Categories: kosovë

Kurti zhvillon takim në New York me Princin e Kurorës së Kuvajtit

Gjatë vizitës së tij në SHBA, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar në New York me Princin e Kurorës së Kuvajtit, Sheikh Sabah Khaled Al-Hamad Al-Sabah. Takimi u zhvillua në kuadër të punimeve të sesionit të 81-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

Të lidhura

None found

Sipas Kurtit, biseda u përqendrua te zgjerimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Kuvajtit, me theks të veçantë në ekonomi, investime dhe mbrojtje.

Palët shprehën vullnetin për të avancuar marrëveshjet që lidhen me bashkëpunimin ekonomik, shmangien e tatimit të dyfishtë dhe mbrojtjen e investimeve. Kryeministri kërkoi edhe përkrahjen e Kuvajtit që Kosova të anëtarësohet si vëzhguese në Organizatën e Bashkëpunimit Islamik.

Në postimin e tij për takimin, Kurti e cilësoi të përzemërt bisedën me Princin e Kurorës së Shtetit të Kuvajtit, Shkëlqesinë e Tij Sheikh Sabah Khaled Al-Hamad Al-Sabah.

Ai kujtoi se miqësia ndërmjet dy vendeve u krijua në rrethana të vështira. Në vitin 1999, kur populli i Kosovës po dëbohej me dhunë nga shtëpitë, një nismë televizive në Kuvajt arriti të grumbullonte shtatë milionë dollarë brenda vetëm një dite për Kosovën, ndërsa Emiri i ndjerë kontribuoi personalisht me një milion dollarë.

Kurti theksoi se Kuvajti, duke e njohur nga përvoja agresionin dhe okupimin, humbjen e lirisë dhe rifitimin e saj me ndihmën e aleatëve, e kishte kuptuar shpejt dhe drejt situatën e Kosovës. Ai nënvizoi se ky solidaritet nuk harrohet.

Gjatë takimit, Princi i Kurorës e falënderoi Republikën e Kosovës për mbështetjen në përballjen me ekstremizmin në rajonin e Gjirit. Po ashtu, u diskutua për angazhimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në misionin paqeruajtës në Kuvajt, si pjesë e Gardës Kombëtare të Iowa-s.

Kryeministri rikujtoi se më 11 tetor 2011, Kuvajti e njohu Republikën e Kosovës si shteti i 82-të në botë. Ai shtoi se këtë muaj bëhen 15 vjet nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet dy shteteve.

Sipas Kurtit, Kuvajti e ka mbështetur Kosovën gjatë gjithë kësaj periudhe në përpjekjet për t’u përfshirë në organizata ndërkombëtare. Për këtë përkrahje të vazhdueshme dhe me vlerë, ai i përcolli Princit të Kurorës mirënjohjen e popullit të Kosovës.

Kurti deklaroi se tani duhet ndërmarrë një hap i ri i rëndësishëm, duke e shndërruar miqësinë në një partneritet konkret për zhvillimin ekonomik. Të dyja palët shprehën gatishmëri për nënshkrimin e memorandumit për Komisionin e Përbashkët për Bashkëpunim, i cili synon t’u hapë mundësi të reja marrëdhënieve dhe t’u krijojë atyre një kornizë të qëndrueshme.

Gjithashtu, u arrit pajtimi që së shpejti të përmbyllen marrëveshja për shmangien e tatimit të dyfishtë dhe ajo për mbrojtjen e investimeve.

Në takim u kërkua edhe mbështetja e Kuvajtit për t’i siguruar Kosovës statusin e vëzhguesit në Organizatën e Bashkëpunimit Islamik.

Kurti e lidhi nevojën dhe gatishmërinë e përbashkët për bashkëpunim ekonomik më të gjerë e më të thellë me përparimin e Kosovës në fusha kyçe, përfshirë teknologjinë e informacionit dhe industrinë e mbrojtjes. Sipas tij, të rinjtë dhe kompanitë kosovare po dëshmojnë çdo ditë se Kosova është vend i talentit, punës dhe mundësive.

Në përmbyllje, Kurti e përshkroi rrugëtimin e marrëdhënieve dypalëshe si kalim nga solidariteti i vitit 1999 drejt partneritetit të së ardhmes, duke i cilësuar Kosovën dhe Kuvajtin miq të vërtetë.

të fundit

Shasivari: Vendimmarrja politike duhet të mbështetet te të dhënat dhe analizat

Ministri i Drejtësisë Jeton Shasivari mori pjesë sot në tryezën e rrumbullakët "Përmirësimi i Funksionit Kërkimor dhe Analitik në Partitë…

1 minute ago

Angellov: Ndryshimet ligjore kanë përmirësuar ndjeshëm kushtet në DMSH

Disa nga dobësitë e vërejtura në raportin e publikuar sot nga Enti Shtetëror për Auditim mbi punën dhe kushtet në…

2 minutes ago

PDK propozon ndryshime për Dhomat e Specializuara, ekspertët: Mandati nuk preket, fokusi duhet te Apeli

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka njoftuar të hënën se grupi parlamentar i kësaj partie ka proceduar në Kuvend projektligjin…

5 minutes ago

Jeton Mehmeti: Drenica ka marrë formë, synojmë stabilitet dhe luftë për çdo pikë

Drenica po kalon një moment pozitiv në kampionat, pas një starti jo të lehtë dhe një periudhe në të cilën…

5 minutes ago

Operacioni për AKSHI, SPAK njoftim zyrtar: Arrest shtëpie dhe pezullim nga detyra për drejtoreshën e SHISH Vlora Hyseni, kontroll banesës së ish-kreut të Policisë së Shtetit Ilir Proda

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) , ka dalë me një njoftim zyrtar në lidhje me…

11 minutes ago

Pengesa që mban pezull finalizimin e kalimit të Arbër Hoxhës te Al Wahda

Arbër Hoxha ende nuk është bërë lojtar i klubit Al Wahda, megjithëse Dinamo Zagrebi dhe klubi i Emirateve të Bashkuara…

11 minutes ago