kosovë

Osmani i kërkon BE-së heqjen urgjente të masave ndaj Kosovës

Pas gati dy vjetësh që nga vendosja e masave ndëshkuese ndaj Kosovës BE-ja vazhdon të refuzojë heqjen e tyre, megjithë kërkesat e udhëheqësve politikë në Prishtinë apo të Parlamentit Evropian.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i kërkoi Bashkimit Evropian që t’i heqë masat ndëshkuese ndaj Kosovës duke e quajtur këtë madje si urgjencë. Sipas saj “këto masa janë të padrejta, dëmtojnë qytetarët e Kosovës dhe cënojnë vetë parimet e BE-së”. Këtë kërkesë, Presidentja Osmani e bëri në një takim që zhvilloi me ambasadorët e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian në Kosovë.

Të lidhura

None found

“Kosova mbetet e palëkundur në rrugëtimin e saj evropian dhe e përkushtuar për bashkëpunim me qëllim të avancimit në këtë rrugëtim”, tha Presidentja Osmani, e cila me ambasadorët e BE-së diskutoi edhe për hapat drejt konstituimit të institucioneve të reja të dala nga zgjedhjet e 9 shkurtit, si dhe për procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja.

Masa ndëshkuese ndaj Kosovës që prej dy vjetësh

Bashkimi Evropian vendosi masa ndëshkuese ndaj Kosovës në qershor të vitit 2023 për shkak të tensioneve në veriun e vendit, të banuar me shumicë serbe, dhe për shkak të veprimeve të pakoordinuara të qeverisë së Kosovës të udhëhequr nga Albin Kurti.

Masat ndaj Kosovës përfshinë ngrirjen e disa fondeve të BE-së dhe suspendimin e përkohshëm të punës së trupave të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit. Po ashtu, Kosova nuk ftohet në ngjarjet e nivelit të lartë dhe vizitat bilaterale janë suspenduar, përveç atyre që fokusohen në adresimin e krizës në veri të Kosovës në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Masat e tjera të BE-së ndaj Kosovës përfshijnë edhe suspendimin e programimit të fondeve për Kosovën në kuadër të IPA 2024.

Hapat për shtensionimin e gjendjes në veri ende të mjaftueshme

Këto masa vazhdojnë të jenë në fuqi dhe, sipas zyrtarëve evropianë, Kosova nuk ka bërë ende mjaftueshëm për shtensionimin e gjendjes në veri të vendit. Një zëdhënës i BE-së tha se “masat e përkohshme të BE-së janë të kthyeshme dhe Këshilli tashmë ka vendosur kushte për heqjen graduale të tyre, të cilat lidhen me marrjen e hapave nga Kosova për uljen e tensioneve në veri”.

Pavarësisht këtyre masave qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti nuk hoqi dorë nga veprimet në veri, ndërsa i cilësoi si të padrejta masat e BE-së, duke thënë se “nuk mund të bëjë kompromise me sundimin e ligjitdhe kushtetutshmërinë e vendit”. Gjatë një periudhe 20-mujore, qeveria e Kurtit hoqi nga përdorimi dinarin serb, mbylli shumicën e institucioneve paralele të Serbisë dhe e mbrojti këtë politikë si shtrirje të autoritetit të institucioneve të Kosovës në veri.

Parlamenti Evropian pro heqjes së masave

Parlamenti Evropian u bëri thirrje strukturave të Këshillit Evropian që t’i heqin masat ndaj Kosovës, të cilat, siç thuhet në një dokument të raportuesit për Kosovën, Riho Terras, “nuk janë më të arsyeshme dhe janë në kontradiktë me përkushtimin e dëshmuar të Kosovës ndaj vlerave evropiane dhe me përshtatjen e saj me politikat e BE-së”.

