KFOR-i ka vendosur të fillojë kalimin gradual të pranisë së përhershme nga ura kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë, ndërsa në Manastirin e Deçanit Policia e Kosovës do të përfshihet hap pas hapi në arkitekturën e sigurisë së misionit ndërkombëtar. Ky zhvillim po konsiderohet me rëndësi të veçantë për Kosovën, pasi ka hapur debat rreth fuqizimit të institucioneve vendore dhe përgjegjësisë së tyre për garantimin e sigurisë në të gjithë territorin e vendit.
None found
Juristi nga Belgjika, Skënder Musliu, duke folur për “Bota sot”, e cilësoi këtë lëvizje të KFOR-it si një vlerësim të rëndësishëm për institucionet shtetërore dhe, në mënyrë të veçantë, për Policinë e Kosovës.
Sipas Musliut, nuk bëhet fjalë për një vendim të papritur, por për përfundimin e një procesi të gjatë analizash dhe vlerësimesh të zhvilluara nga KFOR-i dhe NATO-ja, në bashkëpunim me institucionet e Kosovës.
Ai tha se, pavarësisht zhvillimeve që i quajti destruktive nga opozita në Kuvendin e Kosovës, KFOR-i dha ditë më parë një lajm pozitiv. Musliu kujtoi se misioni ndërkombëtar, pasi e kishte ruajtur për 27 vite urën mbi lumin Ibër, vendosi që këtë angazhim t’ia kalojë gradualisht në kompetencë Policisë së Kosovës. Po ashtu, ai theksoi se KFOR-i njoftoi për integrimin gradual të Policisë së Kosovës edhe në Manastirin e Deçanit.
Musliu beson se ky hap është ndërmarrë vetëm pas shqyrtimit të hollësishëm të gjendjes së sigurisë dhe pas një bashkëpunimi të vazhdueshëm me autoritetet kosovare.
Duke iu referuar deklaratave që e paraqitën lajmin si befasi, ai u shpreh se, sipas vlerësimit të tij, vendimi ishte përgatitur më herët mbi bazën e analizave të shumta të ekspertëve ushtarakë dhe të sigurisë të KFOR-it dhe NATO-s. Ai shtoi se procesi është zhvilluar gjithashtu përmes konsultimeve dhe punës së vazhdueshme me institucionet e Kosovës.
Një nga sinjalet kryesore të këtij vendimi, sipas juristit, është vlerësimi i KFOR-it dhe NATO-s se siguria në Kosovë është përmirësuar dhe se Policia e Kosovës i zotëron kapacitetet e nevojshme për të marrë më shumë përgjegjësi.
Musliu tha se KFOR-i dhe NATO-ja kanë arritur në përfundimin se paqja dhe siguria në Kosovë kanë shënuar përmirësim të dukshëm. Sipas tij, Policia e Kosovës është vlerësuar si e aftë, profesionale dhe e trajnuar mirë për ta menaxhuar situatën në urën e Ibrit, e cila ndër vite ka qenë pikë përplasjesh dhe tensionesh ndëretnike.
Ai e interpreton vendimin edhe si një sinjal politik me peshë për institucionet kosovare, veçanërisht përballë pretendimeve se politika e Qeverisë Kurti ndaj veriut dhe çështjeve të sigurisë i ka vënë në rrezik raportet me partnerët ndërkombëtarë.
Sipas Musliut, besimi që KFOR-i po u jep institucioneve të Kosovës rrëzon akuzat dhe propagandën e opozitës dhe të disa mediave, të cilat pretendojnë se Kurti po rrezikon paqen e stabilitetin dhe po dëmton marrëdhëniet me faktorin ndërkombëtar.
Duke trajtuar rëndësinë e urës mbi lumin Ibër, Musliu nënvizoi se për shumë vite ajo nuk përfaqësonte vetëm një objekt që bashkonte dy pjesët e Mitrovicës. Sipas tij, ura ishte shndërruar edhe në simbol të ndarjes politike dhe institucionale të Kosovës.
Ai tha se pesha e zhvillimit të fundit mund të kuptohet më mirë duke parë zanafillën e problemeve në veri dhe periudhën e gjatë gjatë së cilës institucionet e Kosovës kishin mundësi të kufizuara veprimi në atë pjesë të territorit.
Musliu rikujtoi se, nga paslufta deri në vitet e fundit, ura mbi Ibër simbolizonte ndarjen e pjesës veriore të Kosovës, ku institucionet shtetërore nuk e ushtronin plotësisht sovranitetin. Në atë zonë vepronin struktura paralele serbe, ndërsa ndikimi i Beogradit, për një kohë të gjatë, ishte shumë i madh.
Sipas tij, veriu është përballur ndër vite me probleme të shumta të sigurisë, me krimin e organizuar dhe me funksionimin e strukturave paralele. Musliu përmendi edhe sulmin terrorist në Banjskë, duke e renditur atë ndër dëshmitë më të rënda të kërcënimeve që kanë ardhur nga kjo pjesë e territorit.
