Gjykata Themelore në Prizren ka vendosur që Ibish Çoçaj të mbahet në paraburgim, nën dyshimin për falsifikim dokumentesh dhe mashtrim. Sipas dyshimeve, ai ka përdorur një biznes privat për të lëshuar diploma profesionale, edhe pse nuk kishte akreditim apo autorizim për një veprimtari të tillë.
None found
Masa e paraburgimit është caktuar për një muaj dhe, sipas vendimit gjyqësor, mund të zgjasë deri më 18 shtator 2026.
Rasti lidhet me aktivitetin e biznesit individual “Qendra për Verifikimin e Aftësive Profesionale”, përmes të cilit Çoçaj dyshohet se në Prizren, gjatë vitit 2021, ka organizuar trajnime dhe ka pajisur persona me dokumente të paraqitura si diploma të vlefshme të aftësimit profesional. Sipas Gjykatës, kjo qendër nuk ishte e akredituar dhe as e autorizuar nga Autoriteti Kombëtar i Kualifikimeve për të lëshuar kualifikime profesionale.
Gjykata ka deklaruar se provat e siguruara deri në këtë fazë krijojnë dyshim të bazuar për kryerjen e veprave penale dhe se për caktimin e paraburgimit ekzistojnë arsyet ligjore.
Dyshimet për dokumentet e falsifikuara lidhen me periudhën nga 4 janari deri më 15 nëntor 2021. Gjatë kësaj kohe, Çoçaj dyshohet se ka shtypur dhe shpërndarë “Diploma mbi aftësimin profesional”, ku thuhej se pjesëmarrësit kishin kryer me sukses 900 orë praktikë dhe 400 orë teori, si dhe kishin kaluar provimin përfundimtar.
Sipas dyshimit të Prokurorisë, të përshkruar në vendimin e Gjykatës, këto dokumente janë lëshuar me synimin që të përdoren si dokumente origjinale dhe për të siguruar përfitim të kundërligjshëm pasuror.
Në njoftimin e saj, Gjykata ka theksuar se Çoçaj dyshohet se, duke krijuar përshtypjen e rreme se lëshonte dokumente të vlefshme, u ka ofruar personave trajnime profesionale dhe më pas i ka pajisur me diploma.
Veprimet për të cilat ai dyshohet u kanë shkaktuar dëm material personave të dëmtuar. Gjykata ka bërë të ditur se përfitimi monetar ose dëmi i shkaktuar dyshohet se e ka kaluar shumën prej 50 mijë eurosh.
Procedura penale ka të bëjë me veprat “Falsifikimi i dokumenteve”, sipas nenit 390, paragrafi 1, dhe “Mashtrimi”, sipas nenit 323, paragrafi 1 i Kodit Penal.
Një tjetër arsye e marrë parasysh për caktimin e paraburgimit është nevoja për sigurimin e provave të tjera dhe parandalimin e ndikimit të mundshëm te personat që pritet të dëshmojnë.
Sipas arsyetimit të Gjykatës, ekziston rreziku që i pandehuri të ndikojë te të dëmtuarit, me qëllim që ata të ndryshojnë deklaratat e dhëna më herët.
Hetimet vijojnë dhe në kuadër të tyre pritet të mblidhen prova të tjera materiale, të dëgjohen të dëmtuarit dhe dëshmitarët, si dhe të merret deklarata e të dyshuarit.
Gjykata ka vlerësuar se, duke pasur parasysh rëndësinë e veprave penale, mënyrën dhe rrethanat e dyshuara të kryerjes së tyre, paraburgimi është i domosdoshëm për të siguruar zhvillimin e papenguar të procedurës.
Borussia Dortmund ka rikthyer interesimin për sulmuesin Fisnik Asllani dhe po konsideron të dërgojë një ofertë huazimi drejt Hoffenheimit me…
Abuzimi dhe ngacmimi online ndaj grave në media në Kosovë vazhdon të jetë një shqetësim serioz, me 61 për qind…
Zyrtarët doganorë, gjatë kontrolleve të automjeteve në hyrje në pikë kalimin kufitar Kullë, kanë ndaluar për kontroll një automjet me…
Policia e Kosovës pritet të japë sot detaje për një operacion të gjerë policor të zhvilluar në disa lokacione në…
Kërkesa e Bashkimit Evropian që çdo hap drejt hapjes së urës kryesore mbi lumin Ibër të shoqërohet me koordinim ndërmjet…
"Nga fillimi i këtij viti deri në qershor, nga pagesa e taksave rrugore në vend janë mbledhur shumë rekord prej…