Categories: kosovë

Kurti merr pjesë në mbledhjen inauguruese të Bordit të Korporatës së Ruajtjes së Energjisë

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ishte pjesëmarrës në takimin e parë të Bordit të Korporatës së Ruajtjes së Energjisë, KRE.

Të lidhura

None found

Gjatë fjalimit të tij, ai theksoi se sistemit energjetik të Kosovës, krahas KEK-ut dhe Ibër-Lepencit, që merren me prodhimin e energjisë elektrike, si dhe KOSTT-it, që e transmeton atë, tashmë i është shtuar edhe KRE-ja. Kjo korporatë do të ruajë energjinë dhe do ta vërë në dispozicion në periudhat kur kërkesa është më e lartë.

Kurti nënvizoi se Korporata e Ruajtjes së Energjisë është tërësisht në pronësi të Republikës së Kosovës dhe përbën një pasuri të përbashkët të qytetarëve, e cila duhet të administrohet me përgjegjësi.

Programi Kompakt kap vlerën totale prej 236.7 milionë dollarësh. Prej kësaj shume, 202 milionë dollarë janë grant i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i siguruar përmes Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit, ndërsa 34.7 milionë dollarë janë kontribut i Qeverisë së Republikës së Kosovës. Sipas kryeministrit, ky është një investim i përbashkët në sigurinë energjetike dhe në zhvillimin afatgjatë të vendit.

Kurti falënderoi ministren Artane Rizvanolli dhe stafin e Ministrisë së Ekonomisë, si dhe MCC-në e MCA-Kosovën, për bashkëpunimin e deritanishëm.

Ai shprehu gjithashtu mirënjohjen e Qeverisë dhe të popullit të Kosovës ndaj Qeverisë dhe popullit amerikan për përkrahjen e vazhdueshme në zhvillimin e Republikës së Kosovës.

Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti:

E nderuara ministre e Ekonomisë, znj. Artane Rizvanolli,

I nderuari Drejtor i MCC-së në Kosovë, z. Rinor Gjonbalaj,

I nderuari kryesues, z. Bujar Haxha,

Të nderuar anëtarë të Bordit,

E nderuara drejtore e MCA-Kosova, znj. Florina Duli-Sefaj,

Të nderuar përfaqësues të MCC-së,

Të nderuar të pranishëm,

Zonja dhe zotërinj,

KEK-u dhe Ibër-Lepenci janë ndërmarrjet që prodhojnë energji elektrike, ndërsa KOSTT-i kujdeset për transmetimin e saj. Me themelimin e Korporatës së Ruajtjes së Energjisë, KRE, krijohet edhe mundësia për ta depozituar energjinë dhe për ta përdorur atë në orët kur nevojat janë më të mëdha. Përmes kësaj ndërmarrjeje të re publike, sistemit energjetik po i shtojmë një kapacitet që deri tani i ka munguar.

Që gjatë hartimit të Programit Kompakt me partnerët amerikanë, synimi ynë ishte që investimi në bateri të shoqërohej me krijimin e një ndërmarrjeje përgjegjëse për pronësinë dhe menaxhimin e tyre. Pas nënshkrimit të marrëveshjes me Korporatën e Sfidës së Mijëvjeçarit, MCC-në, u themelua edhe KRE-ja. Me mbledhjen e sotme të parë të Bordit, po vijojmë hapat për ta përgatitur ndërmarrjen për operim.

Korporata e Ruajtjes së Energjisë është në pronësi njëqind për qind të Republikës së Kosovës dhe, rrjedhimisht, është pasuri e përbashkët e qytetarëve tanë. Mbrojtja e pasurisë publike bëhet përmes administrimit të mirë dhe rritjes së saj. Ndërmarrjet publike duhet të funksionojnë me sukses, të gjenerojnë vlerë ekonomike dhe këtë vlerë ta përdorin për mirëqenien e qytetarëve. Ky është edhe synimi ynë për KRE-në.

