Categories: kosovë

Më 7 shtator mbahet seanca e parë ndaj Fatmir Shehollit

Seanca e parë gjyqësore në çështjen ndaj Fatmir Shehollit është caktuar për 7 shtator, duke filluar nga ora 09:30. Këtë e kanë bërë të ditur për RTK-në burime nga Prokuroria.

Të lidhura

None found

Prokuroria Speciale e ngarkon Shehollin me veprat penale të spiunazhit dhe shantazhit.

Në aktakuzë pretendohet se ai ka bashkëpunuar me Shërbimin Informativ dhe të Sigurisë së Serbisë (BIA), ndërsa në një rast tjetër dyshohet se ka shantazhuar një biznesmen.

Sipas dosjes, nga një periudhë e paspecifikuar deri më 9 tetor 2025, Fatmir Sheholli dyshohet se ka vepruar si i rekrutuar i BIA-s, duke ndjekur udhëzimet e Bojan Dimiçit, zyrtar i lartë i këtij shërbimi.

Dimiç, siç thuhet në aktakuzë, mbante postin e drejtorit të Drejtorisë Kundër Terrorizmit dhe Krimit të Organizuar Ndërkombëtar brenda BIA-s.

Prokuroria pretendon se Sheholli ka siguruar dhe përcjellë dokumente e informacione për zhvillimet politike, gjendjen e sigurisë dhe mënyrën e funksionimit të institucioneve të Kosovës.

Kontakti me zyrtarin e BIA-s, sipas aktakuzës, është realizuar edhe nëpërmjet mesazheve telefonike.

Në materialin e aktakuzës, Prokuroria Speciale ka përfshirë disa deklarata dhe dalje publike të Fatmir Shehollit që lidhen me Milan Radoiçiqin.

Në disa prej këtyre paraqitjeve, sipas Prokurorisë, Sheholli kishte deklaruar se besonte në pafajësinë e Milan Radoiçiqit në raport me hetimet për vrasjen e politikanit serb të Kosovës, Oliver Ivanoviq.

Dosja përmban edhe një deklarim të Shehollit se Radoiçiqit duhej t’i krijohej mundësia për të provuar pafajësinë.

Prokuroria u referohet gjithashtu daljeve të tjera të tij në media, gjatë të cilave, sipas saj, Radoiçiqi ishte portretizuar nga Sheholli si figurë me ndikim pozitiv në veri të Kosovës.

Këto qëndrime janë përfshirë në raportin e Policisë së Kosovës, të dorëzuar nga Prokuroria si pjesë e provave për akuzën e spiunazhit.

Aktakuza përmend edhe një dalje televizive gjatë vitit 2023, kur Sheholli kishte zhvilluar drejtpërdrejt një bisedë telefonike me një person që në material identifikohet si Milan Radoiçiq.

Sipas Prokurorisë, kjo telefonatë u transmetua më 11 qershor 2023 në emisionin “Kojshia Show”.

Një segment tjetër i çështjes ka të bëjë me zgjedhjet lokale të 12 tetorit 2025. Prokuroria pretendon se më 26 shtator 2025, Sheholli kishte shkuar në Mitrovicën e Veriut dhe, në parkingun e Shkollës Teknike, kishte marrë nga një person i paidentifikuar një dosje që përmbante audio-incizime dhe transkripte.

Sipas aktakuzës, synimi i këtyre materialeve ishte komprometimi i zyrtarëve të Ministrisë për Komunitete dhe Kthim, përfshirë edhe kabinetin e ministrit Nenad Rashiq.

Bashkë me dosjen, Prokuroria pretendon se Sheholli kishte marrë edhe 5 mijë euro. Më pas, sipas materialit të çështjes, ai ia kishte dhënë dokumentet gazetarit Milaim Zeka, së bashku me 1 mijë euro dhe zotimin se do t’i paguante edhe 1 mijë euro të tjera.

Sheholli dyshohet se e kishte udhëzuar gazetarin që përmbajtjen ta publikonte në emisionin “Pa Rrotlla”, vetëm pak ditë përpara zgjedhjeve lokale.

Sipas pretendimit të Prokurorisë, veprimet synonin të ndikonin në procesin zgjedhor dhe të cenonin interesat e Republikës së Kosovës.

Në aktakuzë thuhet gjithashtu se Sheholli i kishte pohuar gazetarit se materialet vinin nga “GIZ-i gjerman”.

Gjatë hetimeve dhe kontrolleve të zhvilluara në kuadër të rastit, sipas dosjes, janë konfiskuar materiale dhe janë identifikuar komunikime që Prokuroria i vlerëson si të rëndësishme për çështjen.

