Categories: kosovë

Kuvendi përballë votimit të ndryshimeve për Dhomat e Specializuara, ja çfarë pritet të ndodhë

Kuvendi i Kosovës pritet të shqyrtojë më 5 tetor 2026 ndryshimet dhe plotësimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Seanca e jashtëzakonshme plenare ishte planifikuar të niste në orën 09:00, ndërsa kjo çështje është vendosur si pika e parë e rendit të ditës.

Të lidhura

None found

Seanca, megjithatë, nuk kishte nisur ende edhe pse ora e paraparë për fillimin e saj kishte kaluar.

Para mbledhjes plenare, në orën 08:00, Komisioni për Legjislacion u mblodh për të shqyrtuar projektligjin. Mbledhjen e kishte konfirmuar kryetari i komisionit, Vigan Qorrolli.

Komisioni e miratoi projektligjin për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara. Në votim morën pjesë nëntë deputetë, të cilët votuan pro, ndërsa nuk pati asnjë votë kundër apo abstenim. Pas këtij vendimi, projektligji iu hap rruga për t’u trajtuar në seancën e Kuvendit.

Rendi i ditës i seancës së jashtëzakonshme përfshin gjithsej 22 pika. Përveç ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara, deputetët do të shqyrtojnë marrëveshje financiare, zgjedhje në borde e institucione, si dhe projektligje që lidhen me drejtësinë, energjinë, inovacionin dhe buxhetin.

Mes çështjeve të tjera është edhe ratifikimi i Marrëveshjes së Kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Agjencisë Franceze për Zhvillim për Projektin e Lojërave Mesdhetare XXI në Kosovë.

Gjithashtu, pritet të shqyrtohen ndryshimet e marrëveshjeve financiare ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian për programet IPA 2021 dhe IPA 2022, si dhe Marrëveshja Financiare për Programin Shumëvjeçar IPA 2026-2027.

Në agjendë janë përfshirë edhe zgjedhja e dy anëtarëve të Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, zgjedhja e kryesuesit të këtij bordi, zgjedhja e Auditorit të Përgjithshëm të Republikës së Kosovës dhe përzgjedhja e dy anëtarëve joekzekutivë të Bordit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës.

Deputetët do të trajtojnë Projektligjin për Byronë Shtetërore dhe Verifikimin e Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, ndryshimet në Ligjin për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit, si dhe Projektligjin për rekrutimin, vlerësimin e performancës, kontrollin e integritetit dhe statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Në rend dite janë përfshirë edhe ndryshimet dhe plotësimet e ligjeve për Këshillin Prokurorial të Kosovës dhe Këshillin Gjyqësor të Kosovës, Projektligji për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve, si dhe Projektligji për Akademinë e Drejtësisë.

Po ashtu, do të shqyrtohen projektligjet për Energjinë, Energjinë Elektrike, Inovacionin dhe Ndërmarrësinë, pagesat e vonuara në transaksionet tregtare, ndryshimet në Ligjin mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2026 dhe Projektligji për Menaxhimin e Resurseve Ujore.

Nisma për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara është paraqitur nga Partia Demokratike e Kosovës më 21 shtator, pesë ditë pasi Dhomat e Specializuara në Hagë shpallën aktgjykimin ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Më 16 shtator, Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, Kadri Veseli me 18 vjet dhe Rexhep Selimi me 13 vjet për krime lufte. Të katër u shpallën të pafajshëm për krime kundër njerëzimit, ndërsa mbrojtja ka njoftuar se do të apelojë pjesën dënuese të aktgjykimit.

Projektligji i propozuar nga PDK-ja prek disa aspekte të funksionimit dhe juridiksionit të Dhomave të Specializuara. Një nga ndryshimet parashikon që rastet që vlerësohen se nuk janë në juridiksionin e këtyre Dhomave të mund të procedohen në Kosovë.

Nisma përfshin edhe mundësinë e ankesës në Gjykatën Supreme të Kosovës, vendosjen e kufirit maksimal të dënimit me burgim në 15 vjet dhe ekzekutimin e dënimeve në Kosovë.

Një tjetër propozim do t’u jepte personave të dënuar nga Dhomat e Specializuara mundësinë të jenë subjekt i faljes presidenciale.

