Categories: kosovë

Kurti pas vendimit në Hagë: Gjenocidi u krye nga Serbia, dënimi i krerëve të UÇK-së një padrejtësi

Kryeministri Albin Kurti ka reaguar me ashpërsi pas dënimit në shkallë të parë të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, duke e quajtur vendimin një padrejtësi të patolerueshme dhe një goditje të rëndë e të dëmshme për Kosovën.

Disa ditë para se të shpallej aktgjykimi, Kurti kishte theksuar se gjatë konfliktit në Kosovë, gjenocidi, krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit ndaj shqiptarëve ishin kryer nga regjimi serbo-jugosllav i udhëhequr nga Slobodan Millosheviqi. Ai kishte shtuar se asnjë gjykatë, qoftë vendore apo ndërkombëtare, nuk mund ta njollosë luftën çlirimtare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Të lidhura

None found

Nga ana tjetër, Trupi Gjykues kishte sqaruar se procesi nuk kishte për qëllim vënien në dyshim të legjitimitetit të UÇK-së apo aspiratës së saj për pavarësinë e Kosovës, por fokusohej ekskluzivisht në përgjegjësinë penale individuale të katër të pandehurve.

Reagimi i plotë i kryeministrit Albin Kurti vijon më poshtë:

Të nderuar qytetarë,

Vendimi për t’i shpallur fajtorë dhe dënimi tejet i ashpër ndaj katër ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, përbën një padrejtësi të papranueshme, një ndëshkim të madh dhe me pasoja të dëmshme. Edhe pse aktgjykimi mund të jetë shpallur formalisht në emër të popullit të Kosovës, kjo formulë boshe nuk duhet ngatërruar me vullnetin e vërtetë të qytetarëve.

Ky vendim duhet patjetër të rishikohet dhe të korrigjohet në shkallën e apelit, dhe sa më shpejt që të jetë e mundur. Në këto çaste të vështira, qëndrojmë pranë familjeve të ish-krerëve të UÇK-së dhe të gjithë bashkëluftëtarëve çlirimtarë.

Siç dihet, gjithçka nisi më 15 prill 2008 me akuzat në Këshillin e Evropës nga deputeti rus Konstantin Kosaçev dhe ai serb Millosh Alligrudiq, por ne duhet të sigurohemi që asgjë nuk përfundoi sot më 16 shtator 2026. Asnjë prej pretendimeve dhe akuzave të ekzagjeruara e absurde mbi të cilat u arsyetua krijimi i Dhomave të Specializuara, duke filluar nga Shtëpia e Verdhë dhe trafikimi i organeve, nuk u arrit të vërtetohej nga vetë Prokuroria, për shkak të mungesës së provave.

Për më tepër, aktgjykimi i sotëm i Dhomave të Specializuara hodhi poshtë pretendimin më të rëndë që kishte mbetur në aktakuzë: se UÇK-ja kishte ndërmarrë një sulm të gjerë dhe sistematik kundër popullsisë civile. Gjithashtu, u bë e qartë se ky proces nuk ishte një gjykim për legjitimitetin apo pastërtinë e luftës së UÇK-së. Nuk u vërtetua as kushti më themelor për krime kundër njerëzimit. Konkluzionet dënuese lidhen me akuza të caktuara për krime lufte, përfshirë torturën e personave të konsideruar bashkëpunëtorë të regjimit serb. Këto janë konstatime të padrejta, por jo përfundimtare, dhe do t’i nënshtrohen shqyrtimit në apel.

Padrejtësia e akuzave të Prokurorisë është vënë në dukje jo vetëm brenda Kosovës, por edhe jashtë saj. Për karakterin e luftës çlirimtare dhe të UÇK-së dëshmuan para vetë Gjykatës edhe personalitete ndërkombëtare që e kishin njohur konfliktin nga afër. Ata e përshkruan UÇK-në si përgjigje ndaj dekadave të shtypjes së shqiptarëve dhe kundërshtuan pretendimin se ajo ishte përgjegjëse për spastrim etnik; po ashtu, ata dëshmuan kundër tezës së një komande të centralizuar që kontrollonte çdo veprim në terren. Këto dëshmi erdhën nga njerëz që e panë luftën nga pozita të drejtpërdrejta të përgjegjësisë ndërkombëtare dhe që konfirmuan karakterin e saj çlirimtar. Kritikat e tyre, të argumentuara në detaje, nënvizojnë se vendimi i sotëm mbështetet mbi themele thelbësisht të pasakta, si nga pikëpamja historike, ashtu edhe ajo ligjore. Siç kemi vepruar që nga fillimi i këtij procesi, Qeveria do të vazhdojë, me të gjitha mjetet që ka në dispozicion, t’i mbështesë të akuzuarit në procesin e apelit, ku presim korrigjimin e plotë të kësaj padrejtësie.

