Tubimet e drejtuara nga të rinjtë, që po përhapen në Evropë këtë vjeshtë, u mbyllën të shtunën në mbrëmje me incidente në disa shtete. Përleshje me policinë, plaçkitje dyqanesh dhe hedhje molotovësh u raportuan në Francë, Gjermani, Zvicër, Portugali e Shqipëri.
Pakënaqësitë nuk janë të njëjta në çdo vend, por protestuesit kërkojnë kryesisht arsim më cilësor, banesa të përballueshme dhe ulje të kostos së jetesës. Pjesa më e madhe e marshimeve nisi në mënyrë paqësore; në përfundim, megjithatë, grupe me fytyra të mbuluara sulmuan policinë dhe prona.
None found
Në Francë, vendin ku nisi vala e protestave, rreth 320 mijë njerëz dolën në rrugë në Paris, Marsejë, Grenoble, Bordo, Lion dhe Tuluzë. Mbi 770 persona u arrestuan. Prokuroria e Parisit ka nisur hetime për tentativë vrasjeje ndaj personave me autoritet publik, pasi mjete ndezëse u hodhën drejt një grupi me rreth 15 xhandarë dhe policë.
Megjithatë, situata franceze ishte më e qetë krahasuar me atë të 17 tetorit. Gjatë asaj nate, autoritetet arrestuan 2.600 persona dhe deri në 3.000 dyqane u plaçkitën, në një prej episodeve më të rënda të trazirave urbane në historinë e afërt të vendit.
Në Gjermani, më shumë se 100 mijë persona marshuan të shtunën në mbi 30 qytete, duke iu përgjigjur thirrjes së lëvizjes “Gen Z regelt” (Gen Z e rregullon vetë). Protestuesit kërkuan reforma në arsim dhe lehtësim të kostos së jetesës.
Frankfurti përjetoi përplasjet më të rënda. Ministri i Brendshëm i Hesenit, Roman Poseck, tha se persona me kapuça dëmtuan 17 dyqane, plaçkitën pesë prej tyre dhe hodhën bomba molotov. Nga 1.300 policët e angazhuar, mbi 100 mbetën të plagosur. U arrestuan 54 të dyshuar të moshës 13 deri në 29 vjeç. Poseck tha se ishte tronditur nga ajo që kishte parë dhe se situata nuk mund të vazhdonte në këtë mënyrë.
Sipas ministrit, shumica e të arrestuarve janë shtetas gjermanë. Ai shtoi se, në vlerësimin e policisë, forcat e rendit u përballën me 1.000 deri në 1.500 persona të dhunshëm, kryesisht me prejardhje migrante. Edhe ministri federal i Brendshëm, Alexander Dobrindt, fajësoi grupet e dhunshme të së majtës dhe “trazirëbërësit nga komuniteti migrant”, duke kërkuar ndëshkime të ashpra.
Incidente pati edhe në Këln, ku policia përdori ujëhedhëse, si dhe në Berlin. Lëvizja “Gen Z regelt” u distancua publikisht nga dhuna, në çfarëdo forme.
Në Zvicër, qindra persona u mblodhën të shtunën në mbrëmje në Zürich dhe Basel për demonstrata të paautorizuara me sloganin “Na mjafton edhe në Zvicër”. Të dy tubimet përfunduan në përplasje.
Në Zürich, turma u shpërnda nga policia me ujëhedhëse, gaz lotsjellës dhe plumba gome, pasi protestuesit hodhën fishekzjarre, shishe dhe gurë. Një makinë patrulle u dëmtua, ndërsa koshat e mbeturinave dhe biçikletat elektrike u dogjën. Trazirat nisën në Lagjen 4 (Kreis 4), ku u ngritën barrikada dhe u vu zjarr.
Policia tha se në qendër të Baselit u mblodhën rreth 150 persona, afërsisht në orën 21:00. Vitrinat e dyqaneve u thyen, fasadat u mbuluan me grafite dhe u dogjën kosha e biçikleta. Probleme u raportuan gjithashtu në Gjenevë.
Në Tiranë, protestuesit kërkuan largimin e kryeministrit Edi Rama dhe akuzuan qeverinë për korrupsion. Megjithëse tubimi ishte kryesisht paqësor, në fund të tij të rinj të maskuar hodhën gurë e molotovë ndaj policisë dhe dogjën kosha mbeturinash.
Ministria e Brendshme njoftoi se deri tani janë lënduar 350 persona, përfshirë 200 efektivë policie. Gjithashtu, janë arrestuar 269 të mitur.
Lëvizja e protestave shqiptare nisi në maj me atë që njihet si “Revolucioni i Flamingove”, kundër planit për ndërtimin e një resorti luksoz në ishullin e Sazanit, projekt i mbështetur nga Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump. Më 13 tetor iu bashkuan studentët, të cilët kundërshtojnë tarifat e larta, mungesën e ndihmës financiare, kushtet universitare dhe perspektivat e dobëta të punësimit. Rama nuk i ka pranuar kërkesat për dorëheqje dhe ka fajësuar Iranin dhe Rusinë për nxitjen e protestave.
Në Lisbonë, pas një marshimi ku morën pjesë mijëra veta kundër krizës së strehimit, policia i largoi me forcë protestuesit nga sheshi Rossio rreth orës 4:30 të së dielës. Me forcë u shpërnda edhe një kamp më i vogël në Porto. Protestuesit kërkojnë që të tërhiqet projektligji që lehtëson dëbimin e qiramarrësve dhe heq kufizimet e qirasë për kontratat e reja.
Këtë vjeshtë, protesta janë zhvilluar në një sërë vendesh evropiane, nga Franca, Spanja e Italia, deri në Belgjikë, Austri dhe Serbi. Në qendër të tyre është një brez të rinjsh që ndihet i përjashtuar nga tregu i banesave, i zhgënjyer me sistemin arsimor dhe i pasigurt për të ardhmen.
Nëntë persona kanë humbur jetën pasi një avion privat u rrëzua në një zonë të banuar në Palm Beach County,…
Protestat e udhëhequra nga të rinjtë, që po tronditin Evropën këtë vjeshtë, përfunduan të shtunën në mbrëmje me dhunë në…
Nëntë persona kanë humbur jetën pasi një avion privat u rrëzua në një zonë të banuar në Palm Beach County,…
Granit Xhaka nuk e ka fshehur zhgënjimin pas një tjetër humbjeje të Sunderlandit në Ligën Premier, këtë herë me rezultat…
Edon Zhegrova duhet vlerësuar dhe të zhvillojë më shumë minuta, kjo së paku është kërkesa e shumë tifozëve të Juventusit…
Një 19-vjeçare ka mbetur e vrarë dhe shtatë persona të tjerë janë plagosur nga të shtënat me armë zjarri pranë…