Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka prezantuar projektin për banim social adekuat, i cili kap vlerën e 37 milionë eurove dhe përfshin 21 komuna. Gjatë konferencës për media, ai ka folur edhe për aksionin e institucioneve të sigurisë në veri dhe procesin e hapjes së plotë të Urës së Ibrit.
Sipas Kurtit, përmes këtij projekti synohet përmirësimi i kushteve të jetesës për familjet në nevojë. Ai e ka përshkruar nismën si një investim në dinjitetin e familjeve, barazinë dhe sigurinë sociale, duke theksuar se strehimi duhet të jetë pjesë e politikave sociale të shtetit.
None found
“Një familje e cila nuk mund të ndihet e sigurt, atëherë duhet patjetër të bëhemi si shtet strehë për të. Një familje që nuk mund të ketë mundësi të barabarta, atëherë duhet që ne të sigurojmë patjetër kushte të përshtatshme banimi”, deklaroi Kurti në konferencën e përbashkët me ministren e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli Dalipi, dhe ministrin për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti.
Ai bëri të ditur se gjatë mandatit të qeverisë janë marrë masa të ndryshme për të ndihmuar familjet, veçanërisht ato me fëmijë dhe familjet që përballen me vështirësi ekonomike.
“Mbështetja për një familje nuk është vetëm një pagesë mujore, mbështetja është edhe mundësia që ajo familje të ketë strehim të përshtatshëm, të sigurt e dinjitoz”, u shpreh kryeministri në detyrë.
Projekti, sipas tij, është hartuar përmes bashkëpunimit mes institucioneve qendrore, komunave dhe partnerëve ndërkombëtarë. Nga Banka për Zhvillim e Këshillit të Evropës janë siguruar 25 milionë euro përmes një marrëveshjeje kredie, ndërsa 12 milionë euro janë ndarë nga buxheti i Kosovës.
“Pra kemi siguruar një fond të përgjithshëm prej 37 milionë euro. Ky është gjithsesi një investim i madh”, tha Kurti.
Në projekt do të përfshihen 21 komuna, ndërsa nga ndërhyrjet e planifikuara pritet të përfitojnë qindra familje. Kurti tha se angazhimi tashmë ka kaluar nga faza e planifikimit dhe përgatitjes në zbatimin konkret.
Komunat do të kenë përgjegjësi të rëndësishme në realizimin e projektit, duke përfshirë procedurat e prokurimit dhe përzgjedhjen e familjeve përfituese.
Kurti ka vlerësuar ndërkohë punën e Policisë së Kosovës dhe Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), pas sekuestrimit të një sasie të madhe armësh dhe municioni në veri të vendit.
I pyetur nga Indeksonline gjatë konferencës për media, ai tha se në Kosovë kanë ndodhur në periudha të ndryshme procese për çarmatimin dhe grumbullimin e armëve ilegale, por se veriu i Kosovës paraqet një situatë të veçantë.
“Ne në Republikën tonë kemi pasur çarmatosje, grumbullim të armëve anembanë Kosovës, por jo në veriun e Kosovës. Në këto tri vitet e fundit kemi aksione të shumta policore, të cilat praktikisht po marrin armë në duart e atyre që janë ose kriminelë, ose potencialisht kriminelë”, deklaroi Kurti.
Ai paralajmëroi se armatimi ilegal me tyta të gjata paraqet kërcënim serioz për sigurinë publike.
“Armatimi ilegal me tyta të gjata nuk është për hajr, por veç për sherr”, u shpreh kryeministri.
Operacionin e fundit në veri Kurti e cilësoi si një arritje të rëndësishme të institucioneve të sigurisë. Kontrollet janë kryer nga Policia e Kosovës në bashkëpunim me AKI-në, Prokurorinë dhe institucionet e tjera.
Sipas Policisë së Kosovës, nga 6 deri më 17 gusht, në zonën e Zubin Potokut janë kontrolluar 45 lokacione. Gjatë këtyre operacioneve janë konfiskuar 72 armë, mijëra copë municion, granata, pjesë armësh, pajisje dhe uniforma ushtarake.
“Është punë e jashtëzakonshme e Policisë dhe AKI-së”, tha Kurti, duke lavdëruar angazhimin e institucioneve në zbulimin dhe sekuestrimin e armëve ilegale në veri.
Rëndësia e operacioneve është shtuar edhe për faktin se arsenali u gjet në një zonë ku gjatë javëve të fundit janë zbuluar tri lokacione me mbetje mortore. Autoritetet kanë njoftuar se hetimet për lidhjet e mundshme mes armëve dhe rasteve të krimeve të luftës vazhdojnë.
Për çështjen e Urës së Ibrit, Kurti tha se institucionet e Kosovës janë në komunikim të vazhdueshëm me KFOR-in lidhur me hapjen e plotë të saj dhe kalimin tërësisht nën kontrollin e Policisë së Kosovës.
Ai bëri të ditur se pasditen e asaj dite do të takohej në Kryeministri me komandantin e KFOR-it, gjeneralin Özkan Ulutaş.
“Sa i përket itinerarit për hapjen e plotë të urës, përkatësisht marrjen në kontroll tërësisht nga ana e Policisë së Kosovës, ne jemi në komunikim të vazhdueshëm me KFOR-in. Unë sot pasdite kam edhe një takim në Kryeministri me gjeneralin e KFOR-it, përkatësisht komandantin Özkan Ulutaş”, ka deklaruar Kurti.
Sipas tij, komunikimi mes institucioneve të Kosovës dhe KFOR-it zhvillohet çdo ditë, me synimin që procesi të përfundojë në mënyrë të qetë dhe pa incidente.
“Pra, jemi në komunikim të përditshëm, qoftë Kryeministria, qoftë Ministria e Punëve të Brendshme, në mënyrë që gjithçka të shkojë në mënyrë të qetë dhe paqësore”, tha ai.
Kurti e ka konsideruar të pakuptimtë vazhdimin e mbylljes së Urës së Ibrit për qarkullim, veçanërisht pas ndërtimit të urave të reja në atë pjesë.
“Duhet të përkujtojmë që, pas ndërtimit të urave të reja, është bërë absurde që ajo urë të mbahet e mbyllur. Fakti që qytetarët kanë qarkulluar lirshëm përmes këtyre urave të reja dhe nuk ka pasur asnjë incident apo tension, tregon se qarkullimi i njerëzve dhe i mallrave, liria gjithnjë e më e madhe e lëvizjes, është e dobishme jo vetëm për ekonominë, por edhe për paqen dhe sigurinë”, ka deklaruar Kurti.
Një 62-vjeçar është arrestuar nga policia në Mirditë pasi u kap mat duke ndezur një zjarr. Në pranga ra Anton…
Mbi 300 persona janë arrestuar në Greqi që nga fillimi i vitit, të dyshuar si shkaktarë të zjarreve në pyje,…
Analisti Halil Geci ka reaguar me tone ironike ndaj deklaratave të Nasim Haradinajt, i cili ka paralajmëruar se “do të…
Formacioni misterioz gjeologjik në formën e një varke, në malet e Turqisë lindore, është konsideruar prej shumë kohësh më tepër…
Zbardhet dëshmia në sallën e gjyqit e Sokrat Vatës, i akuzuar për vrasjen e 20-vjeçarit portugez në Ksamil, Luis Miguel…
Formacioni misterioz gjeologjik në formën e një varke, në malet e Turqisë lindore, është konsideruar prej shumë kohësh më tepër…