Ky aktgjykim nuk mund të lexohet jashtë historisë në të cilën lindi UÇK-ja. UÇK-ja nuk ishte zgjedhja e një populli që kërkonte luftë, por përgjigjja e një populli që, i shtypur dhe i kërcënuar në vetë ekzistencën e tij, kërkonte liri. Populli shqiptar i Kosovës përjetoi heqjen e autonomisë, përjashtimin nga institucionet, dëbimin nga vendet e punës, shkollat dhe universiteti, burgosjet, torturat dhe vrasjet. Më pas erdhën masakrat, djegia e vendbanimeve, dëbimi masiv i qindra mijëra njerëzve nga shtëpitë e tyre dhe gjenocidi. Kjo vuajtje nuk ishte sfondi i rastësishëm i luftës, por realiteti që e bëri qëndresën çështje të mbijetesës së një populli.

Asnjë vuajtje njerëzore nuk duhet mohuar apo minimizuar. Por, po aq e padrejtë do të ishte që konstatimet për veprime të caktuara të shndërroheshin në aktakuzë kundër UÇK-së dhe në gjykim të luftës çlirimtare. Ushtria Çlirimtare e Kosovës lindi si përgjigje ndaj shtypjes së një regjimi gjenocidal dhe luftoi për çlirimin e Kosovës. Ky është karakteri i saj politik dhe historik, dhe as arkitektura selektive e një mekanizmi gjyqësor, as një aktgjykim i tij, nuk mund ta zhbëjnë atë. Për një shekull e gjysmë, nga mesi i shekullit XIX e deri në vitet e fundit të shekullit XX, nga instanca të ndryshme por gjithnjë të larta, shtetërore e politike, akademike e pseudoshkencore të Serbisë, janë hartuar 24 programe për shfarosjen e shqiptarëve.

Dhomat e Specializuara u krijuan me një mandat të posaçëm, por mandati dhe veprimtaria e tyre e përqendruan drejtësinë vetëm mbi njërën palë të luftës. Kur në bankën e të akuzuarve gjenden vetëm pjesëtarët e një etnie, ndërsa aparati shtetëror që kreu masakra, dëbime dhe krime gjenocidale mbetet jashtë juridiksionit, krijohet në mënyrë të pashmangshme pamja e një drejtësie njëetnike. Këtë ndjesi e ka thelluar edhe mungesa e transparencës së një procesi, pjesë të rëndësishme të të cilit janë zhvilluar larg syrit dhe vlerësimit të publikut.

Një mekanizëm në të cilin përgjegjësia penale përqendrohet vetëm te pjesëtarët e një populli apo bashkësie etnike, ndërsa krimet gjenocidale të palës tjetër mbeten jashtë ndjekjes efektive, krijon shqetësime serioze lidhur me barazinë para ligjit, paanshmërinë objektive dhe legjitimitetin e vetë institucionit. Drejtësia selektive mbi baza etnike bie ndesh me parimin themelor se drejtësia jo vetëm duhet të jetë e paanshme, por edhe duhet të perceptohet si e tillë.

Kosova do të vazhdojë të mbështesë Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin e Jakup Krasniqin në procedurën e apelit, në mbrojtje të plotë, dinjitoze dhe institucionale. Kjo është përgjegjësi ndaj qytetarëve tanë dhe besim në të drejtën për ta kundërshtuar një aktgjykim që ende nuk është përfundimtar.

Sot u gjykuan akuza dhe veprime të caktuara; nuk u gjykua dhe nuk mund të dënohet arsyeja pse lindi UÇK-ja e as të njolloset ajo. Sepse kur atdheu nuk duroi më gjakatarë, ai thirri çlirimtarë, dhe emri i tyre ishte Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

të fundit

Afrim Gashi: The ruling against former KLA leaders does not end the pursuit of justice

Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, ka reaguar pas aktgjykimit të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve…

7 seconds ago

Gurë mbi objektin e Qeverisë së Kosovës, protestuesit thyejnë xhamat

Protestueit kanë gjuajtur me gurë objektin e Qeverisë së Kosovës duke thyer xhamat e saj. Ndërkaq, disa nga protestuesit që…

32 seconds ago

Branko Azeski: Innovation and exports are the key to survival for Macedonian businesses

Inovacionet janë e ardhmja dhe çelësi që kompanitë të Maqedonisë të fitojnë një avantazh ndaj kompanive evropiane dhe atyre globale…

34 seconds ago

Richard Grenell reagon ndaj aktgjykimit të Gjykatës së Hagës

Emisari presidencial i Trumpit, Richard Grenell, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Speciale. Grenell ka thënë se kryeministri Albin Kurti…

57 seconds ago

Pas vendimit të Speciales, Altin Krasniqi viziton të atin: Të fortë e krenarë, dënimi është për popullin

Altin Krasniqi, djali i Jakup Krasniqi, ka njoftuar se ka vizituar këtë të fundit, pas vendimit të gjykatës speciale sot,…

1 minute ago

Daçiç: Vendimi i Hagës për ish-krerët e UÇK-së përforcon qëndrimin e Serbisë

Serbia reagoi ndaj vendimit të Hagës përmes zëvendëskryeministrit, Ivica Daçiç, i cili, menjëherë e përshkroi si konfirmim të pretendimeve të…

2 minutes ago