Vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës është caktuar për sot, të shtunën, 8 gusht, në ora 11:00. Në rendin e ditës janë zgjedhja e kryetarit dhe e nënkryetarëve të Kuvendit.
None found
Seanca nuk u mbajt të premten në mbrëmje, megjithëse PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja kishin kërkuar që ajo të zhvillohej në ora 22:30. Sipas opozitës, në mesnatë skadonte afati kushtetues prej 30 ditësh për konstituimin e Kuvendit, i llogaritur nga certifikimi i rezultateve zgjedhore.
Deputetë të këtyre tri partive u paraqitën në Kuvend për të pritur vazhdimin e seancës, por deklaruan se nuk mundën të futeshin në sallë, pasi dyert e saj ishin të mbyllura.
Besnik Tahiri nga AAK-ja bëri të ditur se grupi parlamentar e kishte informuar në kohë kryesuesin e seancës konstituive, Avni Dehari, si dhe administratën e Kuvendit për kërkesën e tyre.
“Dyert e sallës ku do të duhej të konstituohej Kuvendi sonte janë të mbyllura”, deklaroi Tahiri.
Ai theksoi se afati kushtetues për konstituimin e Kuvendit mbyllej në ora 23:59, ndërsa akuzoi LVV-në për shkelje të aktvendimit të Gjykatës Kushtetuese.
Edhe kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, tha pas mesnatës se deputetët kishin qëndruar në Kuvend për të dëshmuar gatishmërinë e tyre për të marrë pjesë në seancën konstituive.
Sipas Hamzës, aktvendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk lë paqartësi dhe moskonstituimi i Kuvendit brenda afatit përbën shkelje të Kushtetutës.
“Kemi të bëjmë me mosrespektim të mendimit dhe aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese”, tha Hamza.
Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, deklaroi se partia e tij kishte kërkuar që seanca të mbahej deri në ora 00:00, me synimin që të respektoheshin afatet kushtetuese.
“LDK ka pritur dhe ka kërkuar, ka ftuar që seanca të mbahet sonte deri në ora 00:00, në mënyrë që të ruhen afatet kushtetuese”, u shpreh Haziri.
Dështimi i seancës së kërkuar nga opozita ndodhi të premten, pikërisht në ditën kur, sipas përfaqësuesve opozitarë, u mbushën 30 ditë nga certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve.
Për deklaratat e opozitës lidhur me një shkelje të rendit kushtetues reagoi edhe ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati. Ai rikujtoi se më 26 prill 2025 kishin kaluar 30 ditë nga certifikimi i zgjedhjeve të 9 shkurtit, ndërsa Kuvendi ende nuk ishte konstituuar. Murati tha se në atë rast kjo vonesë nuk ishte vlerësuar si problem apo si shkelje kushtetuese.
Seanca konstituive do të vazhdojë të shtunën, më 8 gusht, në ora 11:00. Opozita ende nuk ka treguar nëse do të jetë pjesëmarrëse. Bedri Hamza deklaroi se PDK-ja do ta shqyrtojë këtë çështje, ndërsa Lutfi Haziri bëri të ditur se grupi parlamentar i LDK-së do të mblidhet para fillimit të seancës.
Dështimi i radhës për të arritur një marrëveshje ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës e ka futur skenën…
Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Shqipëri ka reaguar pas konfirmimit të Eric Wendt për rolin e tij si Ambasadori…
Një grua që kërkoi një ndërhyrje të vogël estetike në nofull për të përmirësuar pamjen e saj, pretendon se përfundoi…
Një majmun ka shkaktuar panik në një qytet të Indonezisë pasi sulmoi dhe plagosi 18 persona, mes tyre fëmijë dhe…
Më 12 gusht në Wals-Siezenheim të Austrisë, Paris Saint-Germain dhe Aston Villa do të përballen në ndeshjen e Superkupës së…
Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka njoftuar qytetarët dhe operatorët ekonomikë se sot do të zbatohet kufizim i përkohshëm i…