Ekipi mbrojtës i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i është drejtuar Gjykatës Speciale në Hagë me kërkesën që afati për dorëzimin e njoftimit të ankesës ndaj aktgjykimit dhe dënimit të tij me 17 muaj burgim në rastin e dytë të zgjatet deri më 18 janar 2027.
Kërkesa është paraqitur më 25 nëntor 2026 nga avokatja Sophie Menegon, në emër të mbrojtjes së Thaçit, dhe i është adresuar kryetares së Dhomave të Specializuara, gjykatëses Ekaterina Trendafilova.
None found
Sipas afatit aktual, njoftimi për ankesë duhet të dorëzohet deri më 17 dhjetor 2026. Mbrojtja kërkon një shtesë prej 32 ditësh, duke u mbështetur në katër arsye kryesore.
Argumenti i parë lidhet me përmasat dhe ndërlikueshmërinë e aktgjykimit, i cili u shpall më 17 nëntor dhe përbëhet nga 399 faqe.
Avokatët thonë se dokumenti trajton çështje të reja, të ndërlikuara dhe me rëndësi të konsiderueshme ligjore e faktike. Për këtë arsye, sipas tyre, nevojitet një shqyrtim i gjerë përpara përcaktimit të bazave të ankesës.
Një pjesë thelbësore e çështjeve të përfshira në aktgjykim lidhet me transkriptet e Prokurorisë Speciale, të cilat mbajnë peshën kryesore të provave mbi të cilat janë mbështetur dënimet.
Mbrojtja vëren se këto çështje janë trajtuar edhe në disa vendime procedurale të dhëna gjatë gjykimit, por ato nuk janë kundërshtuar përmes ankesave të veçanta.
Ndër temat më komplekse përmendet edhe mënyra e interpretimit dhe zbatimit të ligjit të Kosovës. Avokatët i referohen veprave penale, formave të përgjegjësisë penale, zbatimit të tyre në rastin e tentativës sipas nenit 401(2) të Kodit Penal të Kosovës, si dhe zbatimit të nenit 11 të këtij Kodi.
Sipas mbrojtjes, për herë të parë në Dhomat e Specializuara janë ngritur edhe çështje që kanë të bëjnë me mënyrën e ekzekutimit të një dënimi në raport me një dënim tjetër të dhënë nga një trup tjetër gjykues. Po ashtu, kërkohet analizë për mënyrën e llogaritjes së kohës së kaluar në paraburgim, kur një person është mbajtur i paraburgosur në kuadër të dy aktakuzave të ndryshme.
Këto çështje kanë rëndësi të veçantë për Thaçin, pasi ai është dënuar edhe në rastin tjetër, të njohur si rasti 06.
Edhe pse në çështjen aktuale janë pesë të akuzuar, avokatët theksojnë se Thaçi ka qenë në qendër të çështjes së Prokurorisë. Sipas tyre, aktgjykimi përmban kryesisht gjetje që lidhen drejtpërdrejt ose tërthorazi me përgjegjësinë e tij penale.
Për rrjedhojë, mbrojtja duhet të shqyrtojë pothuajse të gjitha përfundimet e gjykatës, përfshirë veprimet, njohuritë dhe qëllimet e bashkëakuzuarve dhe personave të tjerë që janë konsideruar nga gjykata si pjesë e grupeve përkatëse.
Avokatët argumentojnë se një gabim në cilëndo prej këtyre gjetjeve mund të ndikojë në një element thelbësor të dënimit të Thaçit.
Arsyeja e dytë ka të bëjë me procedurën e apelit në rastin tjetër, ku Thaçi është dënuar për krime lufte.
Më 16 shtator 2026, ai u shpall fajtor për ndalimin arbitrar, trajtimin mizor, torturën dhe vrasjen, të gjitha të cilësuara si krime lufte, dhe u dënua me 25 vjet burgim.
Afati për njoftimin e ankesës ndaj aktgjykimit në atë çështje përfundon më 27 nëntor 2026. Nëse ankesat dorëzohen në këtë datë dhe afati nuk ndryshohet, parashtresat e plota të apelit duhet të paraqiten deri më 26 janar 2027.
Mbrojtja bën të ditur se avokati kryesor, bashkëavokati dhe disa pjesëtarë të tjerë të ekipit të Thaçit janë të angazhuar në të dyja proceset.
Sipas avokatëve, apeli në rastin 06 paraqet vështirësi të veçanta, pasi lidhet me krime të rënda ndërkombëtare dhe me pretendimin për rolin udhëheqës të Thaçit. Aktakuza në atë rast mbulon gjithashtu një periudhë të gjerë kohore dhe territoriale.
Për këtë arsye, ekipi mbrojtës përballet me afate të rëndësishme që përkojnë në të dyja çështjet dhe që kërkojnë përgatitje të kujdesshme.
Avokatët vlerësojnë se koha e mjaftueshme është veçanërisht e domosdoshme, pasi mundësia për të shtuar më vonë baza të reja të ankesës është e kufizuar.
