Categories: kosovë

Mbrojtja e Smakajt: Bisedat me Thaçin ishin këshilla të zakonshme, jo rrezik për dëshmitarët

Procesi gjyqësor në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë ka hyrë në fazën e fjalëve përfundimtare për pesë persona: Hashim Thaçin, Bashkim Smakajn, Isni Kilajn, Fadil Fazliun dhe Hajredin Kuçin, të cilët ngarkohen me vepra penale kundër administrimit të drejtësisë.

Të lidhura

None found

Në seancën e mbajtur sot, avokatët e Smakajt iu kundërvunë mënyrës se si Prokuroria e Specializuar i ka lexuar bisedat e regjistruara kur ai vizitonte Thaçin në paraburgim në Hagë.

Avokati mbrojtës Jonathan Elystan Rees theksoi se formulimet si “tregoji atij”, “thuaji atij” dhe “thjeshtoja që të mos i përziejë gjërat” nuk përmbajnë elemente të veprës penale dhe as nuk dëmtojnë administrimin e drejtësisë.

Sipas tij, këto shprehje nuk kanë asnjë lidhje me pretendimin se hetimi i Prokurorisë u komprometua ose se u vu në rrezik siguria e dëshmitarëve.

“Nuk ka lidhje fare ndërmjet këtyre fjalëve dhe komprometimit të hetimit efektiv të Prokurorisë apo sigurisë së dëshmitarëve”, deklaroi Rees.

Rees shtoi se këshillat për t’iu përgjigjur shkurt, thjesht dhe qartë janë të zakonshme në rrethana të ngjashme dhe, sipas mbrojtjes, nuk mund të konsiderohen automatikisht si tentativë për të ndikuar te dëshmitarët.

“Janë udhëzime që përdoren në mënyrë të zakonshme dhe janë fjalë që nuk kanë lidhje me pretendimin e Prokurorisë se përbëjnë cenim të dëshmitarëve ose të administrimit të drejtësisë”, argumentoi avokati.

Pjesë e argumentimit të mbrojtjes ishte edhe rasti i Bislim Zyrapit, ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, për të cilin Prokuroria thotë se ishte në shënjestër të përpjekjeve për ndikim.

Sipas Rees, Zyrapi i kishte siguruar hetuesit e Prokurorisë se me Smakajn nuk kishte folur për përmbajtjen e dëshmisë së tij.

Mbrojtësi vuri në dukje edhe se Smakaj dhe Zyrapi nuk kishin asnjë ndalim ligjor për t’u takuar, pasi ata njiheshin prej kohësh dhe kishin marrëdhënie miqësore.

Për pasojë, sipas mbrojtjes, këto fakte nuk e mbështesin tezën e Prokurorisë se Smakaj u angazhua për të ndikuar në dëshminë e Zyrapit apo për të ndërhyrë në gjykim.

Një ditë para seancës së sotme, Prokuroria e Specializuar kërkoi që të pesë të pandehurit të shpalleshin fajtorë dhe propozoi dënime konkrete për secilin.

Për Hashim Thaçin u kërkua dënimi me gjashtë vjet burgim; për Bashkim Smakajn, Isni Kilajn dhe Fadil Fazliun nga tre vjet burgim secili; ndërsa për Hajredin Kuçin nëntë muaj burgim.

Sipas ZPS-së, propozimet për dënim mbështeten në provat dhe faktet e administruara, në peshën e veprave për të cilat akuzohen dhe në rrethanat që ndikojnë në caktimin e dënimit.

Mbrojtja i ka hedhur poshtë këto pretendime dhe ka kërkuar lirimin e të pandehurve nga të gjitha akuzat.

Kërkesat e ZPS-së nuk janë vendim gjyqësor dhe të gjithë të akuzuarit vijojnë të konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me një vendim të formës së prerë.

Në fjalën e saj përfundimtare, mbrojtja e ish-presidentit Thaçi kërkoi që ai të shpallej i pafajshëm dhe të lirohej nga çdo akuzë në këtë proces.

Avokatja Sophie Menegon argumentoi se vendimi i trupit gjykues duhet të bazohet në prova, jo në ato që ajo i cilësoi si hamendësime të Prokurorisë.

