullin e vet nga obskurantizmi, si vizionari që premtonte paqe rajonale dhe si njeriu që kishte mundësinë ta fuste vendin në familjen e madhe evropiane.

Kjo kartolinë u dogj në mënyrën më spektakolare të mundshme vetëm në 30 ditë. Sot, Edi Rama po del në pah me gjithë atë që ka kërkuar të mbulojë ndër vite. Në dhjetra artikuj të New York Times, The Guardian, Politico, The Times, CNN, Der Spiegel, Le Monde, që i janë kushtuar Shqipërisë me një intensitet të paprecedentë që prej vitit të mbrapshtë 1997, ai po shfaqet si një politikan që ka ushqyer pabarazinë përpala ligjit, korrupsionin institucional dhe ka vendosur në plan të parë oligarkët vendas.

Nga kampioni i vetëshpallur i integrimit në BE, Rama po paraqitet tashmë si pengesa kryesore për këtë objektiv. The Guardian, e cilësuar si bibla e së majtës britanike, solli zërat e disa deputetëve që ngrinin alarmin për dëmtimin e aspiratave të Shqipërisë në rrugën drejt integrimit. Le Monde e trajtonte protestën si reagim ndaj një sistemi të sunduar nga oligarkët dhe si produkt i lidhjeve të errëta mes biznesit dhe pushtetit. Pa rastësi, kjo gazetë sillte edhe manifestues që e përshkruanin kryeministrin si dikë që sillet sikur vendi të ishte prona e tij. The Times, nga ana tjetër, e raportonte revoltën e të rinjve pa parti si një lëvizje kundër korrupsionit dhe mënyrës së qeverisjes. Reuters, duke vënë në dukje se mijëra protestues kërkojnë dorëheqjen e kryeministritt, e lidhte këtë thirrje me pakënaqësinë ndaj qeverisjes.

Në një provë që redaksia e Lapsi.al bëri disa ditë më parë me aplikacionet e kërkimit me inteligjencë artificiale, rezultonte qartë se imazhi mediatik i ndërtuar për vite të tëra me mund, para dhe PR, ishte shembur në një kohë shumë të shkurtër sapo u përball me pasqyrën e lëvizjes qytetare.

Deri në një pikë, të gjitha këto mund edhe të arsyetohen. Në çdo vend dhe ndaj çdo qeverie ka një segment të shoqërisë që proteston ndaj abuzimit me pushtetin, arrogancës në ushtrimin e tij dhe prirjes për të anashkaluar ligjin. Por ajo që nxori në sipërfaqe revolucioni i flamingove, përmes lupës së vendosur mbi aferën e Zvërnecit, nuk tregoi vetëm tendencën për të shitur copa Shqipërie si mënyrë për të siguruar mbështetje ndërkomëtare në Shtëpinë e Bradhë, dhe as vetëm ligjin e pashkruar të marrëveshjeve okulte me oligarkë që kanë ‘carta bianca” për të vënë nën kontroll hipotekat, gjykatat, policinë dhe çdo hallkë tjetër të shtetit.

Këtë herë, përmasat e sfidës u zgjeruan. Edhe falë dosjeve të SPAK, që “rastësisht” dolën pikërisht kur protesta shpërtheu, u mor konfirmimi për kriminalizimin deri në palcë të sistemit ekonomik shqiptar, i ushqyer nga paratë e kokainës që prodhohej në Amerikën Latine dhe më pas shitej në kontinentin e vjetër.

Kullat e firmosura nga Rama, biznesmenët e tij të preferuar dhe star arkitektët e ekspozuar në “Albanian files”, rezultuan të ushqeheshin nga rrjedha e parave të pista të kokainës.

Pikërisht ky fenomen, që nga laguna e Nartës përhapej si njollë vaji në të gjithë hartën e vendit, për herë të parë pushtoi me forcë mediat ndërkombëtare. Financial Times ia shtroi Edi Ramës drejtpërdrejt pyetjen nëse ai ishte një padrino (Godfather). Edhe pse qytetarëve të vet ai iu përgjigj me një “Fuck You”, kjo nuk e ndaloi New York Times, të përditshmen e referencës në SHBA, të ngrinte pikëpyetjen se si mund të përfshihej në një projekt ku implikohej familja e presidentit të SHBA një person i dyshuar si narkotrafikant, Artur Shehu.

