Kryeministri Albin Kurti ka uruar Shtetet e Bashkuara të Amerikës për 250-vjetorin e Deklaratës së Pavarësisë përmes një postimi publik.
None found
Në mesazhin e tij, ai vuri në pah peshën historike të 4 Korrikut, si edhe idealet universale të lirisë, barazisë dhe të drejtave të patjetërsueshme mbi të cilat u ngrit shteti amerikan, përcjell “Bota sot”.
Po ashtu, Kurti vlerësoi kontributin historik të SHBA-së për shqiptarët, duke përmendur mbrojtjen që Presidenti Woodrow Wilson i dha Shqipërisë pas Luftës së Parë Botërore dhe deklarimin e Presidentit George W. Bush për pavarësinë e Kosovës.
Në përmbyllje, ai i uroi qytetarët amerikanë për këtë jubile, duke shprehur falënderim për miqësinë dhe përkrahjen ndaj shqiptarëve.
Postimi i plotë
Kur një deklaratë pavarësie shihet si një ngjarje historike, ajo lidhet gjithmonë me një kohë dhe një vend të caktuar. Pikërisht për këtë arsye, sot shënojmë 250-vjetorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, sepse më 4 korrik 1776, Kongresi Kontinental i 13 kolonive të Britanisë së Madhe, pas mbledhjeve të mbajtura në Dhomën e Asamblesë të Parlamentit Shtetëror të Pensilvanisë në Filadelfia, vendosi firmën përfundimtare mbi Deklaratën e Pavarësisë. Me atë datë historike mori jetë një shtet i ri: Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Megjithatë, domethënia e Deklaratës së Pavarësisë së ShBA-ve nuk kufizohet vetëm te dita dhe vendi i miratimit të saj. Në thelbin e saj qëndron një peshë e veçantë: “Ne i konsiderojmë këto të vërteta si të vetëkuptueshme: se të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë; se ata janë pajisur nga Krijuesi i tyre me disa të drejta të patjetërsueshme; se ndër këto të drejta janë jeta, liria dhe kërkimi i lumturisë”. Duke u mbështetur te këto parime dhe të drejta universale, që nuk kufizohen as nga koha dhe as nga hapësira, ajo që sot njihet si “Fryma e ’76-ës” jo vetëm ka mbijetuar, por ka vazhduar të jetojë fuqishëm në mendjet dhe zemrat e patriotëve të çdo kohe dhe të çdo kombi.
Kjo është veçanërisht e vërtetë për shqiptarët. Më 4 korrik 1918, pra 108 vite më parë, në 142-vjetorin e pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Fan Noli, si përfaqësues i federatës shqiptare “Vatra”, shkëmbeu disa fjalë me Presidentin Woodrow Wilson. Në jahtin presidencial U.S.S. Mayflower, gjatë kthimit drejt Washington DC nga Mount Vernon, ku ishin bërë homazhe festive te varri i George Washington-it, Noli shfrytëzoi rastin për t’i thënë presidentit të njëzetetetë amerikan se zbatimi i parimeve të tij për vetëvendosjen do t’ia siguronte Shqipërisë të drejtat e saj. Presidenti Wilson iu përgjigj rilindasit tonë erudit duke e garantuar se ato parime do të sundonin, sepse ShBA-ja do të luftonte për to. Shqipëria londineze, siç e quajmë ne shqiptarët, shpëtoi pas Luftës së Parë Botërore edhe falë parimeve të mishëruara në planin e paqes që njihet si “14 pikat e Wilsonit”.
Pas më pak se një shekulli, po ato parime që mbrohen me aq elokuencë në Deklaratën e Pavarësisë të 4 korrikut 1776 do të thirreshin sërish në ndihmë nga lëvizja jonë për pavarësi. E drejta e popullit të Kosovës për vetëvendosje, e flijuar në fillim të shekullit XX në lojërat gjeopolitike të Fuqive të Mëdha, në fund të atij shekulli dhe në fillim të shekullit pasues do të merrte mbështetjen më domethënëse pikërisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. 10 qershori i vitit 2007, dita kur George W. Bush deklaroi në Tiranë, “Më mirë më parë sesa më vonë, duhet të thuash këtu i erdhi fundi, Kosova është e pavarur,” mbetet një nga datat më të rëndësishme të historisë sonë më të re shtetformuese. Kështu, brenda afro një shekulli, nga Shqipëria londineze deri te Kosova e pavarur, përpjekjet shqiptare për vetëvendosje morën dy herë mbështetje vendimtare nga kombi amerikan, i cili 250 vite më parë shpalli themelimin e vet duke iu referuar të drejtave të patjetërsueshme për jetë, liri dhe kërkim të lumturisë.
Teksti i Deklaratës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara, i firmosur më 4 korrik 1776, vulosi vullnetin që delegatët e Parlamentit Shtetëror në Filadelfia kishin shprehur dy ditë më herët, më 2 korrik. Edhe pse u hartua me ngut, kryesisht nga Thomas Jefferson, dhe nën presionin e zhvillimeve të asaj kohe, ai u kthye në simbol të një epoke të re në historinë e mendimit politik. Nocioni i të drejtave të patjetërsueshme, që qëndron në themel të kësaj deklarate, vazhdon të mbetet radikal edhe sot. Me këto të drejta të patjetërsueshme, etërit themelues të kombit amerikan kuptonin ato të drejta që nuk mund të tjetërsoheshin as me pëlqimin e vetë bartësit të tyre. Edhe sot, garantimi i këtyre të drejtave për çdo njeri pa dallim mbetet një detyrë qytetëruese për mbarë njerëzimin.
Me urimet më të mira për një të ardhme të ndritur të kombit amerikan, gëzuar 4 Korrikun, gëzuar 250-vjetorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës!
Emiljano MustaEmiljano Musta do të largohet nga Elbasani [...]Read More...
Policia e Vlorës ka finalizuar operacionin e koduar “Siguria”, i zhvilluar në kuadër të rritjes së parametrave të sigurisë dhe…
Prokuroria e Posaçme ka reaguar për arrestimin më 1 korrik nga BKH në Durrës të Adi Çobës, personit të dyshuar…
OBRM-PDUKM njoftoi në një deklaratë se Komisioni Evropian e ka njohur përsëri Maqedoninë si një nga vendet që po udhëheqin…
Presidenti Bajram Begaj këtë të shtunë ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale dhe ka uruar Shtetet e Bashkuara…
Kryeministri Edi Rama përmes një postimi në rrjetin e tij social “Facebook” ka reaguar lidhur me 250-vjetorin e Pavarësisë së…