Sipas tyre, shtyrja e kërkuar do t’i siguronte Thaçit kohën dhe mundësitë e përshtatshme për përgatitjen e mbrojtjes, në përputhje me të drejtën e parashikuar në nenin 21(4)(c) të Ligjit për Dhomat e Specializuara.
Një tjetër arsye lidhet me gjuhën e aktgjykimit. Dokumenti prej 399 faqesh është dorëzuar në anglisht dhe ende nuk është përkthyer në shqip, gjuhën që Thaçi e kupton dhe e flet.
Mbrojtja vlerëson se, për shkak të burimeve të kufizuara të administratës së Gjykatës Speciale dhe angazhimit të saj për përkthimin në shqip të aktgjykimit prej 2 mijë e 89 faqesh në rastin 06, përkthimi i aktgjykimit të çështjes aktuale nuk pritet të përfundojë para skadimit të afatit ekzistues të ankesës.
Në kërkesë përmenden neni 6(3)(c) i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe neni 21(4)(e) i Ligjit për Dhomat e Specializuara. Këto dispozita garantojnë të drejtën e të akuzuarit për përkthimin e dokumenteve të nevojshme për të kuptuar procedurën dhe për të siguruar një gjykim të drejtë.
Po ashtu, avokatët i referohen rregullit 159(4), i cili përcakton se kopja e certifikuar e aktgjykimit duhet t’i dorëzohet të akuzuarit sa më shpejt të jetë e mundur, në një gjuhë që ai e kupton dhe e flet.
Mbrojtja sjell në vëmendje edhe praktikën e Gjykatës Penale Ndërkombëtare, ku në disa raste janë miratuar shtyrje të afateve të ankesave për shkak se aktgjykimet nuk ishin përkthyer në gjuhën e kuptuar nga të akuzuarit.
Sipas avokatëve, edhe pse bazat e mundshme të apelit përcaktohen kryesisht prej tyre, Thaçi duhet të ketë mundësinë të marrë pjesë në mënyrë kuptimplotë në përgatitjen e ankesës.
Për këtë qëllim, ekipi mbrojtës duhet të përdorë burime për përkthimin e pjesëve të mëdha të aktgjykimit dhe për diskutimin e përmbajtjes së tyre me Thaçin.
Mungesa e versionit në shqip, sipas mbrojtjes, ndikon drejtpërdrejt në aftësinë për të hartuar ankesën dhe e ngadalëson formulimin e saj në përputhje me udhëzimet e Thaçit.
Arsyeja e katërt e paraqitur nga avokatët lidhet me pushimin dimëror të sistemit gjyqësor.
Afati i tanishëm, 17 dhjetori 2026, përfundon vetëm dy ditë pune përpara nisjes së pushimit dimëror gjyqësor.
Pushimi zgjat deri më 8 janar 2027 dhe gjatë kësaj periudhe ekipi mbrojtës do të funksionojë me një numër më të vogël anëtarësh të stafit.
Mbrojtja argumenton se kjo situatë, e marrë së bashku me kompleksitetin e aktgjykimit, angazhimet në rastin 06 dhe mungesën e përkthimit në shqip, e bën të arsyeshme zgjatjen e afatit.
Në përfundim, mbrojtja e Hashim Thaçit i kërkon Panelit të Apelit që afati për dorëzimin e njoftimit të ankesës ndaj aktgjykimit të shtyhet deri më 18 janar 2027.
Avokatët deklarojnë se nuk kanë kundërshtim që e njëjta shtyrje t’u akordohet edhe të akuzuarve të tjerë dhe Prokurorisë Speciale, me qëllim ruajtjen e një kalendari të përbashkët për procedurat e apelit.
Ekipi mbrojtës paralajmëron gjithashtu se, pasi të analizojë plotësisht aktgjykimin dhe të përcaktojë bazat e mundshme të ankesës, mund t’i paraqesë Panelit të Apelit një kërkesë të veçantë për ndryshimin e kufirit të fjalëve të lejuara për parashtresën e apelit.
Kërkesa mban firmën e avokates Sophie Menegon dhe është nënshkruar më 25 nëntor 2026 në Paris.
Dëshmitë e punonjëseve të Filialit të Postës së Durrësit paraqesin versione të ndryshme për fatin e 69 milionë lekëve të…
Një skenë krejt e pazakontë është regjistruar në futbollin polak, ku një person me trotinet elektrik ka hyrë në fushë…
Marrëdhëniet toksike jo vetëm që shkatërrojnë vetëbesimin dhe besimin, por mund të lënë edhe efekte fizike në tru, paralajmëron psikologia…
Deputeti i Partisë Demokratike, Saimir Korreshi, ka bërë akuza të forta ndaj qeverisë lidhur me abuzimet dhe skemën e njohur…
Dy punonjës të Ndërmarrjes së Qarkullimit Publik në Shkup dyshohet se kanë vjedhur naftë nga pompa për furnizimin e autobusëve…
Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, në margjinat e Takimit të liderëve të Procesit Brdo-Brioni në Ohër, u takua…