Categories: kosovë

Pajisje e veshje ushtarake gjenden të fshehura në një puset në Mitrovicë, Shala kërkon hetim të thelluar

Gjatë një patrullimi të zakonshëm në rrugën “Zoran Gjingjiq” në Mitrovicën e Veriut, Policia e Kosovës ka zbuluar një sasi veshjesh dhe pajisjesh ushtarake të fshehura brenda një pusete kanalizimi.

Të lidhura

None found

Ngjarja është evidentuar rreth orës 13:30, kur zyrtarët e Stacionit Policor në Mitrovicë të Veriut, gjatë kryerjes së detyrave të tyre, kanë vërejtur se puseta ishte e hapur. Kontrolli i mëtejshëm ka çuar në zbulimin e një qeseje të zezë plastike, e cila ka ngjallur dyshime.

Pas nxjerrjes dhe kontrollimit të përmbajtjes së saj, policia ka konstatuar se aty ndodheshin pesë kapela ushtarake të gjelbra, dy gjoksore të pajisura me vende për municion, një rrip ushtarak, çanta për mbajtjen e karikatorëve, si dhe pajisje të tjera me përdorim ushtarak.

Për rastin është vënë në dijeni prokurori i shtetit, i cili ka udhëzuar që aktualisht të mos hapet procedurë penale.

Pajisjet janë marrë nga policia dhe janë sekuestruar, ndërsa puna hetimore vijon për të zbardhur rrethanat dhe për të përcaktuar personat që mund të kenë lidhje me rastin.

Eksperti i sigurisë, Drizan Shala, në një prononcim për “Bota sot”, shprehet se zbulimi nuk duhet parë vetëm si një ngjarje e shkëputur.

Shala nënvizon se, përpara përfundimit të hetimeve, nuk mund të nxirren konkluzione përfundimtare, por mënyra e fshehjes së pajisjeve ngre disa pikëpyetje të rëndësishme.

“Gjetja e veshjeve dhe pajisjeve ushtarake në një puset kanalizimi në Mitrovicën e Veriut nuk duhet konsideruar thjesht si një incident i izoluar. Duke pasur parasysh historikun e tensioneve në këtë zonë, ndikimet e jashtme dhe veprimtarinë e strukturave hibride ilegale, një rast i tillë duhet të shihet si tregues që kërkon vëmendje të shtuar nga institucionet e sigurisë.

Nuk mund të bëhen vlerësime përfundimtare pa u mbyllur hetimet, por prania e pajisjeve me karakter ushtarak në një hapësirë publike sjell pyetje serioze: kush i ka vendosur aty, kur është bërë fshehja dhe cili ka qenë qëllimi? Nuk përjashtohet mundësia që ato të jenë përdorur ose të jenë përgatitur për veprimtari të paligjshme, përfshirë akte destabilizuese, sidomos nëse merren parasysh incidentet e mëparshme të sigurisë në veri dhe sulmet ndaj institucioneve të Kosovës”, deklaron Shala.

Sipas ekspertit, fakti që pajisjet janë vendosur në një pjesë të infrastrukturës publike tregon se është synuar mbajtja e tyre larg syve të autoriteteve dhe qytetarëve.

“Një puset kanalizimi nuk përbën një vend të zakonshëm për ruajtjen e pajisjeve. Zgjedhja e këtij vendi tregon se ka pasur përpjekje për t’i fshehur ato dhe ngre dyshime se dikush ka dashur t’i mbajë të padukshme për një kohë të caktuar”, vlerëson ai.

Shala thotë se rasti duhet të nxisë rritjen e monitorimit, përmirësimin e shkëmbimit të informacionit dhe forcimin e kapaciteteve parandaluese.

“Policia e Kosovës duhet të kryejë një hetim të plotë për të përcaktuar prejardhjen e pajisjeve dhe për të verifikuar lidhjet e mundshme me individë ose grupe të organizuara. Gjithashtu, hetimi duhet të zgjerohet për të parë nëse ka edhe depo të tjera të ngjashme ku mund të jenë fshehur uniforma apo pajisje të tjera.

Ky rast duhet të shërbejë si sinjal për forcimin e mbikëqyrjes, bashkëpunimit informativ dhe masave parandaluese. Në veri të Kosovës, çdo pajisje me karakter ushtarak që ndodhet jashtë kontrollit institucional duhet trajtuar si çështje e sigurisë kombëtare dhe jo vetëm si çështje policore”, shton eksperti i sigurisë.

Ai paralajmëron gjithashtu se ngjarje të tilla mund të ndikojnë në mënyrën se si qytetarët e veriut e perceptojnë sigurinë. Për këtë arsye, Shala e konsideron transparencën e institucioneve dhe zhvillimin e një hetimi të plotë të domosdoshëm për të parandaluar spekulimet dhe për të ruajtur besimin e publikut te institucionet e sigurisë.

të fundit

I ndërroi jetë e ëma, Drejtoria e Burgjeve nuk i jep leje Ardian Çapjas të marrë pjesë në ceremoninë e varrimit! Policia nuk merr përsipër sigurinë

Kërkesa e të dënuarit me burgim të përjetshëm, Ardian Çapja, për të marrë leje dhe për të qenë i pranishëm…

35 seconds ago

Kultivonte kanabis në ngastër, arrestohet në Krujë 62-vjeçari

Policia e Krujës ka finalizuar operacionin e koduar “Baruni”, duke goditur një rast të kultivimit të bimëve narkotike. Gjatë kontrolleve…

8 minutes ago

QMK paralajmëron: Rrezik i lartë nga zjarret në pothuajse të gjithë vendin

Pothuajse i gjithë territori i Maqedonisë së Veriut ka indeks të lartë meteorologjik të rrezikut nga zjarret, sipas analizave të…

14 minutes ago

Zejnulla Gashi dhe Enver Fejzullahu bisedojnë mbi avancimin e aftësive të prokurorëve

Kryeprokurori i Shtetit, Zejnulla Gashi, priti në një takim drejtorin e Akademisë së Drejtësisë, z. Enver Fejzullahu, i cili e…

21 minutes ago

Mohsen Rezaei, ish-kreu i Gardës Revolucionare, merr një rol të rëndësishëm në aparatin e sigurisë iraniane

Irani ka emëruar Mohsen Rezaein, një prej figurave më të njohura të linjës së ashpër të regjimit, në postin e…

24 minutes ago

Polonia dhe vendet baltike rrisin mbrojtjen e infrastrukturës strategjike, nga frika e një sulmi të inskenuar rus

Polonia dhe shtetet baltike kanë forcuar masat e sigurisë rreth objekteve strategjike, përfshirë centrale energjetike, diga dhe infrastrukturën e gazit,…

24 minutes ago