Me zgjedhjen e kryetarit të ri të Kuvendit të Kosovës, detyra e ushtruesit të postit të presidentit do t’i kalojë atij ose asaj, ka bërë të ditur Presidenca e Kosovës.
None found
Institucioni i Presidencës i tha Radios Evropa e Lirë se Kosova nuk mund të mbetet pa një ushtrues detyre të presidentit. Sipas saj, kjo përgjegjësi do të bartet te kryetari i ri i Kuvendit, pavarësisht se kush do të zgjidhet, deri në zgjedhjen e presidentit të Republikës.
Legjislatura e njëmbëdhjetë, e dalë nga zgjedhjet e qershorit, ende nuk ka arritur të konstituohet. Seanca konstituive, e cila filloi më 6 gusht, mbetet e papërfunduar, pasi Lëvizja Vetëvendosje kërkon që paraprakisht të arrihet pajtim për zgjedhjen e presidentit.
Albulena Haxhiu e ushtron detyrën e presidentit prej 4 prillit. Ajo e mori këtë rol në cilësinë e kryetares së legjislaturës së dhjetë të Kuvendit, pas përfundimit të mandatit pesëvjeçar të Vjosa Osmanit në krye të shtetit.
Kushtetuta e Kosovës përcakton se detyra e ushtruesit të presidentit mund të mbahet për një periudhë jo më të gjatë se gjashtë muaj. Për Haxhiun, ky afat përfundon më 4 tetor.
Presidenca nuk e ka përjashtuar mundësinë që t’i kërkojë Gjykatës Kushtetuese një interpretim, nëse deri më 4 tetor Kuvendi nuk zgjedh presidentin e ri. Nga ky institucion thanë se në këtë fazë nuk mund të paragjykohet nëse do të lindë nevoja për një procedurë të tillë.
Sidoqoftë, Presidenca vlerëson se për momentin përparësi duhet t’i jepet zgjedhjes së një presidenti me mandat të plotë.
Në fillim të kësaj jave, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës u pajtuan për çështjen e presidentit. Të dyja partitë propozuan Bekim Sejdiun, ish-gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese, për këtë post.
Marrëveshja nuk mori mbështetjen e gjashtë deputetëve të LDK-së një ditë më pas, çka vuri në dyshim mundësinë e zgjedhjes së kreut të ri të shtetit përmes këtij dakordimi.
Kurti: Marrëveshja për presidentin mbetet në fuqi, pavarësisht kundërshtimit të 6 deputetëve të LDK-së
Kreu i LVV-së dhe kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi pas këtij zhvillimi se përpjekjet për zgjedhjen e presidentit do të vazhdojnë. Ai tha se në këtë moment Sejdiu ka 74 vota.
Për të marrë pjesë në votimin për presidentin duhet të jenë të pranishëm të paktën 80 deputetë, ndërsa Kuvendi i Kosovës përbëhet nga gjithsej 120 deputetë.
Në dy votimet e para kandidati duhet të sigurojë 80 vota. Në rundin e tretë mjaftojnë 61 vota, por në sallë duhet të jenë të pranishëm së paku 80 deputetë.
Nëse presidenti nuk zgjidhet as në rundin e tretë, Kuvendi shpërndahet në përputhje me Kushtetutën dhe zgjedhjet e reja duhet të zhvillohen brenda 45 ditësh. / REL
Vetëm disa muaj më parë, fermerët në Kosovë thoshin se deri në 30 për qind e qumështit të freskët u…
Aktivistë dhe qytetarët protestues, kanë paralajmëruar mobilizim masiv për protestën e 100-të, e cila pritet të zhvillohet më 7 shtator,…
Ditën e sotme, aktivistët dhe qytetarët kanë paralajmëruar sot se do të protestojnë para Gjykatës Penale, për të kërkuar lirimin…
Ditën e sotme dollari amerikan, në blerje do të këmbehet me 78.6 lekë, në shitje me 79.8 lekë. Euro, do…
Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) do të vazhdojnë edhe sot aksionin e tyre, duke bllokuar hyrjen e ndërtesës…
Këtë të premte, Shqipëria do të mbizotërohet nga kushte atmosferike përgjithësisht të qëndrueshme, ndërsa moti do të karakterizohet nga alternime…