Marrëveshjet e arritura në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën duhet të shqyrtohen nga Gjykata Kushtetuese e Serbisë. Kjo parashikohet në programin e Listës Studentore, fituese të zgjedhjeve në Serbi, sipas kandidates së saj Emilija Markoviq.
Markoviq e bëri këtë deklaratë duke iu përgjigjur televizionit N1, i cili e pyeti nëse Lista Studentore, që erdhi në pushtet pas zgjedhjeve të tetorit, do t’i mbajë zotimet e marra nga Serbia në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
None found
Ajo tha se përfaqësuesit e Listës Studentore nuk i kanë marrë ende plotësisht detyrat dhe nuk e dinë me saktësi çfarë është nënshkruar. Sipas saj, pasi të shqyrtojnë dokumentet dhe dakordimet, do të përcaktojnë ku mund të veprojnë dhe çfarë duhet të rishikojnë, duke këmbëngulur mbi të gjitha në respektimin e Kushtetutës dhe ligjeve të Serbisë.
Për çështjen e Kosovës, Lista Studentore thotë se do të mbështetet te Kushtetuta e Serbisë, sipas së cilës Kosova është pjesë përbërëse e këtij shteti.
Bashkimi Evropian ka bërë të qartë se ndërrimi i pushtetit në Serbi nuk i shuan detyrimet e saj në procesin e normalizimit me Kosovën. Këtu përfshihen edhe zotimet që burojnë nga Marrëveshja e vitit 2023 për rrugën drejt normalizimit dhe Aneksi i zbatimit të saj.
Me këtë marrëveshje, Serbia është zotuar, ndër të tjera, të respektojë integritetin territorial të Kosovës dhe të mos pengojë anëtarësimin e saj në organizata ndërkombëtare. Kosova, nga ana e saj, ka pranuar të krijojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, përmes të cilit komuniteti serb do të kishte një shkallë të caktuar vetëmenaxhimi.
Sipas Markoviqit, qeverisjen e re në Serbi e presin bisedime serioze me përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare për dialogun Beograd-Prishtinë. Ajo u shpreh se, kësaj here, bisedimet duhet të nisin mbi baza të tjera. Siç tha ajo, programi studentor përcakton që pikënisja të jetë Kushtetuta e Republikës së Serbisë, së bashku me parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare.
Qëndrimi i Kosovës për Asociacionin mbetet i pandryshuar
Qeveria e Kosovës i tha Radios Evropa e Lirë se qëndrimi i saj për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe është i njohur prej kohësh: Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve duhet të nënshkruhet që të garantohet zbatimi i saj.
Megjithëse dokumenti nuk është nënshkruar, Bashkimi Evropian ka deklaruar disa herë se ai është ligjërisht i detyrueshëm për të dyja palët.
Krahas nënshkrimit, Kosova kërkon ekstradimin e Millan Radoiçiqit dhe të pjesëtarëve të tjerë të grupit të armatosur që kreu sulmin në Banjskë në vitin 2023. Autoritetet kosovare e cilësojnë atë si sulm ndaj rendit juridik dhe kushtetues të Kosovës.
Në përgjigjen e saj, Qeveria e Kosovës kërkoi gjithashtu të tërhiqet letra që ish-kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, i kishte dërguar Brukselit, drejtuar 27 shteteve anëtare të Bashkimit Evropian. Në të, ajo kishte theksuar se Serbia nuk e respekton integritetin territorial të Kosovës.
Bërnabiq kishte shkruar në atë letër se Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit dhe Aneksi i zbatimit të saj mund të konsiderohen të pranueshme vetëm nëse nuk nënkuptojnë njohjen de facto ose de jure të Kosovës.
E pyetur nga REL-i për këto kërkesa, Lëvizja Studentore nuk pranoi të komentonte. Ajo tha se përgjigjen do ta japë Qeveria e re, pasi të formohet dhe të shqyrtojë të gjitha dokumentet e gjendjen aktuale.
Nuk parashikohet bashkëpunim i drejtpërdrejtë me Listën Serbe
Markoviq përsëriti se Lista Studentore nuk do të bashkëpunojë me Listën Serbe, partinë kryesore të serbëve në Kosovë, e cila deri tani ka vepruar me mbështetjen e Partisë Progresive Serbe dhe ish-presidentit serb Aleksandar Vuçiq.
Sipas saj, nëse lind nevoja, drejtuesit e rinj që do të emërohen në institucionet e ndryshme të Serbisë në Kosovë do të bashkëpunojnë me përfaqësuesit lokalë.
Lista Serbe zotëron nëntë prej dhjetë ulëseve të rezervuara për komunitetin serb në Kuvendin e Kosovës dhe drejton të dhjetë komunat me shumicë serbe.
Për komunikimin me përfaqësuesit e serbëve në institucionet qendrore të Kosovës, kandidati i Listës Studentore, Jugosllav Gashiq, tha se ai do të zhvillohet përmes bashkësisë ndërkombëtare.
Gashiq theksoi për RTV Vojvodina se Lista Studentore nuk është parti politike, ndaj nuk do të ndërtojë infrastrukturë partiake në Kosovë apo të ketë atje struktura që funksionojnë si parti.
Pas fitores së Listës Studentore në Serbi, Lista Serbe shprehu shpresën se bashkëpunimi institucional me Beogradin do të vijojë.
Në institucionet qendrore të Kosovës, përveç Listës Serbe, është edhe Nenad Rashiq me partinë e tij Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë. Ai është gjithashtu ministër në Qeverinë e Albin Kurtit.
Para zgjedhjeve në Serbi, Rashiq i kishte dhënë mbështetje Listës Studentore, ashtu si edhe përfaqësues të tjerë politikë opozitarë të serbëve në nivel lokal.
Ushtruesja e detyrës së kryetares së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka bërë të ditur se nga e…
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të ministrave Dimal Basha dhe Blerim Gashani në Kuvendin e…
Redjan Z. është identifikuar shqiptari që u vra me armë zjarri pranë Parlamentit Europian në Bruksel, më 12 tetor. Sipas…
"Evropa duhet të marrë pjesë në negociatat për Ukrainën, pa të nuk mund të ketë arkitekturë të re sigurie", u…
Ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, sot vizitoi Qendrën Klinike Stomatologjike Universitare „Shën Panteleimon“ në Shkup.Gjatë viteve 2025 dhe 2026, në…
Real Madridi po shqyrton deri në katër largime të mundshme gjatë afatit kalimtar të dimrit 2027, me Raul Asensio, Thiago…