Shqyrtimi i këtij projektligji po zhvillohet një ditë para përfundimit të afatit për zgjedhjen e presidentit të Kosovës. Në bazë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, afati 60-ditor ka nisur më 8 gusht dhe përfundon më 6 tetor.

Nëse presidenti nuk zgjidhet brenda këtij afati, Kuvendi shpërndahet dhe vendi shkon në zgjedhje të reja parlamentare.

PDK-ja e ka lidhur gatishmërinë për të ndihmuar në zgjedhjen e presidentit me miratimin përfundimtar të ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara. Kryetari i saj, Bedri Hamza, ka deklaruar se partia, e cila ka 22 deputetë, është e gatshme të diskutojë dhe të ofrojë votat për presidentin pasi Kuvendi ta përfundojë procedurën e miratimit të ligjit.

Gjatë fundjavës, kryeministri Albin Kurti zhvilloi takime të ndara me Bedri Hamzën dhe kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, në përpjekje për të gjetur një zgjidhje para skadimit të afatit kushtetues.

Për zgjedhjen e presidentit nevojiten 80 vota në dy rundet e para. Nëse asnjë kandidat nuk e arrin këtë shumicë, në rundin e tretë kërkohen 61 vota, por që procesi të zhvillohet duhet të jenë të pranishëm të paktën 80 deputetë.

Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit ka 53 deputetë. Qeveria e saj u zgjodh me 62 vota, pasi u mbështet edhe nga tetë deputetë të komuniteteve joserbe dhe deputeti serb, Nenad Rashiq.

Përfshirja e 22 deputetëve të PDK-së do të siguronte numrin e nevojshëm të deputetëve për zhvillimin e procesit të zgjedhjes së presidentit.

Miratimi i projektligjit në lexim të parë nuk do të nënkuptonte përfundimin e procedurës parlamentare. Pas votimit në parim, teksti duhet t’i kthehet komisionit përgjegjës për shqyrtim nen për nen dhe për trajtimin e amendamenteve.

Më pas, projektligji do të rikthehej në seancë për lexim të dytë dhe votim përfundimtar.

Rregullorja e Kuvendit mundëson shmangien nga afatet e zakonshme procedurale në raste të caktuara. Kjo mund të bëhet nëse propozimi paraqitet nga së paku gjashtë deputetë dhe mbështetet nga dy të tretat e deputetëve të pranishëm, me kusht që shmangia të mos jetë në kundërshtim me Kushtetutën.

të fundit

Protestë e tensionuar para Kuvendit për Ligjin e Speciales, kamioni vendoset te hyrja

Situata para Kuvendit të Kosovës është tensionuar gjatë protestës së zhvilluar për ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara. Gjatë…

5 minutes ago

Gucati paralajmëron pasoja nëse projektligji për Specialen nuk miratohet

Kreu i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, së bashku me veteranë të tjerë, i është bashkuar…

17 minutes ago

Greqia do të bllokojë rrjetet sociale për nën 15-vjeçarët nga 1 janari 2027, platformat do të verifikojnë moshën

Greqia e vendos moshën 15 vjeç si kufi për përdorimin e rrjeteve sociale, duke nisur nga janari i vitit të…

17 minutes ago

PLD kërkon rimbursim të TVSH-së për karburantin, jo subvencione për qytetarët që furnizohen jashtë vendit

Ndërsa çmimet e karburanteve po rriten çdo ditë dhe po ushtrojnë presion mbi buxhetet familjare, dhe qytetarët e Maqedonisë po…

23 minutes ago

Haziri: Kuvendi të miratojë ndryshimet për Dhomat e Specializuara, asnjë deputet nuk largohet pa votim

Qindra qytetarë janë mbledhur para hyrjeve kryesore të Kuvendit të Kosovës, në kohën kur pritet të nisë seanca plenare, ku…

27 minutes ago

Vojvoda, Dellova dhe Krasniqi, të vetmit që luajtën çdo minutë për Kosovën në katër sfida

Kombëtarja e Kosovës i kompletoi katër ndeshjet e para të Ligës së Kombeve, duke regjistruar një fitore (ndaj Irlandës), dy…

28 minutes ago