Categories: kosovë

Nisma e PDK-së për Dhomat e Specializuara ngre dilema kushtetuese dhe politike

Partia Demokratike e Kosovës ka paraqitur një projektligj për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, duke propozuar rregulla të reja për caktimin dhe zbatimin e dënimeve.

Të lidhura

None found

Sipas nismës, dënimi më i lartë që mund të shqiptohet nga Dhomat e Specializuara do të ishte 15 vjet burgim.

Projektligji parasheh që vendimet e dënimit të zbatohen në Kosovë, ndërsa personat e dënuar të mund të përfitojnë nga falja presidenciale.

Ndryshimet do të ndikonin gjithashtu në raportin mes ekzekutimit të dënimeve dhe institucioneve të Kosovës, si dhe në funksionimin e përgjithshëm të Dhomave të Specializuara.

Burjani: BE-ja duhet të qartësojë të ardhmen e Dhomave të Specializuara nëse ndryshimet miratohen

Juristi Blerim Burjani ka vlerësuar se propozimet e PDK-së synojnë të ngushtojnë kompetencat dhe mandatin e Dhomave të Specializuara, duke përfshirë edhe mundësinë e faljes nga presidenti.

Ai ka thënë për “Bota sot” se këto ndryshime përfaqësojnë një qasje politike të ndryshme nga ligji aktual dhe se mbetet e paqartë nëse Bashkimi Evropian do t’i pranojë ato.

“Ndryshimet dhe plotësimet e propozuara kanë objektiva të tjera në raport me ligjin që është aktualisht në fuqi. Ato synojnë reduktimin e kompetencave dhe të mandatit themelor për të cilin janë krijuar Dhomat e Specializuara, ndërsa parashohin edhe mundësinë e faljes presidenciale. Kjo është një dëshirë politike, por duhet parë se cili do të jetë qëndrimi i BE-së dhe nëse këto dhoma do ta vazhdojnë punën sipas mënyrës së deritanishme apo do t’i pranojnë ndryshimet”, ka deklaruar Burjani.

Sipas tij, pasojat mund të jenë politike për Kosovën, ndonëse deri tani nga BE-ja nuk ka pasur ndonjë reagim thelbësor që do të sqaronte se çfarë ndikimi mund të kenë ndryshimet.

“Për momentin jemi në një fazë vëzhgimi, ndërsa Kuvendi i Kosovës po shqyrton dhe mund të miratojë ndryshimet. Nuk dihet nëse BE-ja, si bashkëpjesëmarrëse në këtë proces, do t’i pranojë ato. Për këtë arsye duhet pritur se si do të pozicionohet. Ndryshimet e njëanshme janë çështje që lidhen me Kosovën dhe, në këtë kuptim, mund të jenë të pranueshme vetëm për të”, ka thënë ai.

Burjani ka theksuar se BE-ja deri tani ka mbështetur vetëm aktgjykimin e shkallës së parë dhe nuk është prononcuar për nismën e Kosovës.

“BE-ja deri më tani ka mbështetur Aktgjykimin e shkallës së parë, ndërsa për çështjet e tjera, përfshirë ndryshimet që synon Kosova, nuk ka pasur reagim. Nëse Kuvendi i miraton, atëherë BE-ja duhet të tregojë se çfarë do të ndodhë më tej dhe si do të funksionojnë Dhomat e Specializuara”, ka deklaruar juristi.

Ai ka shtuar se nuk dihet nëse ndryshimet do të zbatoheshin në mënyrë retroaktive, pasi BE-ja është e përfshirë në Dhomat e Specializuara si në aspektin normativ, ashtu edhe në atë financiar.

Sadiku: Kufiri prej 15 vjetësh duhet të harmonizohet me bazën kushtetuese dhe ligjore

Analisti politik Arbnor Sadiku ka deklaruar se Kuvendi e ka kompetencën për të ndryshuar ligjin, por çdo kufizim i dënimit maksimal duhet të jetë në pajtim me të gjithë kuadrin kushtetues dhe ligjor mbi të cilin funksionojnë Dhomat e Specializuara.

Ai ka ngritur pikëpyetje nëse një ndryshim i tillë do të mund të ndikonte te procedurat dhe vendimet që tashmë janë marrë nga Specialja.

“Në parim, Kuvendi mund ta ndryshojë Ligjin për Dhomat e Specializuara, por përcaktimi i maksimumit prej 15 vjetësh duhet të jetë në harmoni me tërë kornizën kushtetuese dhe ligjore të kësaj gjykate. Dhomat e Specializuara kanë theksuar se Ligji 05/L-053 është baza detyruese për caktimin e dënimeve. Për këtë arsye, nuk mjafton vetëm përcaktimi me ligj se dënimi maksimal është 15 vjet; duhet të vlerësohet nëse ky ndryshim mund të ketë efekt mbi procedurat dhe vendimet ekzistuese të Speciales”, ka thënë Sadiku.

