Bashkimi Evropian ka reaguar me forcë pas deklaratës së Snezhana Paunoviq, ministre serbe për Administratën Publike dhe Vetëqeverisjen Lokale, e cila u shpreh se po të ndodhej në pozitën e Sllobodan Millosheviqit gjatë vitit 1998, do ta kishte “spastruar etnikisht Kosovën”.
None found
Këto komente janë pritur me dënim të gjerë, pasi shihen si një përpjekje për të legjitimuar retorikën e spastrimit etnik dhe bien në kundërshtim me parimet themelore të Bashkimit Evropian.
Anitta Hipper, zëdhënësja e Komisionit Evropian, theksoi se megjithëse institucioni nuk i komenton zakonisht deklaratat individuale, në Evropë nuk ka asnjë hapësirë për gjuhë që justifikon, promovon ose lavdëron spastrimin etnik. Ajo rikonfirmoi angazhimin e palëkundur të BE-së ndaj të drejtave të njeriut, paqes dhe pajtimit në rajon.
Kjo deklaratë del në një moment kur marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mbeten tejet delikate, dhe Brukseli vijon t’u bëjë thirrje të dyja palëve të distancohen nga gjuha provokuese dhe veprimet që rrezikojnë procesin e normalizimit.
Ndërkohë, Kosova e ka shpallur ministre Paunoviq person ‘non grata’.
Lidhur me këtë zhvillim, veprimtari Agim Aliçkaj ka dhënë një prononcim për “Bota sot”, duke paralajmëruar se kjo deklaratë nuk është aspak spontane, por pasqyron një vijë të pandërprerë të politikave historike serbe që synojnë shpërnguljen dhe asgjësimin e shqiptarëve nga tokat e tyre.
Aliçkaj e vendosi fjalimin e ministres në një kontekst më të gjerë, duke përmendur se planet për eliminimin e shqiptarëve datojnë që nga Naçertanija e vitit 1844, vazhdojnë me Memorandumin e Çubriloviqit të vitit 1937 për “Dëbimin e shqiptarëve”, Memorandumin e Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve të vitit 1986 dhe kulmojnë me operacionin “Patkoi” të viteve 1998–1999, të organizuar nga regjimi i Millosheviqit. Ai rikujtoi se Çubriloviqi kishte deklaruar qartë se mbijetesa e kombit serb varej nga zhdukja e kombit shqiptar, duke shtuar se këto plane janë produkt i një bashkëpunimi mes regjimeve shtetërore, Akademisë Serbe dhe Kishës Ortodokse Serbe.
Fatmirësisht, sipas tij, rezistenca e pandërprerë e shqiptarëve, lufta çlirimtare e UÇK-së dhe ndërhyrja e NATO-s në vitin 1999 e bënë të dështojë gjenocidin serb në Kosovë. Megjithatë, ai nënvizon se ideologjia e urrejtjes ndaj shqiptarëve vazhdon të jetë e gjallë në Serbi, edhe për shkak të mungesës së një procesi “denazifikimi” të shoqërisë serbe pas konfliktit.
Ai argumentoi se një gabim i madh i fuqive perëndimore ishte pikërisht mosçlirimi i popullit serb nga mitet mesjetare dhe nxitja e pajtimit të vërtetë, duke lënë të paprekur një klasë politike që ushqen elektoratin me urrejtje ndaj fqinjëve.
Aliçkaj kritikoi ashpër qasjen e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara, duke e cilësuar si një politikë zbutjeje ndaj regjimit të udhëhequr nga Aleksandar Vuçiq, bashkëpunëtor i dikurshëm i Millosheviqit. Sipas tij, reagimi i zbehtë i zëdhënëses së KE-së, si dhe mungesa e masave konkrete ndëshkuese për akte si sulmi terrorist në Banjskë dhe Ujman, apo për mosnënshkrimin e marrëveshjes së Brukselit, tregojnë një standard të dyfishtë tronditës. Ndërkohë, ai shtoi se presioni i padrejtë mbi Kosovën për lëshime shtesë, përfshirë sanksionet për zbatimin e ligjit në veri, e përforcon këtë përshtypje.
Në fund, veprimtari e quajti të pavlerë dhe të turpshëm reagimin e Shqipërisë zyrtare dhe të kryeministrit Edi Rama, si dhe heshtjen e një pjese të partive dhe shtypit në hapësirën shqiptare. Ai paralajmëroi se deklarata e ministres Paunoviq është e rrezikshme dhe shërben për të mashtruar votuesit serbë përpara zgjedhjeve, si dhe për të shpërqendruar vëmendjen ndërkombëtare nga veprimet destruktive të regjimit të Vuçiqit. Aliçkaj përfundoi se pa ndëshkimin e kriminelëve, largimin e një qeverie shoviniste dhe çrrënjosjen e urrejtjes nga një pjesë e shoqërisë serbe, nuk do të ketë kurrë paqe dhe siguri të qëndrueshme në Ballkan.
Mëngjesin e sotëm, një tërmet me magnitudë 5.2 ballë, ka goditur provincën perëndimore iraniane të Kermanshah, duke shkaktuar lëkundje në…
Komanda Qendrore e Shteteve të Bashkuara (CENTCOM) tha se ka sulmuar Iranin për të nëntën natë radhazi, me synimin për…
Në tregun e këmbimit valutor shqiptar, një dollar amerikan, do të blihet sot me 81 lekë dhe do shitet me…
Triumfi i Spanjës në Botëror nuk sjell vetëm trofeun e dytë në histori për kombëtaren, por edhe një shpërblim të…
Nga BDI thonë se Bashkia e Shkupit brenda një dite dy herë e shkeli hapur detyrimin ligjor për përdorimin e…
Lionel Scaloni & Lionel MessiLionel Scaloni mund të jetë duke “përjetuar” muajit e tij të fundit tek Argjentina [...]Read More...