Në takimin me ambasadorët e BE-së në Kosovë, Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, diskutoi edhe për hapat drejt konstituimit të institucioneve të reja të dala nga zgjedhjet e 9 shkurtit. Rezultati i këtyre zgjedhjeve, ndonëse tashmë dihet, ende nuk është certifikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për shkak të ankesave të disa partive politike, kryesisht të Lëvizjes Vetëvendosje, e udhëhequr nga Albin Kurti.

Për fondet e BE-së nevojitet konstituimi i Kuvendit të Kosovës

Partia e Kurtit doli e para, duke fituar 42.30 për qind të votave, apo 48 ulëse në Kuvendin e Kosovës me 120 sosh. Partia Demokratike e Kosovës u rendit e dyta me 20.95 për qind, pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me 18.27 për qind. Asnjë nga këto parti nuk arriti t’i fitojë të paktën 61 vendet e nevojshme për ta formuar e vetme qeverinë e re. Koalicionet janë të pashmangshme. Kryeministri Kurti thotë se ai po pret certifikimin e rezultateve para se të ulen dhe të shikojnë rrugën përpara. E për të siguruar disa fonde të BE-së, paraprakisht nevojitet konstituimi i Kuvendit të Kosovës, i cili me dy të tretat e votave të nevojshme duhet të ratifikojë marrëveshjet ndërkombëtare që përfshijnë pikërisht marrjen e disa fondeve të BE-së.

Bashkimi Evropian kishte miratuar një plan për rritjen ekonomike prej 6 miliardë eurosh për vendet e Ballkanit Perëndimor, në një përpjekje për të ndihmuar në përshpejtimin e procesit të integrimit. Ndryshe nga katër shtetet e tjera të rajonit, Kosovës dhe Serbisë iu kishin vënë parakushte shtesë në mënyrë që të përfitonin nga 6 miliardë eurot e Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor, në kuadër të Pakos së Rritjes Ekonomike. Kushti kryesor për Prishtinën dhe Beogradin është që të dyja vendet të angazhohen në mënyrë konstruktive me progres të matshëm dhe rezultate të prekshme në normalizimin e marrëdhënieve mes tyre./DW

Tags: kosoveosmani

të fundit

Ofensiva amerikane në Iran hyn në fazën e katërt, Hormuzi vijon i bllokuar/ Trump sinjalizon goditje të mëtejshme

Sulmet ajrore të Shteteve të Bashkuara kundër caqeve brenda territorit iranian po vijojnë për të katërtën ditë radhazi, teksa klima…

10 minutes ago

Arsenali rinis kontaktet me Atletico Madridin për Alvarezin, por Barcelona mbetet destinacioni i ëndërruar i sulmuesit

Arsenali ka zhvilluar diskutime të reja me Atletico Madridin për një transferim të mundshëm të Julian Alvarez, megjithatë sulmuesi argjentinas…

52 minutes ago

Real Madridi synon portierin rekordmen të Botërorit, Unai Simon në radarin e klubit

Real Madridi ka nisur të mendojë seriozisht për të ardhmen e portës së tij dhe një nga emrat që po…

2 hours ago

Zhgënjimi i thellë i Mbappes pas humbjes me Spanjën: Ata ishin superiorë, ne nuk zbatuam planin tonë të lojës

Kapiteni i Francës, Kylian Mbappe, nuk e fshehu zhgënjimin pas humbjes 2-0 ndaj Spanjës në gjysmëfinalen e Kupës së Botës…

4 hours ago

Deschamps pranon epërsinë e Spanjës, por vë në dyshim aftësitë e gjyqtarit për gjysmëfinalen

Trajneri i Francës, Didier Deschamps, nuk e fshehu zhgënjimin pas humbjes 2-0 ndaj Spanjës në gjysmëfinalen e Kupës së Botës…

5 hours ago

Kroos mbron Tuchelin pas përplasjes me Bellingham: Trajneri kishte plotësisht të drejtë

Deklaratat e Jude Bellingham pas fitores së Anglisë ndaj Norvegjisë në çerekfinalen e Kupës së Botës 2026 vazhdojnë të shkaktojnë…

6 hours ago