Ndryshimet e viteve të fundit në veri, sipas tij, duhen analizuar gjithashtu në kuadër të rikthimit të autoritetit të institucioneve të Kosovës në atë zonë të vendit.
Musliu deklaroi se ardhja e Albin Kurtit në pushtet solli ndryshime të shumta. Ai përmendi mbylljen e institucioneve paralele, goditjen e strukturave ilegale dhe rivendosjen e autoritetit të institucioneve të Republikës së Kosovës. Sipas tij, Qeveria Kurti jo vetëm e hapi urën mbi lumin Ibër, por ndërtoi dhe vuri në funksion edhe ura të tjera, ndërsa ka paralajmëruar ndërtimin e urave të reja.
Kalimi në mënyrë graduale i përgjegjësive nga KFOR-i te Policia e Kosovës, sipas Musliut, duhet parë para së gjithash si një përparim institucional në të mirë të shtetit, ndonëse në aspektin politik mund të vlerësohet edhe si një arritje e rëndësishme e qeverisë së tanishme.
Ai theksoi se zhvillimi nuk duhet t’i atribuohet vetëm suksesit të një partie apo të një qeverie, sepse në radhë të parë përbën një hap institucional në interes të shtetit të Kosovës. Megjithatë, Musliu vlerësoi se politikat e Qeverisë Kurti në veri kanë ndihmuar në krijimin e rrethanave që u mundësojnë institucioneve kosovare të marrin përgjegjësi më të mëdha.
Në këtë kuadër, ai kritikoi edhe reagimin e opozitës dhe të një pjese të mediave ndaj njoftimit të KFOR-it, duke thënë se një ngjarje e tillë meritonte hapësirë më të madhe në vëmendjen publike.
Musliu u shpreh se lajmi pozitiv i KFOR-it duhej të ishte trajtuar si kryelajm nga mediat, por, sipas tij, opozita dhe një pjesë e mediave zgjodhën ta heshtnin. Ai shtoi se, në vend që të vlerësohet besimi gjithnjë më i madh që një institucion ndërkombëtar si KFOR-i po u jep institucioneve të Kosovës, diskutimi politik shpesh kufizohet vetëm te përplasjet mes partive.
Juristi nga Belgjika vlerësoi se vendimi përçon një mesazh të drejtpërdrejtë edhe për Beogradin dhe për aktorët politikë që e kundërshtojnë fuqizimin e institucioneve kosovare: përgjegjësia për sigurinë brenda territorit të Kosovës po u kalon gjithnjë e më shumë institucioneve të Republikës së Kosovës.
Sipas tij, mesazhi është se institucionet kosovare po fitojnë besim dhe po marrin përgjegjësitë që u takojnë në sektorin e sigurisë. Musliu tha se kjo ka rëndësi si për qytetarët e Kosovës, ashtu edhe për marrëdhëniet e vendit me partnerët ndërkombëtarë, ndërsa për Beogradin dëshmon se realiteti institucional në Kosovë nuk mund të kthehet prapa.
Në përfundim, Musliu bëri thirrje që vendimi i KFOR-it të trajtohet nga politika kosovare përtej interesave të ngushta partiake, ndërsa konsolidimi i institucioneve të shihet si një proces shtetëror.
Ai tha për “Bota sot” se institucionet dhe partitë politike duhet ta vlerësojnë këtë hap përtej interesave të momentit. Megjithëse mund të ekzistojnë dallime politike rreth mënyrës së qeverisjes, Musliu theksoi se vlerësimi i KFOR-it se Policia e Kosovës është e përgatitur të marrë përgjegjësi më të mëdha duhet konsideruar, mbi të gjitha, lajm i mirë për shtetin e Kosovës. Sipas tij, kjo dëshmon se institucionet po konsolidohen, ndërsa sovraniteti dhe përgjegjësia shtetërore po fuqizohen.
Dy terminale kryesore të eksportit të grurit në portin rus të Novorossiysk janë dëmtuar gjatë një sulmi masiv me dronë…
Kryebashkiaku i burgosur i Stambollit, Ekrem Imamoglu, ka njoftuar largimin nga Partia Republikane Popullore (CHP), pas 17 vitesh anëtarësi, dhe…
Disa deputetë nga PDK-ja kanë arritur para ndërtesës së Qeverisë, ku pritet të mbahet konferenca për media e paralajmëruar nga…
Shumë njerëz supozojnë se një makinë e re është gjithmonë më e mirë. Megjithatë, mekaniku i makinave Juan Jose Ebenezer…
Një shtetas i Kosovës është arrestuar në pikën kufitare në Merdare, nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Spiunazh”. Sipas…
Vendimi i KFOR-it për të nisur tranzicionin gradual të pranisë së tij të përhershme nga ura kryesore mbi lumin Ibër…