Në telefonin e Shehollit pretendohet se janë zbuluar biseda me persona të cilët Prokuroria i identifikon si zyrtarë të BIA-s.

Numri i Bojan Dimiçit, sipas aktakuzës, ishte regjistruar në pajisjen telefonike me disa emërtime, mes tyre “Gizi”, “Bojana” dhe “Gazetari”.

Dosja përmban edhe dokumente të shënuara me përcaktimin “Top secret 2”, të cilat Prokuroria i lidh me plane që kishin për synim destabilizimin.

Po ashtu, përmendet një dokument i RDB-së serbe i vitit 2001, me nofkën “Leptiri”. Sipas Prokurorisë, ai lidhet me përpjekje për komprometimin e Albin Kurtit në periudhën kur ky i fundit mbahej në burg në Nish.

Në aktakuzë janë përfshirë edhe shënime të shkruara me dorë, të cilat nga Prokuroria konsiderohen të dhëna operative.

Një pjesë e materialit i kushtohet edhe transaksioneve financiare që, sipas organit të akuzës, janë regjistruar në llogarinë bankare të Shehollit.

Gjatë vitit 2015, siç thuhet në dosje, në llogarinë e tij në Komercijalna Banka janë evidentuar pagesa nga institucione serbe, duke përfshirë “Tanjug” dhe “Kancelarija za KiM”.

Prokuroria i ka paraqitur këto të dhëna si pjesë të provave në këtë rast.

Krahas spiunazhit, Sheholli përballet edhe me akuzën për shantazh.

Sipas aktakuzës, nga viti 2022 deri në dhjetor të vitit 2025, ai dyshohet se ka ushtruar shantazh ndaj biznesmenit Arben Jetullahu, duke e kërcënuar se do të publikonte video-incizime dhe materiale që, sipas Prokurorisë, mund t’ia dëmtonin reputacionin.

Përmes këtyre kërcënimeve, Prokuroria pretendon se Sheholli e kishte detyruar të dëmtuarin t’i jepte një shumë prej mbi 13 mijë eurosh.

Kërkesat për pagesa, sipas aktakuzës, kishin vijuar edhe pasi Sheholli ishte dërguar në paraburgim në Gjilan.

Prokuroria thotë se ai, nëpërmjet djalit të tij dhe personave të tjerë ndërmjetësues, kishte kërkuar pagesa mujore në vlerë prej 700 eurosh, duke përsëritur kërcënimin se videot do të publikoheshin.

Me aktakuzën e dorëzuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Prokuroria Speciale ka kërkuar që Fatmir Sheholli të shpallet fajtor për veprat penale që i vihen në barrë.

Organi i akuzës ka kërkuar gjithashtu që masa e paraburgimit ndaj tij të vazhdohet dhe që mjetet financiare e pasuria e sekuestruar të konfiskohen, në përputhje me kërkesat e parashtruara në aktakuzë.

të fundit

Pas arrestimit të Agasit, policia kontrollon banesën e Uljan Shpatarakut te “Liqeni i Thatë”

Veprimet hetimore pas arrestimit të bujshëm të Ergys Agasit dhe ish-efektivit të policisë Uljan Shpataraku po vijojnë me në kryeqytet.…

19 seconds ago

Arrestimi i Ergys Agasit, Klodiana Lala zbulon detajet: BKH po e merr në pyetje, kërkohen personat që e ndihmuan

Zbardhen detaje të reja lidhur me arrestimin e të shumëkërkuarit Ergys Agasi gjatë aksionit të policisë, ndërsa organet e drejtësisë…

1 minute ago

Rregulli i UEFA-s përjashton dy duele të mëdha në Anfield dhe Giuseppe Meazza para shortit të Ligës së Kampionëve

UEFA ka vendosur një kufizim interesant për shortin e fazës së ligës së Ligës së Kampionëve, duke pamundësuar dy përballje…

4 minutes ago

Discovery of Remains in Zubin Potok Increases Pressure on Serbia to Open Archives

Mbetjet mortore në Zubin Potok kanë rindezur një betejë të ashpër diplomatike për fatin e të zhdukurve gjatë luftës. Krerët…

10 minutes ago

Kelmendi on the Murder of Jusuf and Bardhosh Gërvalla and Kadri Zeka: I Still Believe Riza Salihu Was the Main Assassin

Veprimtari Ibrahim Kelmendi, në pjesën e dytë të emisionit “Debat Plus”, në kuadër të ciklit “Dosjet”, ka folur për takimin…

11 minutes ago

First Hearing in Fatmir Sheholli Case Set for September 7

Burime brenda prokurorisë kanë bërë të ditur për RTK-në se seanca e parë gjyqësore ndaj Fatmir Shehollit do të mbahet…

11 minutes ago