Sipas mbrojtjes, gjatë procesit nuk u provua asnjë ndërhyrje konkrete në administrimin e drejtësisë dhe Prokuroria nuk e vërtetoi fajësinë e Thaçit përtej dyshimit të arsyeshëm.

Menegon ngriti dyshime edhe për mënyrën se si ZPS-ja i ka trajtuar format e përgjegjësisë penale, si dhe kundërshtoi metodologjinë e ekspertit të saj, Koen Herlaar.

Sipas aktakuzës dhe parashtrimeve përfundimtare të Prokurorisë, në nëntë vizita të kryera në Qendrën e Paraburgimit brenda një harku katërmujor janë incizuar rreth 28 orë biseda.

Prokuroria pretendon se në ato biseda janë trajtuar dëshmitë e disa dëshmitarëve nga procesi kryesor kundër Thaçit dhe të bashkëakuzuarve për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Sipas ZPS-së, bisedat përmendnin, mes të tjerash, dëshmitë e Rrustem Mustafës, Bislim Zyrapit, Sylejman Selimit dhe një dëshmitari të mbrojtur.

Prokuroria pohon se Thaçi kishte caktuar persona që njihnin dëshmitarë të caktuar për të ndikuar në përmbajtjen e dëshmive të tyre. Mbrojtja e kundërshton këtë qëndrim dhe thekson se bisedat nuk tregojnë ndonjë plan për të penguar drejtësinë.

Bashkim Smakaj, Isni Kilaj dhe Fadil Fazliu ngarkohen me tentativë për pengim të personave zyrtarë gjatë kryerjes së detyrave zyrtare dhe me mosbindje ndaj gjykatës.

Hajredin Kuçi përballet me dy akuza për mosbindje ndaj gjykatës, ndërsa Thaçi akuzohet për vepra penale që kanë të bëjnë me pengimin e administrimit të drejtësisë.

Thaçi e ka ndjekur procesin me videolidhje nga qendra e paraburgimit në Hagë, ndërsa katër të pandehurit e tjerë janë paraqitur me videolidhje nga Kosova.

Me përfundimin e fjalëve përfundimtare, çështja tani pritet të kalojë në fazën e vendimmarrjes nga trupi gjykues.

të fundit

Justina Shiroka Pula, presidentja më e re e Kosovës? Mikeshë e afërt rrëfen për familjen, akademinë dhe pasionin për artin

Prof. Dr. Vjosa Sadriu Hamiti, profesoreshë e gjuhës gjermane në Kosovë dhe mikeshë e afërt e presidentes së re, ka…

2 minutes ago

Tirana ngacmon Partizanin para derbit dhe shpall veten zot të kryeqytetit

Tirana dhe Partizani“Ethet” për derbin e kryeqytetit mes Partizanit dhe Tiranës kanë filluar të rriten ndjeshëm, aty ku janë përfshirë…

3 minutes ago

SPAK çon në gjykim katër persona për rrëmbimin dhe v*asjen e Renis Dobrës

SPAK ka dërguar për gjykim në Gjykatën e Posaçme katër persona të pandehur për rrëmbimin dhe vrasjen e Renis Dobrës.…

11 minutes ago

Mërgim Vojvoda luajti çdo minutë për Kosovën, mediat italiane e cilësojnë “makineri” të Udineses

Mërgim Vojvoda ishte lojtari i Udineses që zhvilloi më së shumti minuta gjatë ndeshjeve të fundit ndërkombëtare, pasi mbrojtësi kosovar…

15 minutes ago

Zgjedhja e presidentes pas mesnatës, a u respektua Kushtetuta? Juristi Burjani jep vlerësimin

Trembëdhjetë minuta pas mesnatës, Kuvendi i Kosovës votoi Justina Shiroka Pulën presidente të Republikës së Kosovës. Shiroka Pula mori 81…

22 minutes ago

Zjarri përfshin fshatin Armen në Selenicë, erërat e forta përshpejtojnë përhapjen e flakëve

Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë këtë të mërkurë fshatin Armen, në Bashkinë e Selenicës. Zjarri ka shkaktuar…

25 minutes ago