Ai ka nënvizuar se kompetenca ligjvënëse e Kuvendit nuk është e pakufizuar, pasi lidhet me nenin 162 të Kushtetutës dhe me Exchange of Letters, të cilat janë pjesë e bazës juridike të Dhomave të Specializuara.

“Ligji 05/L-053 u miratua pikërisht mbi bazën e ndryshimit kushtetues që krijoi nenin 162. Për këtë arsye, një ndërhyrje që prek në mënyrë të rëndësishme mandatin, kompetencat ose funksionimin e Speciales mund të përballet me probleme kushtetuese. Ajo nuk mund të konsiderohet automatikisht në fuqi vetëm sepse është votuar në Kuvend. Edhe projektligji i PDK-së parasheh që çështja të shqyrtohet nga Dhoma e Specializuar e Gjykatës Kushtetuese”, ka theksuar ai.

Sa i përket zbatimit konkret, Sadiku ka vlerësuar se miratimi i projektligjit nuk do të sillte vetvetiu uljen e dënimeve apo ndryshimin e proceseve gjyqësore në zhvillim, të cilat vazhdojnë përmes mjeteve juridike të parashikuara nga sistemi i Speciales.

“Problemi kryesor është ai praktik. Katër ish-krerët e UÇK-së janë dënuar në shkallën e parë me 25 vjet burgim për Thaçin dhe Krasniqin, 18 vjet për Veselin dhe 13 vjet për Selimin. Këto vendime janë pjesë e një procesi gjyqësor që vijon përmes mjeteve juridike dhe nuk mund të ndryshohen automatikisht nga një ligj i ri i miratuar nga Kuvendi”, ka deklaruar analisti.

Sadiku ka sqaruar se as parimi lex mitior, që nënkupton zbatimin e ligjit më të favorshëm, nuk do të sillte automatikisht shndërrimin e çdo dënimi mbi 15 vjet në një dënim prej 15 vjetësh.

“Rasti Mustafa është veçanërisht domethënës, sepse vetë sistemi i Speciales e ka shqyrtuar në mënyrë të posaçme ligjin e zbatueshëm për dënimin dhe mjetet juridike brenda këtij sistemi”, ka thënë ai.

Sipas Sadikut, PDK-ja mund ta avancojë nismën dhe Kuvendi mund ta miratojë atë, por kjo nuk do të garantonte automatikisht reduktimin e dënimeve të shqiptuara nga Specialja apo ndryshimin e procedurave që janë ende në zhvillim.

“Kjo tregon dallimin mes një vendimi politik, i cili u përgjigjet presionit të elektoratit dhe kërkesave të shoqatave të dala nga lufta, dhe një mekanizmi juridik që mund të prodhojë realisht pasoja mbi vendimet e Speciales. Nisma e PDK-së u paraqit menjëherë pas aktgjykimit të 16 shtatorit, në një periudhë kur edhe shoqatat e dala nga lufta kishin kërkuar veprim institucional”, ka përfunduar Sadiku për “Bota sot”.

të fundit

Berisha mirëpret marrëveshjen për “Koalicionin Shqiptar” në Luginën e Preshevës: Hap për përfaqësim më të gjerë

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka përshëndetur marrëveshjen e arritur mes subjekteve politike shqiptare të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës…

32 seconds ago

Specialistët paralajmërojnë për kohën e gjatë që fëmijët kalojnë para ekraneve

Specialistët theksojnë rëndësinë e kufizimit të kohës para ekranit për zhvillimin e gjuhës, komunikimit dhe lojës te fëmijët. [...]Read More...

3 minutes ago

Profesionet me aftësi të mesme përbëjnë 74% të punësimit në Shqipëri

Tregu shqiptar dominohet nga profesione që kërkojnë aftësi të nivelit të mesëm, një strukturë e lidhur me peshën e shërbimeve,…

13 minutes ago

Foda lë jashtë Zabërgjën për duelin me Izraelin, ndonëse titullar në dy ndeshjet e para

Franco Foda ka bërë zgjedhjet e fundit para ndeshjes ndaj Izraelit, ku Kosova do të kërkojë fitoren e dytë në…

17 minutes ago

Marrëveshja e tregtisë së lirë Kosovë–EFTA zbatohet nga sot

Nga dita e sotme, 1 tetor 2026, hyn në zbatim të plotë Marrëveshja e Tregtisë së Lirë ndërmjet Kosovës dhe…

24 minutes ago

Ronaldo rrezikon pezullimin deri në gjashtë muaj pas largimit nga grumbullimi i Portugalisë

Cristiano Ronaldo (41 vjeç) është sërish në qendër të vëmendjes, por këtë herë për shkak të një drame që mund…

28 minutes ago