Po ashtu, kjo nuk e pengoi as britaniken “The Times” të linte të kuptohej se përfshirja e personave të lidhur me pastrimin e parave nuk ishte krejt rastësore. “Projekti i lidhur me Kushnerin është shndërruar në një simbol të zemërimit ndaj korrupsionit dhe depërtimit të kapitalit me origjinë të dyshimtë”, shkruante kjo gazetë.

Atëherë, pyetja e parë që lind përballë këtij ndryshimi rrënjësor të qasjes së mediave ndërkombëtare është: a do të kishte qenë e mundur që, po të mos kishin dalë të rinjtë shqiptarë në rrugë, të formësohej ky portret i Edi Ramës, diametralisht i kundërt me atë që ishte shitur për vite të tëra?

Përgjigjja është e vetëkuptueshme. Revolucioni i falamingove u bë varrmihësi i klishesë së politikanit artist. Ky profil, i ngritur me para të shumta, lobim dhe dinakëri, i hapi rrugë dyshimit se gjithçka mund të ketë qenë vetëm faqja e dukshme e një medaljeje që fshihte mbajtjen e pushtetit dhe mbijetesën e ekonomisë në aleancë me narkotrafikun. Teza e artikuluar prej kohësh në Shqipëri, ajo e një ekonomie informale që shërbente për të ushqyer sistemin, për të kontrolluar mediat, për të blerë zgjedhjet, të gjitha këto nën maskën e një zhvillimi të rremë të projektuar bashkë me studio arkitekturore me famë ndërkombëtare, më në fund zuri vend edhe në ekranet dhe faqet e gazetave më të mëdha të Perëndimit.

Ky mbetet një prej efekteve më të dukshme të lëvizjes që nisi në Zvërnec dhe shkoi përtej tij. Ajo i tregoi botës një portret tjetër të Edi Ramës. Pikërisht për këtë arsye, historianët që një ditë do të shkruajnë për rrëzimin e këtij regjimi duhet ta shënojnë këtë datë. Sepse këtu nisi çarja e legjitimitetit ndërkombëtar të një autokrati, i cili këtë fasadë e përdorte si instrument për të sunduar popullin e vet.

të fundit

“O i vogli i pakënaqur i Berishës”, Mila debaton me Hoxhën, demokrati: Po të përdor Rama

Deputetja e PS, Sara Mila, debatoi me anëtarin e Këshillit Kombëtar të PD, Lisandër Hoxha, duke iu referuar këtij të…

9 minutes ago

Ferati on the closure of “Vita” in Istog: Farmers and workers must not suffer

Kryetari i Istogut Ilir Ferati reagoi pas vendimit për mbylljen e Qumështores ‘Vita” në Istog, duke vlerësuar se ky vendim…

13 minutes ago

“People should set you completely on fire!”/ Clash erupts between Bushati and Bido: He defends thieves and waves the flag of patriotism!

Analisti Andi Bushati ka debatuar ashpër me deputetin e PS-së, Ardit Bido, në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, lidhur…

14 minutes ago

Britain arrests 8 suspects over international network accused of drugging and sexually abusing women

Agjencia Kombëtare e Krimit në Britani (NCA) bëri të ditur sot se tetë persona janë vënë në pranga në kuadër…

14 minutes ago

Vatican expels six SSPX bishops and warns of measures against the group’s official supporters

Selia e Shenjtë ka bërë publik vendimin për përjashtimin nga Kisha të gjashtë peshkopëve të Shoqërisë së Shën Piut X…

14 minutes ago

Berisha: No injured officer appears in the emergency departments of Tirana hospitals

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha, në një reagim në rrjetet sociale shkruan, se ministria e Brendshme ka mashtruar publikisht,…

14 minutes ago