Vlera e përgjithshme e Programit Kompakt është 236.7 milionë dollarë. Nga kjo shumë, 202 milionë dollarë përbëjnë grantin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të dhënë përmes Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit, ndërsa 34.7 milionë dollarë janë kontribut i Qeverisë së Republikës. Ky program përfaqëson një investim të përbashkët për sigurinë energjetike dhe zhvillimin e qëndrueshëm afatgjatë në Kosovë.

KRE-ja do t’i ketë në pronësi dhe do t’i operojë bateritë në Istog, të cilat kanë fuqi prej 125 megavatësh dhe kapacitet ruajtës prej 250 megavat-orësh energji. Në kombinim me sistemin prej 90 megavat-orësh të KOSTT-it në Ferizaj, Kosova do të sigurojë 340 megavat-orë kapacitet të ri për ruajtjen e energjisë në pronësi publike.

Kjo nënkupton se energjia mund të ruhet në momentet kur prodhimi tejkalon nevojat, për t’u rikthyer në rrjet kur kërkesa rritet. Në këtë mënyrë, reduktohet nevoja për importe gjatë orëve të pikut dhe mbështetet balancimi i sistemit energjetik.

Të nderuar anëtarë të Bordit,

Eksperienca juaj në fushën e energjetikës, financave, drejtësisë dhe administratës, si në Kosovë ashtu edhe jashtë saj, është me rëndësi të veçantë. Pritshmëria jonë është që ndërmarrjen ta ndërtoni mbi bazën e rekrutimit sipas meritës, vendimmarrjes profesionale dhe llogaridhënies zyrtare. Një teknologji e re kërkon edhe standarde të larta qeverisjeje. Çdo vendim duhet të merret me përgjegjësi ndaj qytetarëve, të cilëve u përket kjo ndërmarrje.

Shpreh falënderimin tim për ministren Rizvanolli dhe ekipin e Ministrisë së Ekonomisë, si dhe për MCC-në dhe MCA-Kosovën, për angazhimin e përbashkët. Qeverisë dhe popullit amerikan u përcjellim mirënjohjen tonë për mbështetjen e vazhdueshme që i kanë dhënë zhvillimit të Republikës së Kosovës.

Ju dëshiroj punë të mbarë dhe i uroj ndërmarrjes që t’u ofrojë qytetarëve të Kosovës, pa dallim, shërbim sa më cilësor.

Ju falënderoj për ftesën dhe për vëmendjen!

të fundit

Egnatia hedh poshtë zërat për shtyrjen e ndeshjes ndaj Midtjylland

EgnatiaNë një komunikim të bërë për mediat pak minuta më parë, Egnatia konfirmon se ndeshja me Midtjylland, e vlefshme për…

47 seconds ago

Përplasje në protestë, efektivët përballen me gurë, molotovë dhe mjete ndezëse

Një pjesë e forcave te policisë ndodhen tashmë nën presionin e gurëve dhe lëndëve ndezëse nga protestuesit. Në pjesë e…

5 minutes ago

Protestat studentore, Joz Marku del publikisht me një veprim të papritur

Këngëtari Joz Marku ka tërhequr vëmendjen me një postim të fundit në rrjetet sociale, në një kohë kur protestat e…

8 minutes ago

Hoxha takoi admiralin Wikoff dhe komandantin e ri të KFOR-it, Vergori: Në fokus forcimi i bashkëpunimit

Gazmend Hoxha i njoftoi zyrtarët e lartë ushtarakë për situatën e sigurisë në Kosovë dhe bashkëpunimin me misionin e KFOR-it…

10 minutes ago

Hyseni: Shqiptarët e Luginës duhet ta dëshmojnë bashkimin përmes rezultateve

Më 25 tetor 2026, në Serbi do të mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të shpallura më 9 shtator nga presidenti…

11 minutes ago

Tensionet vijojnë në kryeqytet, protestuesit ndezin zjarre te Zogu i Zi

Situata e tensionuar vijon në Tiranë që prej orëve të paradites, ndërsa protestuesit janë shpërndarë në zona të ndryshme të…

12 minutes ago