Categories: kosovë

Nis gjykimi fillestar ndaj Fatmir Shehollit, në sallë edhe Nenad Rashiq

Seanca fillestare ndaj Fatmir Shehollit ka nisur në Gjykatën Themelore në Prishtinë. Ai po përballet me akuzat për “Spiunazh” dhe “Shantazh”, ndërsa në sallë është i pranishëm edhe ministri në detyrë, Nenad Rashiq, në cilësinë e të dëmtuarit.

Të lidhura

None found

Seanca është caktuar të mbahet në orën 09:30 dhe përbën një nga hapat e parë të procesit gjyqësor, gjatë të cilit pritet të shqyrtohen çështjet procedurale dhe qëndrimet e palëve për aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës.

Sipas pretendimeve të Prokurorisë, Sheholli kishte vepruar si person i rekrutuar nga Agjencia për Siguri dhe Inteligjencë e Serbisë – BIA, duke zbatuar urdhra dhe detyra të Bojan Dimiqit, të cilin aktakuza e paraqet si drejtor të Drejtorisë Kundër Terrorizmit dhe Krimit të Organizuar Ndërkombëtar në BIA. Veprimtaria e tij, sipas aktakuzës, shtrihet nga një datë e papërcaktuar deri më 9 tetor 2025.

Prokuroria pretendon se gjatë kësaj periudhe Sheholli kishte grumbulluar dhe përcjellë të dhëna e dokumente për aktivitetet politike, situatën e sigurisë dhe mënyrën e funksionimit të institucioneve të Kosovës.

Rasti lidhet gjithashtu me pretendimet për bashkëpunim me BIA-n, ndërsa në dosjen hetimore përfshihen materiale dhe komunikime që organi i akuzës i konsideron prova.

Sipas aktakuzës, BIA-ja i kishte dhënë Shehollit 5 mijë euro dhe materiale audio, me synim ndikimin në zgjedhjet lokale te komuniteti serb në Kosovë.

Prokuroria thotë se, disa ditë para zgjedhjeve lokale të vitit të kaluar, ai kishte pranuar materiale me biseda audio dhe transkriptime të disa zyrtarëve të lartë të Ministrisë për Komunitete dhe Kthim, institucion i udhëhequr nga Nenad Rashiq.

Dyshohet se plani ishte publikimi i këtyre materialeve në mediat kosovare për të dëmtuar reputacionin e zyrtarëve dhe institucioneve të Kosovës dhe për të ndikuar në procesin zgjedhor.

Në dokumentin akuzues thuhet se Sheholli ia kishte dorëzuar materialet gazetarit dhe analistit Milaim Zeka, bashkë me 1 mijë euro, duke i dhënë udhëzime edhe për kohën dhe mënyrën e publikimit të tyre në emisionin “Pa Rrotlla”.

Sipas Prokurorisë, Sheholli i kishte deklaruar Zekës se materialet ishin siguruar nga Agjencia Gjermane për Zhvillim – GIZ.

Një pjesë tjetër e rëndësishme e aktakuzës lidhet me një fotografi të gjetur në telefonin e Shehollit, e cila mbante mbishkrimin “Top Sekret 2”. Prokuroria pretendon se bëhej fjalë për një plan veprimi që synonte krijimin e përshtypjes se Kosova është shtet i radikalizuar dhe ekstremist.

Sipas organit të akuzës, dokumenti parashihte grumbullimin e fondeve nga ambasadat islamike në Beograd dhe përdorimin e tyre për ndërtimin e xhamive në vende të dukshme. Qëllimi i përshkruar në dokument, sipas Prokurorisë, ishte krijimi i pasigurisë dhe largimi i një pjese të të rinjve nga Kosova.

Prokuroria pretendon më tej se ky plan kishte për synim ndryshimin e qëndrimit të fuqive perëndimore ndaj Kosovës dhe krijimin e rrethanave që vendi të rikthehej nën juridiksionin e Serbisë.

Ndër materialet e përmendura në aktakuzë është edhe një dokument me titullin “Leptiri”, i gjetur në telefonin e Shehollit.

Prokuroria pretendon se dokumenti ishte përpiluar nga struktura e Sigurimit Shtetëror të Serbisë – RDB, në vitin 2001, dhe se përshkruante një plan për komprometimin dhe rekrutimin e kryeministrit në detyrë, Albin Kurtit, gjatë periudhës kur ai vuante dënimin në burgjet e Serbisë.

Sipas përshkrimit të bërë nga Prokuroria, në këtë plan parashihej angazhimi i një burimi operativ me nofkën “Leptiri”, me qëllim sigurimin e materialeve komprometuese për Kurtin dhe ushtrimin e presionit ndaj tij për ta bindur të bashkëpunonte me RDB-në.

Përveç spiunazhit, Sheholli akuzohet edhe për shantazh ndaj një biznesmeni kosovar.

Aktakuza thotë se ai kishte në posedim video-incizime të biznesmenit dhe dyshohet se, duke u mbështetur në këto materiale, i kishte kërkuar një shumë parash që tejkalonte 13 mijë euro.

Prokuroria deklaron se për këtë rast disponon fotografi, incizime dhe prova të tjera të siguruara edhe përmes masave të veçanta hetimore, përfshirë monitorimin dhe përgjimin.

Fatmir Sheholli u arrestua më 9 tetor 2025 dhe, sipas raportimeve të publikuara, që nga ajo kohë ndodhet në paraburgim.

Ai ka ushtruar profesionin e gazetarit, ka qenë këshilltar në Komunën e Graçanicës dhe në Ministrinë për Kthim. Po ashtu, ka drejtuar një organizatë joqeveritare dhe është paraqitur shpesh në media si analist politik.

Të gjitha pretendimet e përfshira në këtë tekst janë pjesë e aktakuzës së Prokurorisë Speciale. Fatmir Sheholli konsiderohet i pafajshëm deri në marrjen e një vendimi përfundimtar nga gjykata.

të fundit

Haxhiu përballë von der Leyen: Kërkesa për hapjen e rrugës evropiane dhe përkrahje në procesin e Apelit

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka pritur sot në takim Presidenten e Komisionit Evropian,…

5 minutes ago

Von der Leyen: Zgjedhja e presidentit hapi i radhës, stabiliteti institucional themeli i rrugës drejt BE-së

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka deklaruar se Kosova ndodhet në një moment të rëndësishëm politik, duke…

5 minutes ago

Zhaku dënon publikimin e videove intime: Viktimat po përballen me bullizëm dhe dëmtim të imazhit

Artistja Inida Gjata, e njohur me emrin Zhaku, ishte sot e ftuar në emisionin “Wake Up”, ku komentoi videot intime…

7 minutes ago

Man City përballet me një hetim të ri fiskal për pagesat ‘mashtruese’ ndaj Mancinit

Manchester City mund të përballet me një faturë tatimore dhe gjoba deri në 24 milionë funte për pretendimet se ka…

8 minutes ago

Goditet grupi kriminal në Prilep, 21 persona kallëzohen për trafik droge dhe pastrim parash

Një grup i organizuar kriminal prej 21 personash është goditur në një aksion të koordinuar policor në Maqedoninë e Veriut,…

13 minutes ago

UEFA cakton gjyqtarin e sfidës Finlandë–Shqipëri, arbitri ka drejtuar edhe finalen Spanjë–Holandë

Finlandë - ShqipëriInstitucioni më i rëndësishëm i futbollit në Europë, UEFA, ka përcaktuar arbitrin e ndeshjes Finlandë – Shqipëri, e…

14 minutes ago